Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Central me gaz natyror

Trenat që kalojnë përmes Virxhinias rurale nuk transportojnë më qymyr në centralin Bremo. Transportuesi i qymyrit në fabrikë së shpejti do të çmontohet. Greg Searcy, menaxher i centralit, thotë se plani është për ta kthyer zonën e vjetër të magazinimit të qymyrit në një fushë me bar.

“Zona këtu është vendi ku mbanim sasinë e qymyrit, e mjaftueshme për 60 ditë për centralin.”

Centrali Bremos tani funksionon me gaz natyror. Projekti i konvertimit që kushtoi 53 milion dollarë, u ndërmorr pjesërisht për t’iu përgjigjur rregullave ekzistuese të mjedisit.

Centrali përdor avull me presion të lartë për turbinat elektromagnetike që prodhojnë energji.

Djegia e gazit natyror në vend të qymyrit për të kthyer ujin në avull pakëson me 40 për qind dioksidin e karbonit që çlirohet në atmosferë, të cilin shumë shkencëtarë e fajësojnë për ngrohjen globale.

Ed Bain, nënpresidenti i kompanisë Dominion Power për prodhimin e energjisë, thotë se konvertimi i cetralit në gaz ishte pjesë e planit të biznesit afatgjatë të kompanisë.

“Kompania ka qenë gjithmonë përkrahëse e përdorimit të burimeve të ndryshme për prodhimin e energjisë. Mund të jetë qymyr, gaz natyror, energji bërthamore, e të tjera, por ne duam të sigurohemi se po bëjmë atë që është e drejtë për t’i mbajtur çmimet e ulta për klientët tanë, për të përmirësuar shërbimin dhe për të mbrojtur mjedisin.”

Zoti Bain thotë se pjesërisht, ngaqë Dominion e konvertoi centralin në gaz, ligjvënësit e shtetit i kanë dhënë kompanisë të drejtën për të ndërtuar një fabrikë për të djegur qymyr diku tjetër.

Elgie Holstein, me organizatën Environmental Defense Fund thotë se nuk është një qëllim realist për të ndaluar plotësisht qymyrin. Është një burim energjie relativisht i lirë dhe i bollshëm. Por ai thotë se fabrikat e reja të qymyrit do të jenë më të pakta dhe më të pastra.

“Centralët e rinj me qymyr që janë duke u ndërtuar në Amerikë sot janë shumë, shumë më pak të dëmshëm se sa ato të 40-50 vjetëve më parë. Megjithatë, cetralet e rinj do të jenë shumë më të kufizuar, sepse gazi natyror është shumë i lirë në çmim.”

Disa kritikë kanë shprehur shqetësim se rregullat e reja mund të rrisin çmimin e energjisë. Por firma Dominion dhe shumë kompani të tjera energjitike amerikane thonë se ato duan të mbrojnë mjedisin dhe kanë nevojë për rregulla në mënyrë që të investojnë në teknologji të gjelbra që janë edhe fitimprurëse dhe të përballueshme përsa i përket çmimit për konsumatorët.

Zëri i Amerikës, 24.07.2014