Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marrëveshja me CEZ shmangu arbitrazhin

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, iu kundërpërgjigj në Kuvend akuzave të Lulzim Bashës, i cili kishte denoncuar marrëveshjen e qeverisë me kompaninë CEZ, duke e konsideruar një megaskandal financiar.

Gjiknuri tha: “Shqiptarët duhet të dinë të vërtetën për marrëveshjen me kompaninë CEZ. Kostoja e arbitrazhit do të shkonte qindra miliona euro dhe do të zgjaste 6 vite, në një kohë që sistemi energjetik ishte në kolaps dhe kishte nevojë të menjëhershme për investime dhe reforma. Ne gjetëm zgjidhjen më të favorshme dhe me më pak kosto për vendin.”

“Procesi mund të vazhdonte me vite, nuk do kishte investime në energji dhe kështu që situata do të bëhej edhe më e rëndë. Ne zgjodhëm të gjenim një zgjidhje të shpejtë”, shtoi ministri.

Gjiknuri akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha sepse sipas tij ishte ai që bëri lëmshin me CEZ-in dhe ia la socialistëve ta zgjidhnin: “Ish-kryeministri krijoi një kaos dhe kërkoi që ne të ngrinim të gjitha investimet dhe ta zgjidhnim në gjyq këtë çështje. Marrëveshja që bëmë ishte një ndërhyrje e nevojshme dhe kjo marrëveshje transparente ka pasur mbështetjen e BERZH-it dhe BB-së. E vetmja mënyrë për të përmirësuar klimën e investimeve dhe reformat ishte gjetja e një marrëveshjeje.”

Ministri i Energjetikës tha gjithashtu se “opozita duhet të ulë kokën dhe të heshtë para një megadështimi që pati me CEZ-in”.

Top Channel, 31.07.2014