Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Presione për rritjen e çmimit të energjisë

Gjiknuri: Duam të mos goditen menjëherë familjet.

Peleshi: Ministri ka refuzuar

Ka presion për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo u deklarua dje, në analizën e 300 ditëve të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë nga ministri Gjiknuri dhe zëvendëskryeministri Peleshi. Ky i fundit tha se qeveria është duke i rezistuar rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët duke parë si mundësi liberalizimin e tregut të energjisë. “Ministri gjithmonë ka rezistuar dhe ka refuzuar të marrë në shqyrtim opsionin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për të shëndoshur buxhetin e kompanisë së shpërndarjes, sepse jemi ende në fazën që nuk kemi shteruar potencialin e madh që na jep mirëmenaxhimi i shpërndarjes”, tha zv.kryeministri Peleshi.

Liberalizimi i energjisë

Duke folur për reformën në sektorin e energjisë, ministri Gjiknuri tha: “Duam të bëjmë një proces të mirëstrukturuar, që të mos goditen përnjëherë familjet dhe të mos goditet pjesa që është në nevojë”.Dua të shkoj edhe më tej, vazhdoi Gjiknuri, për detyrat e vështira që na presin dhe është mirë që publiku t’i dijë. “Sektori i energjisë elektrike është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, po e themi nuk kemi çfarë fshehim këtu, do të dojë të paktën 4 deri në 5 vjet që të fillojë të kthehet në një sektor fitimprurës. Detyrimet e borxheve janë shumë të mëdha, dëmet që i janë bërë këtij sektori janë të jashtëzakonshme, me privatizime HEC-esh shtetërore në mënyrë të pamenduar mirë, gjë që kanë rritur koston e energjisë. E ka kthyer këtë në një presion të vazhdueshëm mbi koston e energjisë dhe tarifat mbi publikun shqiptar. Ky është realitet i zymtë që e kemi trashëguar nga ish qeverisja. Nga ana tjetër, sektori ka pasur nevojë imediate për investime. Unë e thashë se në këto vite do të bëhen këto investime, por do duan kohën e tyre të japin rezultatin”, paralajmëroi ministri. Ai tha se shumë shpejt do të ecet përpara me ligjin e ri për energjinë, i cili do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit. “Do të parashikojmë liberalizimin e tregut, i cili është një proces që do të marrë disa vite, por të paktën të synojmë që vitin tjetër të fillojmë hapat e parë të këtij liberalizimi. Duke menduar që një sektor, sidomos klientët industrialë, pak nga pak do të fillojnë të dalin në tregun liberal të energjisë, duke u hequr barrën kompanive publike, duke i hequr barrën KESH-it, që ka vetëm një kaskadë, e cila duhet të financojë të gjithë tariforët”, tha Gjiknuri. “Kjo është tendenca kudo në Europë, kjo është edhe rruga që ne do të ndjekim. Ky proces do të kërkojë kohë, por jam i sigurt që duke vazhduar me këtë intensitet dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare financiare, ne do t’ia dalim që në krye të disa viteve sektori të kthehet fitimprurës”, premtoi Gjiknuri.

Hidrokarburet

“Prodhimi i naftës po rritet vit pas viti dhe unë besoj se në krye të disa viteve, me planet e zhvillimit që janë mbi tavolinë, Shqipëria do të kapë edhe rekordet historike të prodhimit të naftës. Interesi i rritur, për shkak edhe të zbulimeve të reja, na ka sjellë përballë një fakti se si do të veprojmë me ato fusha të mbetura të pazbuluara”, tha ministri. Ai njoftoi se ka bërë një program të qartë për të filluar procesin më transparent që ka ndodhur ndonjëherë me kontratat hidrokarbure, procesin e ankandit, për të negociuar terma më të mira në interes të publikut dhe për të garantuar një prodhim afatgjatë të naftës.

Gazeta Shqip, 30.07.2014