Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

300 ditët e Energjisë dhe Industrisë

Fjala Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në aktivitetin “300 ditët e Energjisë dhe Industrisë”:

Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit për prezantimet që bënë. Të gjithë kanë dashur të ekspozojnë sa më mirë atë punë voluminoze që është bërë në këto 300 ditë. Dikush me të drejtë mund të thotë, pse duhet ky prezantim. Kjo është e mirë për të kuptuar rolin që ka Ministria e Energjisë dhe Industrisë, kompleksitetin e gjërave që ka për të zgjidhur, dhe njëkohësisht misionet që kanë secila prej këtyre strukturave që bënë prezantimin. Misione në fakt, të rëndësishme për të përmbushur të gjitha ato objektiva që ka Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Ministria është shumë komplekse, mbulon sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë dhe ka një volum pune, e cila jo përnjëherë e jep rezultatin të dukshëm, ashtu siç me të drejtë e presin njerëzit. Situata nuk është gjetur e mirë, sidomos sektori eleketroenergjetik ka qenë në një krizë totale. Sektorët e tjerë si nafta dhe industria minerare kanë qenë në mungesë të plotë transparence, dhe shpesh me akuza të rënda për mënyrën se si janë menaxhuar. Por, edhe ky vit mjafton për të treguar disa elementë për të cilat unë nuk dua të zgjatem dhe ti përsëris pasi mjaftojnë 2-3 shifra. Përmirësimi, kryesisht në tatime ka ardhur si rezultat i sektorit të hidrokarbureve dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Megjithëse vendi parashikohej të përballej një krizë të vështirë energjetike, në momentin kur morëm qeverisjen, kaluam një situatë jo pa kosto dhe duhet ta themi se me një mirëmenaxhim siguruam furnizimin me energji elektrike për gjithë popullatën.

Zgjidhëm një problem shumë të rëndësishëm siç ishte konflikti i hapur me shoqërinë CEZ, zgjidhje e cila i hapi derën investimeve aq të munguara në këtë sektor. Jemi duke negociuar një paketë të rëndësishme financiare prej 150 milion dollarësh me Bankën Botërore, programi më i madh që do të zhvillohet ndonjëherë për energjinë elektrike në Shqipëri. Kjo, do të pasohet edhe me oferta të tjera e negocime që po bëjmë, paketa ta tjera mbështetje financiare nga BERZH-i dhe nga kfW, në mënyrë që sektori elektroenergjetik të marrë investimet e nevojshme.

Dua të shkoj edhe më tej, për detyrat e vështira që na presin dhe është mirë që publiku ti dijë. Po e fillojmë me sektorin elektroenergjetik. Është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, po e themi nuk kemi çfarë fshehim këtu, do të dojë të paktën 4 deri në 5 vjet që të fillojë të kthehet në një sektor fitimprurës. Detyrimet e borxheve janë shumë të mëdha, dëmet që i janë bërë këtij sektori janë të jashtëzakonshme, me privatizime HEC-esh shtetërore në mënyrë të pamenduar mirë, gjë që kanë rritur koston e energjisë. E ka kthyer këtë në një presion të vazhdueshëm mbi koston e energjisë dhe tarifat mbi publikun shqiptar. Ky është realitet i zymtë që e kemi trashëguar nga ish qeverisja. Nga ana tjetër, sektori ka pasur nevojë imediate për investime. Unë e thashë se në këto vite do të bëhen këto investime, por do duan kohën e tyre të japin rezultatin.

300 ditet e energjise dhe industrise 2Është shumë e rëndësishme që ne të shkojmë me një plan të qartë të reduktimit të humbjeve në sektorin e shpërndarjes. Me një plan shumë agresiv, i cili do të shoqërohet me investime dhe njëkohësisht më target shumë të qartë dhe me një mirëmenaxhim të kompanisë, që tashmë në duar plotësisht të shtetit do të japë rezultate më të forta. Por, kjo nuk varet vetëm nga menaxhimi, do të varet edhe nga masa të tjera që qeveria shqiptare i ka marrë dhe po i merr. Këtu përfshihen edhe ndryshimet që do të ndodhin shumë shpejt në Kodin Penal, ku vjedhësi i energjisë të shkojë në burg dhe nuk ka më me gjobë; ku institucionet publike të paguajnë energjinë si gjënë më të rëndësishme dhe të parë.

Energjia është një mall që duhet paguar, duhet ta paguajnë të gjithë. Është një mall shumë i rëndësishëm, gjë që mund të cënojë edhe sigurinë kombëtare të këtij vendi, në qoftë se sistemi nuk do të kthehet në një balancë të plotë energjetike. Duhet të kuptojmë që vetëm një sektor likuid, pra i mirë nga ana financiare, mund të japë mundësinë për gjenerimin e investimeve private në këtë sektor.

Vendi ka nevojë për burime të reja, vendi ka nevojë që të ndërtohen HEC-e, të ndërtohen vepra të tjera energjetike por ato duhet të kenë garanci. Me të drejtë është krijuar një krizë shumë e madhe e të gjithë hidrocentraleve private për shkak të keqperformimit në sektor, për shkak të humbjeve të mëdha, për shkak të mungesës së likuiditetit dhe mos reflektimit të këtyre tarifave në asnjë vend. Këtë e shkaktoi ish qeverisja, e cila i ra në kurriz të ardhmes, duke premtuar ‘hë se do ti lajmë’ dhe tanimë është krijuar një hendek i madh financiar që kërkon patjetër një përgjigje. Vetëm kthimi i likuiditetit në këtë sektor do të nxisë burimet e reja të energjisë, dhe për këtë po punojmë.

