Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bejtja: kontroll impianteve të naftës

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Ilir Bejtja dha një intervistë për “Ora News” ku ju përgjigj shqetësimeve të banorëve për impiantet e përpunimit të naftës të ngritura në disa zona të vendit.

Duke ju referuar protestës së zhvilluar një ditë më parë në zonën e Lushnjes, Bejtja tha se banorët duhet të jenë plotësisht të sigurtë se nuk do të mund të zhvillohet asnjë aktivitet i cili do të cënojë standardet e sigurisë së shëndetit dhe mjedisit të zonës.

“Ajo do të mbetet një zonë bujqësore apo blegtorale siç ka qenë dhe ne do të shfrytëzojmë nëntokën atje ku kemi mundësi. Do të ngremë impiante përpunimi nëpërmjet biznesit privat atje ku kemi mundësi pa ndotur dhe pa dëmtuar sektorët e tjerë të zhvillimit të ekonomisë”, u shpreh z. Bejtja.

Zëvendës Ministri u shpreh se nëse dikush do të dojë të futet në këtë industri, duhet ta bëjë këtë sipas rregullave teknike që ne kemi apo edhe rregullave të tjera lidhur me mbrojtjen e mjedisit.

Duke u ndalur tek ligji i miratuar të enjten e kaluar në Kuvend për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nëprodukteve të tyre, Z.Bejtja sqaroi se ligji i ri trajton në mënyrë specifike për herë të parë termin impiante përpunuese dhe përcakton qartazi se cila janë reformat që këto duhet të kenë, mënyra sesi licencohen, kushtet teknike të cilat duhet të respektojnë, bazuar gjithmonë në terminologjinë e fundit, sepse është transpozuar edhe paketa e tretë e direktivës evropiane për energjinë, ku futen edhe këto.

Ligji i vjetër nuk e kishte detyrimin për pajisjen e këtyre impianteve me licencë ndaj kjo çoi në zhvillimin kaotik të këtyre bizneseve jashtë monitorimit të strukturave shtetërore. Ligji i ri krijon tanimë detyrimin që të gjitha impiantet të vihen nën mbikëqyrje dhe të kërkojnë certifikimin e shtetit nëse plotësojnë kriteret e kërkuara ligjore. Për ato impiante të cilat nuk do të mund ti përgjigjen kërkesave ligjore do të duhet të mbyllin aktivitetin e tyre.

“Penalitetet burojnë nga udhëzimet qe do të dalin për zbatimin e ligjit, udhëzimet përkatëse, të cilat do të zbatohen rregullisht nga IQT-ja dhe AKBN-ja. Po ashtu, licencimi dhe procedurat e dhënies së licencës totalisht do të mbikëqyren nga departamenti jonë për zhvillimin e politikave të hidrokarbureve në ministri. Kemi rritur rolin e qeverisë qendrore në kontrollin e këtyre bizneseve, jo në formën se si ato bëjnë biznes, jo në aspektin ekonomik të zhvillimit të biznesit, sa lekë fitojnë dhe sa lekë i paguajnë shtetit, por në rezultatet që ato japin qoftë nga pikëpamja e shfrytëzimit të burimeve natyrore, qoftë nga përfitimet sociale që duhet të ketë ajo industri e zhvilluar në terren, por qoftë edhe nga pikëpamja e ruajtjes së shëndetit të banorëve”, nënvizoi Z.Bejtja.

energjia.al 17.07.2014