Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ falimentoi sistemin energjitik

Pas rreth 4 vitesh nën administrimin e tyre, çekët e CEZ e lanë kompaninë e Shpërndarjes së energjisë elektrike me vlerë negative tregu.

Lajmi zbulohet nga një dokument zyrtar i qeverisë, përkatësisht në relacionin, i cili shoqëron marrëveshjen e mirëkuptimit, që ajo nënshkroi me CEZ, duke i dhënë fund konfliktit.

Ndonëse në dokument, qeveria nuk e ka bërë publike se sa është vlera tregtare e kompanisë së Shpërndarjes, fakti që ajo ka rezultuar negative dëshmon se si u menaxhua kompania nga çekët në 4 vitet e tyre të qëndrimit në Shqipëri.

Kur një kompani rezulton me vlerë tregtare negative, shuma e të gjitha aseteve të saj, të vlerësuara sipas tregut, nuk mbulon as borxhet që ajo ka ndaj të tjerëve. Kjo do të thotë se Shpërndarja e energjisë, hallka më e rëndësishme e të gjithë sistemit energjitik, aktualisht është e falimentuar.

Sërish qeveria pagoi 95 milionë euro te çekët për ta marrë atë mbrapsht në pronësi shtetërore. Një shumë që, siç zbulohet në relacion, buron nga kreditë që kompania ka marrë nga donatorët, apo bankat tregtare, por edhe detyrimet që ajo kishte ndaj shoqërive satelitë të saj, si “CEZ Albania”, apo “CEZ Trade Abania”.

Qeveria thotë se ka gati një paketë investimesh me 200 milionë dollarë për 4 vitet e ardhshme, që do të financohet nga kreditë e donatorëve, si Banka Botërore, apo dhe institucione të tjera. Por, rimëkëmbja e kompanisë së falimentuar të Shpërndarjes, veç investimeve dhe kapitaleve të reja, do të kërkojë mbi të gjitha përmirësimin e treguesve, që ishin dhe shkaku se pse kapitali i saj shkoi negativ.

Top Channel, 21.07.2014