Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Roli i energjisë diellore në nevojat globale

Prej dekadash, energjia diellore ka qenë një burim i kushtueshëm dhe jo shumë praktik energjie, por tani ekspertët thonë se kjo situatë po ndryshon. Teknologjia e re ka përmirësuar jo vetëm efikasitetin dhe koston e paneleve diellore, por në disa shtete rritja e çmimit të burimeve të tjera energjetike e ka bërë energjinë diellore një alternativë me interes. Në vazhdim një analizë që krahason energjinë diellore me burimet e tjera ekzistuese.

John Desmarteau priti dhjetë vjet për të instaluar panele diellore, por ky mjek në pension thotë se e konsideron si vendim të mirë. Ai thotë se panelet kanë ulur 85% nevojën për energji elektrike dhe kursejnë energji të barasvlefshme me 200 pemë.

“Faktikisht, gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti nuk kemi përdorur energji elektrike”.

Panelet me kapacitet 39 foto-volt të instaluara në çatinë e Desmarteaut prodhojnë tri herë më shumë energji se sa harxhon ai kur ajri i kondicionuar punon me kapacitet të plotë.

Kjo nuk është thjesht një alternativë më pozitive për mjedisin, por për disa konsumatorë ofron kursime të konsiderueshme. Teknologjia është ende në evoluim, por Mark Manthy i kompanisë AstrumSolar thotë se për konsumatorët po bëhet më i lehtë konvertimi në energji diellore:

“Në pjesën më të madhe të tregjeve aktualisht, sidomos në brigjet lindore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara mund të instalosh panele diellore në shtëpi pa paguar paradhënie. Mjafton të paguash një faturë mujore që është më e ulët se fatura për energjinë elektrike”.

“Në rastet më optimiste që kemi analizuar, të gjithë konsumatorët në jug-perëndim, në shtetet e Kalifornisë, Arizonës, Nju Meksikos, Kolorados dhe Jutas, do të shihnin përfitim brenda 10 vjetësh; po ashtu edhe 90% e konsumatorëve në brigjet qendrore të Atlantikut”.

Disa konsumatorëve nuk do t’u duhet të presin aq gjatë. Universiteti Amerikan në Uashington sapo ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare me kompaninë Duke Energy. Shefi i Financave për universitetin, Doug Kudravetz thotë se kursimet afat-gjata janë të konsiderueshme.

“Kemi provuar modele të ndryshme financiare dhe nëse rritet çmimi i energjisë konvencionale 5% në vit, do të kursejmë 14 milionë dollarë”.

Banka Barclays beson se energjia diellore përfaqëson një burim aq serioz konkurrent, sa që ka ulur vlerën e bonove të kompanive elektrike. Shoqata e këmbimit të aksioneve për kompanitë elektrike Instituti Elektrik Edison nuk pranoi të jepte komente. Por analisti Andrew Ricci beson se fuqia konkurrente e energjisë diellore është ekzagjeruar:

“Mendoj se industria e sheh si një pikë në kazanin e nevojave energjetike. Ndoshta do të ndryshojë, kohë më pas”.

Energjia diellore përfaqëson vetëm një fraksion të prodhimit energjetik global, por disa besojnë se ritmet e konvertimit do të ngrihen ndjeshëm, ndërkohë që ndryshimet klimatike nxisin konsumatorët dhe teknologjinë drejt burimeve të pastra dhe të ripërtëritshme energjetike.

Zëri i Amerikës, 21.07.2014