Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zv.Ministrja e Mjedisit priti përfaqësues të TAP

Zv. Ministrja e Mjedisit, znj. Djana Bejko, priti në një takim pune, Z. Daniele Bianchi, Menaxher i Aseteve të TAP, znj. Kelly Goddbard, Drejtore e politikave sociale dhe z. Izet Loloci, përfaqësues i projektit TAP, pjesë e Kompanisë Ndërkombëtare të naftës dhe gazit-BP,një nga kompanitë kryesore ndërkombëtare në botë për transport, energji për ngrohje dhe ndriçim.

Vizita kishte në fokus situatën aktuale dhe fazat afat shkurtër, afat mesëm dhe afat gjatë të projektit TAP në Shqipëri si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat e marra nga ministritë e linjës për progresin e këtij projekti.

Zëvendësministrja Bejko, informoi përfaqësuesit e BP, se Ministria e Mjedisit, ka marrë një sërë masash lehtësuese, për zbatimin e projektit TAP, duke ofruar sipërfaqe pyjore në shërbim të ngritjes së infrastrukturës për mbarëvajtjen e projektit. Njëkohësisht ajo u shpreh se të gjitha ministritë e tjera të linjës, janë në fazën e përgatitjes së procedurave dhe marrjes së masave lehtësuese, për zbatimin e tij.

Shtyrja përpara e këtij procesi është prioritet i Qeverisë dhe Ministrive të linjës përfituese nga ky projekt-shtoi ajo.

Në bazë të Raportit të Ndikimit në Mjedis dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për, projektin TAP, Ministria e Mjedisit do të asistohet me kapacitete teknike dhe financiare për të marrë masa përmirësuese mjedisore në zonat ku do të kalojë ky projekt.

Prioritet kryesor do të jetë mjedisi, në të cilin pritet që projekti TAP të investojë rreth 5 milion Euro. Gjithashtu përfitim të drejpërdrejtë nga ky projekt, si në aspektin ekonomik dhe në atë social, do të kenë dhe komunitetet përreth zonave ku do të kalojë ky gazësjellës.

Zv.Ministrja Bejko u shpreh se Ministria e Mjedisit, përmes grupit të ekspertëve do të përgatisë planet e veprimit, për ndërmarrjen e masave për lehtësimin e procesit nga të dy palët, si nga ana e projektit TAP ashtu dhe e Ministrisë së Mjedisit, dhe Qeverisë Shqiptare.

energjia.al 14.08.2014