Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Gjyqin me çekët nuk e fitonim

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri e ka cilësuar marrëveshjen e arritur me kompaninë çeke CEZ si më të mirën të mundshmen ndaj vendit, duke pasur parasysh situatën në të cilën e la konfliktin me këtë kompani qeveria paraardhëse. Duke folur në komisionin e ekonomisë dhe financave, Gjiknuri deklaroi se konflikti mes CEZ shpërndarja dhe qeverisë shqiptare vetëm sa do të zhyste edhe më tej në krizë sistemin energjetik shqiptar, ndërsa sipas tij qeveria shqiptare nuk kishte shanse për ta fituar gjyqin në Arbitrazh, ku e kishin çuar çështjen çekët.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për faktorin shqiptar. Kjo marrëveshje ishte e njohur për publikun dhe zgjidhja e këtij konflikti do i jap fund shumë problemeve. Sektori i energjetikës u gjet në një gjendje skandaloze me një humbje deri në 46 për qind, e cila do të çonte në kolaps. Mbajtja hapur e konfliktit legal me CEZ, procesi do donte të paktën 5 deri në 6 vjet, çka do të thoshte se sektori energjetik do rrinte me sistem të ngrirë”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se e kishte çuar deri në pikën ekstreme këtë konflikt, duke lënë pa paguar zyrën avokatore që mbronte shtetin në çështjen me CEZ, ndërsa nuk kursente asgjë për të paguar lobistët e tij ‘Patton Bogs’.

Duke folur për të njëjtin rast, ministri i Financave Shkëlqim Cani ka saktësuar se, e gjithë marrëveshja me CEZ është mbyllur për shumën 87.1 milionë euro.

“Shlyerja e detyrimit nga shteti shqiptar do të bëhet në 4 vjet. Në fund të 4 viteve, duke përfshirë dhe interesin, do t’i kemi paguar CEZ 90 milionë euro”, ka thënë Cani.

Cani gjithashtu foli për një reformë tërësore dhe të dhimbshme të sistemit energjetik i cili sipas tij në gjendjen ku ndodhet po kërcënon seriozisht financat e shtetit.

Gazeta Shqip, 29.07.2014