Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveri-CEZ, si ndahen borxhet dhe përfitimet

Zbardhet marrëveshja e plotë mes qeverisë shqiptare dhe çekëve të kompanisë CEZ, që do të marri nga buxheti i shtetit 95 milionë euro nga prishja e kontratës së menaxhimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në vendin tonë. Në marrëveshjen që pritet të miratohet së shpejti në kuvend përveç detajeve të marrëveshjes mësohet edhe fakti se çekët pas 4 vjet administrimi të sistemit të shpërdarjes së energjisë në Shqipëri jo vetëm nuk kanë investuar sipas kontratës por e kanë zhytur këtë sistem në kolaps. Çekët e CEZ e lanë kompaninë e Shpërndarjes së energjisë elektrike me vlerë negative tregu. Lajmi zbulohet nga një dokument zyrtar i qeverisë, përkatësisht në relacionin, i cili shoqëron marrëveshjen e mirëkuptimit, që ajo nënshkroi me CEZ, duke i dhënë fund konfliktit. Kjo kompani rezulton me vlerë tregtare negative, shuma e të gjitha aseteve të saj, të vlerësuara sipas tregut, nuk mbulon as borxhet që ajo ka ndaj të tjerëve. Kjo do të thotë se shpërndarja e energjisë, hallka më e rëndësishme e të gjithë sistemit energjitik, aktualisht është e falimentuar.

Sërish qeveria pagoi 95 milionë euro te çekët për ta marrë atë mbrapsht në pronësi shtetërore. Një shumë që, siç zbulohet në relacion, buron nga kreditë që kompania ka marrë nga donatorët, apo bankat tregtare, por edhe detyrimet që ajo kishte ndaj shoqërive satelitë të saj, si “CEZ Albania”, apo “CEZ Trade Aba- nia”. Qeveria thotë se ka gati një paketë investimesh me 200 milionë dollarë për 4 vitet e ardhshme, që do të financohet nga kreditë e donatorëve, si Banka Botërore, apo dhe institucione të tjera. Por, rimëkëmbja e kompanisë së falimentuar të Shpërndarjes, veç investimeve dhe kapitaleve të reja, do të kërkojë mbi të gjitha përmirësimin e treguesve, që ishin dhe shkaku se pse kapitali i saj shkoi negativ.

Neglizhenca

Mosveprimi në kohë nga ana e institucioneve shqiptare në lidhje me këtë konflikt, si në aspektin e vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., ashtu dhe në fillimin e procedurave të shpronësimit të këtyre aksioneve kundrejt një shpërblimi të drejtë, dobësoi seriozisht pozitën e shtetit shqiptar dhe dëmtoi të drejtat dhe interesat ekonomikë në këtë proces arbitrazhi. Edhe nga ana e studios avokatore Derains & Gharavi, të kontraktuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Eengjergjitikës (sot Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes), për përfaqësimin e shtetit shqiptar në procesin e arbitrazhit ndërkombëtar të iniciuar nga shoqëria CEZ është kërkuar një angazhim dhe veprim i shpejtë. Kjo për të caktuar një ekspert ose shoqëri ekonomiko-financiare për përcaktimin e aseteve të të licencuarit, për efekt arbitrazhi dheshpronësimi njëherazi, në zbatim të ligjit nr.9072 për sektorin e energjisë elektrike (pas heqjes së licencave shoqërisë CEZ dhe vënien e shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., në administrim të përkohshëm); për të caktuar një ekspert ose shoqëri për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë. Kjo do t’i shërbente objektivit të paraqitjes së menjëhershme të padisë nga shteti shqiptar në kuadër të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, bazuar në procedurat e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Procedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjes

Fillimi i procedurës së negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mirëkuptim u diktua gjithashtu edhe nga kostoja e lartë që mbarte procesi i ndjekjes së procedurave të arbitrazhit. Sipas opinioneve të studios ligjore të kontraktuar për ndjekjen e procedurave të arbitrazhit, deri në dhënien e një vendimi final për të dyja paditë, përfshirë dhe padinë e mundshme të palës shqiptare, do të kërkonte një kohë nga 4-6 vjet dhe një kosto potenciale ligjore në disa milionë euro. Kjo periudhë në kushtet e mosshpronësimit të aseteve do të kërkonte dhe një ngrirje të të gjithë regjimit rregullator të sektorit të shpërndarjes, pasi çdo ndryshim i këtij kuadri ndikonte në përkeqësimin e pozitës së Shqipërisë duke ndikuar në favor të palës çeke. Pikërisht kuadri rregullator përbënte një nga pretendimet e forta të palës çeke në padinë e saj ndaj shtetit shqiptar.