Shumë shpejt do të ecim përpara me ligjin e ri për energjinë, i cili do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit; do kalojmë ligjin për energjitë e rinovueshme dhe të gjitha këto do të jenë masa shumë të thella. Do të fillojmë do të parashikojnë liberalizimin e tregut, i cili është një proces i cili do të marrë disa vite, por të paktën të synojmë që vitin tjetër të fillojmë hapat e parë të këtij liberalizimi. Duke menduar që një sektor, sidomos klientët industrialë, pak nga pak do të fillojnë do të dalin në tregun liberal të energjisë, duke i hequr barrën kompanive publike, duke i hequr barrën KESH-it, që ka vetëm një kaskadë e cila duhet të financojë të gjithë tariforët, por fatkeqësisht edhe vjedhësit e energjisë.

300 ditet e energjise dhe industrise 6Ky proces do të marrë kohën e tij, por jam i sigurt në krye të disa viteve do të krijojmë mundësi shumë të mira edhe për prodhuesit e energjisë, prodhuesit privatë të energjisë, që të gjejnë tregun e tyre. Njëkohësisht, të nxjerrë barrën e publikut pak nga pak dhe këtë sektor të fillojë ta nxjerrë sa më shumë të liberalizuar. Kjo është tendenca kudo në Evropë, kjo është edhe rruga që ne do të ndjekim. Duam të bëjmë një proces të mirëstrukturuar, që të mos goditen përnjëherë familjet dhe të mos goditet pjesa që është në nevojë. Ky proces do të kërkojë kohë, por jam i sigurtë që duke vazhduar me këtë intensitet dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare financiare, ne do t’ia dalim që në krye të disa viteve sektori të kthehet fitimprurës.

Dua të ndalem më tej tek hidrokarburet i cili është një sektor i cili po ecën me shpejtësi. Interesi për naftën shqiptare siç u tha këtu është shumë i madh. Prodhimi i naftës po rritet vit pas viti dhe unë besoj që në krye të disa viteve, me planet e zhvillimit që janë mbi tavolinë, Shqipëria do të kapë edhe rekordet historike të prodhimit të naftës. Interesi i rritur, për shkak edhe të zbulimeve të reja, na ka sjellë përballë një fakti se si do të veprojmë me ato fusha të mbetura të pazbuluara. Ministria ka bërë një program të qartë për të filluar procesin më transparent që ka ndodhur ndonjëherë me kontratat hidrokarbure, procesin e ankandit, për të negociuar terma më të mira në interes të publikut dhe për të garantuar një prodhim afatgjatë të naftës. Mbi të gjitha për të garantuar që shteti të marrë pjesën që i takon dhe jo siç janë bërë shpesh, kontrata hidrokarbure ku interesi shtetëror është nëpërkëmbur në favor të kompanive private.

Do ndalem më tej tek sektori i minierave. Na presin edhe aty reforma të rëndësishme, kemi përgatitur ligjin e ri minerar, pra ndryshimet ligjore, të cilat shpresoj që nesër do të miratohen në qeveri, për tu dërguar në Kuvend. Shpresojmë që brenda një periudhe 6 mujore ti japim fund edhe një pjese të kaosit në zonën D të Bulqizës, apo të të gjithë atyre lejeve me mbivendosje apo me të drejta kalimi, gjoja servituti, barrë të tjera që gjoja janë marrë me vendim gjykatash dhe që realisht kanë krijuar një kaos të tërë në të gjithë industrinë minerare.

300 ditet e energjise dhe industrise 3Këto janë reforma të thella dhe janë të domosdoshme. Sektori minerar nuk mund të mbetet më peng i fragmentimit, por kërkon investitorë seriozë dhe ne po punojmë së bashku me koncesionarët e rëndësishëm të fushave të minierave, që prodhimi i tyre të rritet, investimet e tyre të garantohen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe është një fakt i vërtetë që për shkak të ushtrimit të trysnisë dhe të kontrollit u bë e mundur që ato premtime për hapjen e pusit 9, apo për zhvillimin e mëtejshëm të minierës së Bulqizës të bëheshin realitet vetëm me këtë qeveri, për shkak të ushtrimit të trysnisë së duhur për të mbrojtur interesin publik. Diçka e tillë vitet e kaluara nuk kishte ndodhur dhe ju këtu jeni dëshmitarë që asnjëherë nuk e ka vrarë njeri mendjen për këtë.

Unë them ajo çka kaloi ishte momenti i përballjes me të vërtetën, pra përtej asaj ëndrrës, intoksikimit për superfuqi energjetike, apo një vendi që zhvillohet me shpejtësi, ne gjetëm një sektor që duhej përballur. Morëm masa të forta, rezultatet nuk janë të shpejta. megjithëse disa nga këto arritje kanë shtruar rrugën për suksesin e mëtejshëm.

Suksesi nuk është i garantuar asnjëherë, suksesi kërkon punën e gjithsecilit dhe angazhimin e gjithë qeverisë, jo vetëm të Ministrisë. Sidomos në sektorin elektroenergjetik duhet të arrijmë ato rezultate për ta kthyer këtë sektor nga një barrë për buxhetin siç e kemi sot, në një sektor fitimprurës që te gjenerojë investime dhe të mirëshfrytëzojë ato burime potenciale ujore që ka Shqipëria.

Faleminderit të gjithëve!