Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova në kolaps energjitik

Reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike me orar 4 me 2 në favor të territ në disa qytete të Kosovës, po dëshmojnë se vendi është në kolaps energjetik.

Termocentralet Kosova A dhe B, aktualisht janë duke prodhuar energji elektrike vetëm 50 % të nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Aktualisht në Kosovë po prodhohet rreth 400 MWh energji elektrike në dy njësi gjeneruese në dy termocentrale të KEK-ut. Kjo mungesë e prodhimit të energjisë elektrike është duke u kompensuar me import shtesë që sillet nga 100 – 300 MWh.

Duke u përballur me këtë mungesë KEDS-i është duke importuar dyfishin e asaj që është parapare në bilancin e aprovuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ky distributor vetëm për dy ditë të Festës së Bajramit për t’i siguruar qytetarëve energji 24 orë ka shpenzuar 400 mijë euro për të importuar 250 – 300 megavat (MW) në orë energji.

Këto para që po shkojnë jashtë Kosovës për import të energjisë janë edhe njëri prej shkaktarëve që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike më 1 korrik 2014, ka ngritur çmimin e energjisë elektrike për 4,57 %. Ngritja kishte ardhur pasi që KEDS-i ishte ankuar se nuk po arrin t’i mbulojë shpenzimet e veta.

KEDS-i për dy muaj importoi energji rreth 12 milionë euro

Ky import i ka kushtuar vetëm për muajin qershor dhe korrik kompanisë së vetme distribuese KEDS, rreth 12 milionë euro.

Për të mbuluar mungesën e energjisë elektrike, KEDS-i është duke importuar energji nga shtetet fqinjë si Serbia, Mali i Zi, Serbia dhe nga disa vende evropiane. Këta operatorë të ndryshëm ekonomikë janë: “Danske Commodities” – Danimarkë, EFT – Zvicër, AXPO – Zvicër, GEN I – Slloveni, “Petrol” Slloveni, “Energy Supply and Trading” – Bullgari, EPCG në Mal të Zi dhe “Rudnap” në Serbi, “Interenergo” – Slloveni, HEP – Kroaci, “Dans Energy” – Bullgari, JAS – Hungari.

Guri Shkodra nga KEDS-i ka shtuar se i tërë importi është duke u mbuluar financiarisht nga KEDS-i.

“I tërë importi shtesë për shkak të mungesës së prodhimit është duke u mbuluar financiarisht nga KEDS-i dhe vlera e përgjithshme e importit shtesë sillet rreth 150 – 200 mijë euro në ditë”, ka thënë Shkodra.

Ai po ashtu ka thënë se KEDS-i vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet që të mos aplikojë reduktime të energjisë elektrike dhe apelon tek qytetarët për kursim të energjisë elektrike.

“Në këto ditë të vështira për sektorin e energjisë. Kursimi ndihmon sektorin dhe qytetarët”, ka shtuar Shkodra. Fajin të gjithin KEDS-i e hedh te fatkeqësia në termocentralin Kosova A, e cila kishte ndodhur në fillim të muajit qershor. Shkodra po ashtu përmend se si ka trashëguar rrjet shumë të vjetruar të distribuimit dhe në gjendje shumë të rëndë, prandaj, sipas tij, në disa raste po ndodhin prishje, të cilat po evitohen nga punëtorët e KEDS-it në kohën më të shkurtër të mundshme.

KEK: Po riparojmë blloqet e Termocentralit A

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve të Korporatës, ka thënë se mungesa e energjisë elektrike po ndodh si pasojë e riparimit të blloqeve të Termocentralit Kosova A. Nulleshi ka treguar se Termocentrali Kosova B është duke prodhuar energji sipas bilancit të aprovuar vjetor.

“Ne anën tjetër në termocentralin Kosova A, pas aksidentit të datës 06 qershor 2014, kemi arritur të aktivizojmë Njësinë A3, e cila është duke prodhuar pa kurrfarë problemi. Ndërsa, për njësitë e tjera të Kosovës A, njëra nga të cilat duhej të ishte në punë sipas bilancit, janë duke u zhvilluar procedurat për fillimin e riparimeve të nevojshme kapitale”, ka thënë Nulleshi.

Ai po ashtu ka sqaruar se si rrjedhim i procesit të privatizimit të Furnizuesit Publik dhe Shpërndarjes, nga data 08 maj 2013, KEK-u nuk është bartës i licencës së furnizuesit publik. “Furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike sipas licencës e bën Furnizuesi Publik. KEK-u ka licencë për prodhimin e energjisë elektrike.

Prandaj, për sa i përket çështjes së furnizimit dhe importit duhet të japë llogari KEDS-it”, ka shtuar ai.

Gazeta Zëri, 30.07.2014