Periudha e arbitrazhit do të diktonte dhe një gjendje pasigurie juridike në shoqërinë e shpërndarjes, si rrjedhim, frenimin e shoqërisë së shpërndarjes për të dalë në tregun financiar më qëllim investimet në sektor, duke garantuar një kolaps absolut operacional dhe financiar. Në bazë të rregullave, palët mund të kërkojnë pezullimin e procesit të arbitrazhit dhe nisjen e bisedimeve për zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit, duke shmangur në këtë mënyrë kostot e procedurave të arbitrazhit. Për këtë qëllim, duke marrë në konsideratë interesin mjaft të lartë ekonomik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, kompleksitetin e marrëdhënieve dhe të mosmarrëveshjeve midis shtetit dhe shoqërisë CEZ, një pjesë e të cilave u përmend shkurtimisht më lart. Pas kërkesës së institucioneve ndërkombëtare financiare për gjetjen e një zgjidhjeje me mirëkuptim të mosmarrëveshjes së shtetit shqiptar me shoqërinë CEZ a.s. me qëllim lëvrimin e fondeve të nevojshme për rimëkëmbjen e sektorit. Qeveria gjykoi të nevojshme nxjerrjen e një vendimi nga Këshilli i Ministrave, si organi kompetent i ngarkuar me ligj për të autorizuar fillimin e negociatave me shoqërinë CEZ, si dhe për ngritjen e grupit të punës. Këto negociata u zhvilluan për një periudhë 6-mujore në zyrat e sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, në praninë e zëvendëskryetarit, Dirk Buschle, i cili u përfshi në procesin e negociatave, në rolin e mediatorit.

Cani: Marrëveshja me CEZ, zgjidhja më e mirë

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka shpjeguar përfitimet e qeverisw shqiptare nga zgjidhja me marrëveshje e konfliktit me çekët e CEZ Shpërndarje. “Kjo është një marrëveshje që sipas gjykimit tonë është më e mira e mundshme që mund të bënte qeveria. Po e ndaj pak, edhe pse s’më pyetët, me atë që opozita dhe më konkretisht ishkryeministri po mundohet që të shpërndajë një terr në publik: se kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë, se nuk duhej ndarë në mënyrë miqësore sepse me demek kjo çështje mund të fitohej lirshëm në arbitrazh, etj. Nëqoftëse ne kemi qenë në pozita kaq të favorshme, mund të më thoni pse nuk e hodhi një gjyq, në arbitrazh, ajo qeveri, por na hodhën ata ne në arbitrazh?

D.m.th. të jem një pozita të favorshme ndaj jush dhe të mos ju hedh në gjyq por të hidhni ju në pozita të disfavorshme? Ka një paradoks që kur ndërtohet. Për sqarim shuma nuk është 95 milionë euro, por është 87 milionë euro, por sa më vonë të më paguash, doemos do mbartësh interesin. Një bankë kur të jep një kredi ti jep paratë sot, por doemos do të kërkojë shumë më tepër pas 4 viteve dhe kjo është arsyeja pse do paguajmë më shumë se 87 milionë euro. Tani ku do gjenden paratë? Paratë do gjenden nga CEZ-i i cili do marri një emër të ri dikur. CEZ-i do të mbledhi paratë dhe CEZ-i nuk mund të veprojë ose siç ka vepruar deri tani. Duhet riformatuar totalisht. Unë nuk kam hezituar ta quaj një reformë të dhimbshme, edhe pse për atë kohë u keqkuptua sepse u lidh me rritjen e çmimit. Reforma është e dhimbshme dhe kur është e thellë, sepse reformë e thellë nënkupton operacionin. Ky operacion nuk është i lehtë në vetvete, është kompleks dhe kap tërësinë e sistemit energjetik. Pothuajse u bë e përjavshme që ne takohemi për këtë reformë, për ta formatuar sa më mirë, jo vetëm brenda nesh, por dhe me institucionet ndërkombëtare për të qenë sa më mirë organizuar. Prek aspekte nga më të përgjithshmet, prek: CEZ, ERE, KESH, prek eficiencën e përdoruesve, deri në gjërat më të thjeshta.

