Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Akciza, kryesojnë karburantet

Për vitin 2013, akciza është taksa me performancën më të mirë të të ardhurave, gjithsej 38.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 4.8 për qind dhe realizim të planit vjetor në nivelin 102.6 për qind. Faktorët me ndikim kanë qenë: efekti i “bazës” krahasuese, nisur nga fakti që 2012 ishte një vit me të ardhura të ulëta nga akciza për shkak të kalimit të akcizës nën administrimin e doganave; sasitë e mëdha të importuara të cigares, birrës dhe karburanteve në muajt e fundit të vitit 2013; përmirësimi i administrimit në pjesën e fundit të vitit. Muaji dhjetor 2013 u karakterizua nga nivele të larta importesh të produkteve me akcizë, veçanërisht Cigare, Kafe, Birrë dhe Karburante, siç pasqyrohet në tabelën në vijim. Rritja e ndjeshme e importeve ka ndikuar në të ardhurat nga TVSH dhe Akciza që mbledh Administrata Doganore, që vetëm për muajin dhjetor u rritën respektivisht me 29.1 % dhe 65.1 % krahasuar me muajin dhjetor të një viti më parë, duke përmbysur trendin e muajve të mëparshëm. Rritja e lajmëruar e akcizave për disa produkte si: duhani dhe birra, si dhe e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin në Paketën fiskale për vitin 2014, ndikoi në sjelljen e operatorëve ekonomikë që rritën importet për këto mallra gjatë muajit të fundit të 2013. Ecuria e mirë e mbledhjes së të ardhurave nga akciza karakterizon tre muajt e fundit të vitit 2013, tetor-dhjetor, me rritje vjetore 59.6 për qind kundrejt tre-mujorit të fundit të vitit 2012, si pasojë e përmirësimeve në administrimin e të ardhurave që mbledh dogana dhe zbulimit të disa rasteve të kontrabandës. Në nivel tarifor, nuk ka patur ndryshime nivelesh në akcizën e mallrave. Sipas llojit të mallrave kryesore me akcizë, situata e zhdoganimeve për periudhën ka qenë si vijon: Sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën janar – dhjetor 2013 është 459,829 ton, me rritje vjetore 6.5 për qind. Pjesërisht ky ishte rezultat i lajmërimit të rritjes së taksës së qarkullimit, duke pasuar në muajin nëntor dhe dhjetor me importimin e sasive më të mëdha se muajt e sipërpërmendur një vit më parë, me një rritje prej 12.5 dhe 48.5 % respektivisht. Sasia e cigareve të zhdoganuara për periudhën janar–dhjetor 2013 është 3,694 ton, me rritje vjetore prej 1.8 për qind. Deri në nëntor, sasia e akumuluar e importimit të këtij produkti rezultonte më e ulët se e një viti më parë.

Gazeta Dita, 05.08.2014