Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Armo: Të ardhura 24 mln €, humbje 340 mln €

Kompania deklaron në bilancin e saj të ardhura minimale dhe humbje kolosale, që u dyfishuan nga rivlerësimi i pronës dhe rënia e vlerës së aktiveve financiare….

2013-a ka qenë një vit mjaft i mbrapshtë për ARMO-n, rafinerinë e naftës, ku aktualisht shumicën e aksioneve e zotëron kompania azere Heaney Assets Corporation.

Të dhënat e bilancit të dorëzuar nga kompania për vitin 2013 flasin për të ardhura minimale dhe humbje tepër të mëdha, që janë dyfishuar në vitin 2013, si rrjedhojë e zhvlerësimit të aseteve të kompanisë.

Sipas të dhënave të raportuara në bilanc, të ardhurat e ARMo për vitin 2013 ishin 3.34 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), me një rënie prej 43% me bazë vjetore.

Humbjet e kompanisë ishin tepër të mëdha, duke arritur në total 48 miliardë lekë, apo (344 milionë euro), nga 12 miliardë lekë që kishin qenë në vitin 2012.

Humbjet operative u dyfishuan nga 11 miliardë lekë në 23 miliardë lekë në 2013-n, si rrjedhojë e humbjeve nga rënia në vlerë a aktiveve financiare, shpenzimeve për provigjione dhe të tjera (shiko tabelën në fund).

Goditjen përfundimtare kompania e mori nga rivlerësimi i pronës, që i shkaktoi një humbje prej 24 miliardë lekësh, duke e dyfishuar humbjen në total.

Kompania raporton në bilanc një hua prej 6 miliardë lekësh dhënë Taci Oil ITSC, Kuid dhe AMra Oil, të cilat janë provigjionuar, për shkak të problemeve të këtyre kompanive, megjithëse në raport theksohet se ARMO është e angazhuar të mbledhë këto shuma në të ardhmen. Huat ishin dhënë përpara se të ndryshonte struktura e aksioneve.

ARMO nga ana e saj ka 12.4 miliardë lekë hua dhe overdrafte nga bankat (FBME Bank, Raiffeisen, Credins, Tirana Bank, BKT etj) dhe rreth 12 miliardë lekë të tjera hua nga palë të treta.

Deri në fund të vitit 2013, ARMO i kishte Albpetrol një detyrim prej 3.4 miliardë lekë, ndërsa ka në total detyrime ndaj furnitorëve në shumën e 10 miliardë lekëe (Bankers Petroleum, Albpetrol etj).

Si të mos mjaftonin telashet, në 11 gusht 2014, sipas QKR-së është depozituar urdhri nr.1564 prot. 701/1 dosje dt.04.08.2014, lëshuar nga shoqëria përmbarimore “TDR Group”, ku është urdhëruar: Vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqëria “A.R.M.O” me NUIS (NIPT)-J82916498D. Bllokim i shitjes së aksioneve dhe tjetërsimit të aktivitetit.

Një ditë më pas, në 12 gusht është depozituar në QKR vendimi Nr.278 Regj, datë 29.07.2014, “Për marrjen e masave të sigurisë për mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor”, lëshuar nga Zyra e Tatim Taksave, Komuna Qendër Mallakastër, ku është vendosur: Marrjen e masave të sigurimit për ekzekutimin e detyrimit. Qëllimi i vendosjes së masave të sigurimit të detyrimit tatimor është moshumbja e pasurisë apo tjetërsimi i saj tek të tretët , pa u paguar më parë detyrimet tatimore. Masat e sigurimit të pasurisë vendosen nëpërmjet barrave siguruese për pasurinë e lujatshme dhe hipotekës për pasuritë e paluajtshme të tatimpaguesit si dhe të mos lejojë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesit debitor deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të jetë arkëtuar.

Historiku i aksioneve

Në gusht 2013, pjesa më e madhe e aksioneve të ARMO, iu shit kompanisë azere Heaney Assets Corporation, teksa ky i fundit bleu 80% të “Anika Enterprises”, që zotëronte 85% të aksioneve të ARMO (20% të aksioneve të Anica mbetën në pronësi të Refinery Associates of Texas). Shteti zotëron pjesën tjetër prej 15%.

Më parë, ARMO ishte në pronësi 15% të shtetit dhe 85% të Anika Mercuria Refinery Associated Oil, aksionari kryesor i të cilës ishte Rezart Taci, që e bleu kompaninë nga shteti në vitin 2008, me plane të mëdha për përpunimin e naftës në vend, por që nuk u zbatuan.

Revista Monitor, 20.08.2014