Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Cilat parcela toke ndikohen nga TAP?

Përditësimi i regjistrit të tokës (kadastrës)

TAP ka nevojë për akses në korridorin e gazsjellësit, që është rreth 52 metra i gjerë në Greqi dhe në Shqipëri dhe midis rreth 22 apo 26 metra i gjerë në Itali.

Nëse një ngastër toke është brenda këtij korridori ose në sipërfaqen e territorit të identifikuar për ambientet e përhershme dhe të përkohshme të TAP-it (stacionet kompresorë, stacionet e valvulave të bllokimit, kampet e punëtorëve, etj.), kjo ngastër ka shumë gjasa të ndikohet nga TAP-i.

Si një nga hapat e para të procesit LEA, kontraktorët e TAP-it përditësojnë informacionin ekzistues mbi pronësinë dhe përdorimin e të gjithë parcelave të tokës të ndikuara nga projekti. Regjistrat e pronësisë dhe përdorimit të tokës, njihen si “kadastra”. Ky proces synon të krijojë një “hartë kadastrale” të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, të bazuar në anketimet dhe ekzaminimin e regjistrave ekzistues të tokës.

Gjatë këtyre hapave TAP-i duhet t’iu përgjigjet pyetjeve të mëposhtme:

1. Cilat parcela toke ndikohen nga TAP-i?
2. Ku është vendndodhja e tyre?
3. Cili e ka në pronësi dhe cili e përdor tokën?

Përditësimi kadastral është duke u kryer tashmë në Greqi dhe në Shqipëri dhe së shpejti planifikohet edhe fillimi i këtij përditësimi në Itali.

Kontraktorët e TAP-it në Shqipëri kanë mbledhur të gjithë informacionin e disponueshëm ligjor kadastral dhe të pronësisë mbi tokën. Ky informacion është regjistruar dhe informatizuar zyrtarisht, duke mundësuar kështu një pamje të plotë të përgjithshme të gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri.

Kufijtë dhe tiparet e pronës dhe të dhënat topografike, përfshirë dhe klasifikimin e kategorive të tokës, janë informatizuar gjithashtu, bazuar në ortofotot (një lloj i avancuar fotografimi ajror) e marra në vitin 2007 dhe më së fundmi të përditësuara me fotografimet e bëra në vitin 2013.

Duke qenë se informacioni ligjor mbi pronësinë e tokës në Shqipëri është më së shumti i papërditësuar, janë mbledhur edhe informacione joformale.

Hapi përfundimtar dhe qëllimi i përgjithshëm i këtij aktiviteti është krijimi i një kadastre uniform, sistematike dhe të përditësuar, e cila përmbledh masën dhe statusin e pronësisë të të gjitha pronave, në zonën e projektit TAP. Kjo kadastër duhet gjithashtu të jetë e pranuar dhe garantuar nga autoritetet shqiptare, dhe duhet të jetë hartuar përmes bashkëpunimit me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) në vend.

Aktualisht, kontraktorët e TAP-it po mbledhin informacion kadastral mbi pronarët dhe përdoruesit e tokave që jetojnë në komunitetet përgjatë rrugëve dytësore të planifikuara, të cilat duhet të ndërtohen për sheshet e ndërtimit.

energjia.al 17.07.2014