Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et kërkojnë paratë e KESH

Vetëm gjatë muajit Korrik, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë afërsisht 20 urdhra ekzekutimi ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, që rrjedhin nga detyrimet e papaguara kundrejt subjekteve koncesionare të prodhimit të energjisë.

Kjo i jep shërbimit përmbarimor të drejtën për të bllokuar llogaritë e KESH deri në shlyerjen e detyrimeve kundrejt këtyre palëve. Që vitin e kaluar, edhe faturat e prodhuesve të energjisë u klasifikuan si tituj ekzekutiv, që në rast mospagese mblidhen nga shërbimi përmbarimor, kundrejt një urdhëri të gjykatës. Për shkak të ngërçit të pagesave, HEC-et e vegjël po shfrytëzojnë të drejtën që ju jep ligji për të kërkuar nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit. Për shembull, subjekti më i madh koncesionar, “Energji Ashta”, për periudhën Shkurt-Maj 2014, duhet të marrë nga KESH 1.16 milionë euro për energjinë e prodhuar.

Ky skenar e bën akoma më delikate gjendjen e KESH dhe problemin e pagesave në zinxhirin e tregut energjitik në Shqipëri. Pavarësisht nëse paguhet apo jo nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, KESH tashmë duhet t’i paguajë detyrimisht faturat e furnizimit me energji nga hidrocentralet. Kjo gjendje rrit presionin mbi qeverinë shqiptare, që në çdo rast duhet të mbushë gropën në llogaritë e KESH. E vetmja mënyrë për të rregulluar tregun do të ishte ulja e nivelit të humbjeve të energjisë në shërndarje. E thënë thjesht: qytetarët duhet të paguajnë energjinë, që OSHEE të paguajë KESH, dhe më pas KESH të paguajë prodhuesit e vegjël.

Por, mbyllja e ciklit duket shumë e vështirë, duke pasur parasysh që niveli i humbjeve në rrjet vazhdon të jetë në nivele shumë të larta, mbi 40%. Në pamundësi për të ulur humbjet në një kohë të shpejtë, qeveria po kërkon zgjidhje te liberalizimi i tregut të energjisë. Së shpejti, HEC-eve do t’ju lejohet ta shesin energjinë drejtpërsëdrejti te subjekte përdoruese private, pa e kaluar automatikisht në KESH.

Qëllimi i kësaj mase është heqja e barrës që ka KESH për të blerë detyrimisht energjinë e prodhuar, madje me një çmim më të lartë se ai i tregut. Kjo masë u vendos në kohën e qeverisjes së kaluar, për të nxitur investimet në HEC-e, por tashmë po kthehet në bumerang, duke qënë se KESH nuk ka mundësi të paguajë për energjinë e prodhuar. Ndërhyrja me këtë qëllim është e pashmangshme, tashmë që gjykata kanë nxjerrë urdhër ekzekutimet dhe përmbaruesit janë të justifikuar.

Scan TV, 28.07.2014