Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Borxhi për HEC-et arrin në 60 mln USD

Qeveria shqiptare pranon se borxhi që Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare u ka hidrocentraleve private në vend përbën një problematikë serioze, që e rrit edhe më tej shifrën 720 milion dollarë, që është njohur si borxh ndaj kompanive private.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se ky borxh arrin në 60 milion dollarë, shifër kjo që duhet paguar nga kompania publike. Në një prononcim për TVSCAN, Drejtori Ekonomik i KESH thotë se, situata e rënduar financiare me të cilën përballet korporata vjen si shkak i pamundësisë financiare që po kalon OSHEE. Korporata nga energjia e shitur ndaj operatorit të shpërndarjes arrin të faturojë në muaj rreth 350 milionë lekë. Me këto të ardhura, nuk mund të përballohen kostot operative të korporatës, ato të mirëmbajtjes si edhe shlyerja e pagave të punonjësve të saj.

KESH energjinë e prodhuar ia shet operatorit të shpërndarjes me një vlerë prej 2.2 lekë, ndërsa energjinë që siguron nga hec-et private e paguan me një vlerë deri në 4 herë më të lartë. Barra financiare i është ngarkuar KESH për të mundësuar rritjen e investimeve në sektorin energjetik. Mirëpo në këto kushte, modeli shqiptar i energjisë duket qartë që ka dështuar dhe është vetëm në dorë të ERE që të hartojë një ligj të ri në përputhje me kërkesat e tregut dhe që do të garantojë një siguri më të lartë për operatorët ekonomikë dhe konsumatorët.

Në kushtet kur nuk po marrin pagesën për energjinë që u kanë shitur ndër vite koorporatës elektroenergjetike shqiptar, koncesionarët e prodhimit të energjisë po i drejtohen gjithnjë e më shumë gjykatave, për të kthyer në urdhëra ekzekutimi detyrimin që shteti u ka për energjinë që kanë shitur. Vetëm gjatë muajit Korrik, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë afërsisht 20 urdhra ekzekutimi ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Kjo i jep shërbimit përmbarimor të drejtën për të bllokuar llogaritë e KESH deri në shlyerjen e detyrimeve kundrejt këtyre palëve. Ky skenar e bën akoma më delikate gjendjen e KESH, që vlerësohet të jetë një kompani shtetërore e zhytur në borxhe.

Scan TV, 29.07.2014