Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC-i i ri nuk do ndërtohet deri në 2020

Kosova do të blejë energji elektrike nga vendet e rajonit edhe për më së paku 6 vjetët e ardhshme, për shkak se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” nuk mund të fillojë brenda dy viteve, ndërsa ndërtimi i një termocentrali më së paku zgjat pesë vjet.

Kështu shprehen ekspertët e çështjeve të energjetikës në Prishtinë pas shtyrjes së afatit për dorëzimin e ofertave nga investitorët që bëri Komiteti drejtues i projektit Termocentrali “Kosova e re”.

Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë në kohën kur ka filluar projekti në vitin 2006, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet dhe devijimet e shpeshta që i janë bërë projektit të termocentralit e kanë kthyer atë në pikën zero.

“Që nga viti 2007 sektori i energjetikës në Kosovë ka pësuar degradim total, një projekt i cili ishte para finalizimit e kemi kthyer në pikën zero. Për konceptin tim ky projekt ka dështuar, kjo qeveri dhe komitetit drejtues i këtij projekti e dështoi projektin e ngufati edhe sektorin ekonomik. Nuk mund të ketë progres ekonomik duke mos pasur për t’i furnizuar me energji elektrike investitorët vendor dhe ndërkombëtarë”, vlerëson Çeku.

Termocentrali Kosova e Re është një projekt i cili ka filluar vite më parë dhe është përcjell deri më tani nga 4 ministra.

Ky projekt kishe pësuar ndryshime vit pas viti, duke u bërë ndarja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re.

Sipas kësaj pakete termocentrali Kosova e Re, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh.

Revista Monitor, 29.07.2014