P.sh. do supozojmë që ne do të lejojmë çdo lloj pajisjeje elektrike që të hyjë në Shqipëri apo ato që janë më eficiente dhe ato që nuk përmbushin një standard ti largojmë? Doemos do ti largojmë. Tani le të përqendrohem tek CEZ-i. Me çfarë do t’i paguajë CEZ këto para? CEZ-i ka mjaft hapësira, ka çështje organizative, ka çështje sidomos të mbledhjes së parasë. Nuk mund të qëndrojmë më kështu siç jemi, që ju të paguani dhe unë të mos paguajë përjetë. Nëqoftë se ne duam të kalojmë që dhe bukën ta marrim kështu; që ju të paguani bukën, dhe unë ta grabis dhe për bukën që ju do të merrni të dyfishojmë çmimet, kjo nuk shkon. Kështu që këto të gjitha duhen bërë dhe Po, duhet shtrënguar dhe do i paguajë paratë. Unë nuk jam ministri përkatës që duhet ti shpall këto, ne kemi Ministrin e Energjisë që shumë shpejt do të dalë me strategjinë totale se si ne e shikojmë riformatimin e energjetikës në Shqipërisë”-shpjegoi Cani .

Detajet e marrëveshjes së mirëkuptimit

1. Shoqëria CEZ, a.s., do t’ia transferojë aksionet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS) falas (vlerë simbolike 1 euro),

2. CEZ Shpërndarje (aktualisht i administruar nga qeveria shqiptare) do t’i paguajë CEZ, a.s.-së (kompania çeke mëmë) shumën totale prej 87.1 milionë eurosh ose 94,9 milionë eurosh me interesa, shumë e cila do të paguhet në këste në periudhë kohore që shtrihet deri në vitin 2018.

Vlera e konkluduar përfaqëson një shumë të argumentuar dhe të provuar mbi bazën e kontratave dhe të faturave që CEZ, a.s.-ja, dhe shoqëritë e tjera të CEZ Group kanë pasur me CEZ Shpërndarje, sh.a.,- në. Konkretisht kjo vlerë nuk përfaqëson “kompensimin” e dëmeve ndaj shoqërisë CEZ, a.s., por detyrime të pastra kontraktore që kanë pasur të bëjnë me kontrata kredie apo kontrata furnizimi mallrash e shërbimesh, faturat e të cilave janë njohur dhe janë pranuar rregullisht nga CEZ Shpërndarje, sh.a.-ja, dhe madje edhe kanë vazhduar të paguhen në mënyrë të pjesshme edhe pas kalimit të shoqërisë në administrim të përkohshëm pas datës 23 janar 2014 deri në maj 2014. Aksionet e shoqërisë kalojnë falas duke mos njohur pretendimin e CEZ, a.s.-së, për vlerën fillestare të privatizimit prej 102 milionë eurosh si dhe vlera e rivlerësuar prej rreth 11 milionë eurosh, për faktin se shoqëria CEZ Shpërndarje, edhe sipas vlerësimeve të auditeve të pavaruara ka një vlerë tregtare negative.

Termat financiarë të zgjidhjes së kontratës me çekët

Në një lidhje të veçantë të marrëveshjes mes cekeve dhe qeverisë shqiptare janë detajuar detyrimet financiare, të cilat janë grupuar në gjashtë pika kyçe. 1. Shuma prej 36.9 milionë eurosh përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja (Korporata Financiare Ndërkombëtare) mbi bazën e kontratave të lidhura nga CEZ Shpërndarje në periudhën 30 qershor 2011 dhe 1 korrik 2011. 2. Shuma prej 17.4 milionë eurosh përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje Over- draft (Kredi me interes të lartë që s ka nevojë për garanci) me banka të nivelit të dytë në Shqipëri.

3. Shuma prej 1 milion eurosh përfaqëson vlerën e huasë që CEZ a.s.-ja, i ka dhënë CEZ Shpërndarje, sh.a.-së, në bazë të marrëveshjes së lehtësimit të huasë nr.2012/3, ndërmjet CEZ Shpërndarje dhe CEZ në 1 qershor 2012, amenduar me amendamentin nr.1, datë 26 nëntor 2012.

4. Shuma prej 600 mijë eurosh përfaqëson vlerën e detyrimit të CEZ Shpërndarje ndaj shoqërisë CEZ Logistika Rumani për furnizimin e transformatorëve sipas parashikimeve të kontratës së blerjes, me 19 tetor 2011, për furnizimin e transformatorëve të shpërndarjes. 5. Shuma prej 25.1 milionë eurosh përfaqëson detyrimet e CEZ Shpërndarje ndaj shoqërisë CEZ, a.s., dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes. 6. Shumat prej 6.1 milionë eurosh dhe 528 mijë eurosh përfaqësojnë detyrimet që CEZ Shpërndarje i ka pasur shoqërisë CEZ Albania, tashmë e njohur me emrin Share Services Albania për shërbimet e ofruara në vazhdimësi sipas marrëveshjeve përkatëse të nënshkruaraduke filluar nga viti 2009.

Investimet në rrjetin e shpërndarjes

Miratimi i marrëveshjes së mirëkuptimit dhe zgjidhja e statusit juridik të shoqërisë CEZ Shpërndarje që vazhdon të funksionojë në një situatë të paqartë juridike e cila vështirëson veprimtarinë e saj, besojmë se do t’u hapë rrugë investiswmeve nga ana e Bankës Botërore, BERZHit, KFË-së dhe IFC-së. Kwto institucione financiare mirëprisnin zgjidhjen me mirëkuptim të kësaj çështjeje përpara se të investojnë në sektorin e shpërndarjes. Sipas diskutimeve të deritanishme, zgjidhja me mirëkuptim hapi rrugën që këto institucione financiare të parashikojnë një paketë investimesh në sektorin e energjisë, prej rreth 200 milionë USD-sh, që do të disbursohet në 4 vite.

Përfundimi me sukses i negociimit dhe arritja e marrëveshjes për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjes kanë një rëndësi të veçantë për Republikën e Shqipërisë në disa aspekte: I) Për sektorin e energjisë elektrike siç vihet në dukje në progresraportin e Bashkimit Evropian të tetorit 2013; II)Për financat publike duke pasur parasysh impaktin negativ që do kishte një vendim arbitrazhi i disfavorshëm për Republikën e Shqipërisë; III) Për imazhin e Republikës së Shqipërisë si një mjedis i favorshëm për investimet e huaja.

Vendimi për negociim

Vendimi nr.969, i datës 25 tetor 2013, i Këshillit të Ministrave, parashikon se pas përfundimit të negocimit, marrëveshja e mundshme, që do të dalë nga ky proces negocimi, do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave. Gjithashtu, duke qenë se marrëveshja e mirëkuptimit parashikon transferimin e 76 për qind të aksioneve nga CEZ, a.s.-ja te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, miratimi i saj duhet të bëhet me ligj, pasi ka implikime direkte me detyrimet e parashikuara në ligjin nr.10116, datë 23.4.2009, i cili ka miratuar kontratën e shitjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH shoqërisë CEZ, a.s.

Për më tepër, kjo marrëveshje parashikon edhe detyrimin e CEZ, a.s.-së për të hequr dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm për rimbursime të TVSH-së dhe detyrime të tjera financiare. Gjithashtu, projektligji ngarkon Këshillin e Ministrave për ristrukturimin e shoqërisë së shpërndarjes nisur nga fakti se statusi aktual i administrimit të përkohshëm të shoqërisë nën mbikëqyrjen e ERE-s, si një instrument ligjor i përkohshëm, krijoi një boshllëk të madh në drejtimin, llogaridhënien dhe mirëadministrimin e saj. Autoriteti i ERE-s me funksione rregullatore të mirëpërcaktuara në ligj, nuk mund të zëvendësonte autoritetin e shtetit apo të aksionarëve në drejtimin dhe menaxhimin e shoqërisë duke e vënë këtë institucion në një pozitë të paqartë juridike në raport edhe me pjesëtarët e tjerë të tregut.Vendosja në administrim të përkohshëm e kompanisë së shpërndarjes, si një sektor strategjik, lejonte operimin e aseteve vetëm për të garantuar vazhdimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Gjatë këtij administrimi, duke mos pasur zotërimin e aksioneve të shoqërisë, u ndalua kryerja e investimeve, faktor i cili rëndoi gjendjen teknike të rrjetit të shpërndarjes, përkeqësimin e gjendjes financiare dhe, për rrjedhojë, cilësinë e furnizimit me energji të konsumatorëve. Me rikthimin e aksioneve të zotëruara nga CEZ, a.s.-ja, pronësia e shpërndarjes tashmë kalon 100 pwr qind shtetërore, duke krijuar mundësitë e organizimit normal të mirëfunksionimit ligjor dhe tekniko – ekonomik të kompanisë.

Gazeta Shekulli, 22.07.2014