Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Arritjet e 300 ditëve

Fjala e Ministrit Gjiknuri në aktivitetin për 300 ditë qeverisje:

Të nderuar qytetarë!

Vlerësimi për seriozitetin e një qeverisje, nuk duket nga retorikat mbi premtimet dhe lista e dëshirave, por nga përballja me vendimet e vështira përpara situatave të vështira.

Pikërisht këtë gjetëm kur u kthjelluam nga intoksikimi i “superfuqisë energjetike” për tu përballur në fakt me një kufomë energjetike me 1.1 miliard dollar borxhe, në një sistem në kushtet e falimentimit total operacional dhe financiar.

Pikërisht, nisur nga kjo situate, detyra e parë e kësaj qeverie ishte sigurimi i furnizimit me energji. Këtë e bëmë me shumë sukses, sigurimin e furnizimit me energji elektrike në këtë vit. Ashtu siç i hapëm edhe dritën investimeve në sektorin e falimentuar të shpërndarjes. U përballëm me një situatë të pasigurisë juridike, të konfliktit të krijuar nga ish-qeveria dhe bëmë të mundur hapjen e dritës jeshile për mbi 200 milion dollarë investime nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Nisur nga rezultatet e mira të Task Forcës, dhe dëshirës së qartë të qeverisë shqiptare për të reduktuar humbjet dhe për të përmirësuar situatën në shpërndarje, kemi rezultate konkrete të një arkëtimi 30% më të lartë, si dhe të një reduktimi të humbjeve 6%. Rezultate të arritura në kushte shumë të vështira, pa investime dhe me një tranzicion qeverisës.

Nga ana tjetër, siguruam vazhdimin e projektit strategjik, linjën e interkonjeksionit me Kosovën, si dhe riaktivizuam projektin e linjës së jugut. Investime të rëndësishme për sigurinë energjetike dhe për infrastrukturën kritike të këtij vendi. Gjithashtu, me vendosmërinë tone, i dhamë fund “tregut të zi” të licencave, duke anuluar mbi 200 leje koncesionare dhe minerare për shkak të kushteve të pasigurta si dhe shkeljeve të njëanshme të detyrimeve ndaj shtetit.

Ushtruam kontroll të fortë mbi veprimtarinë minerare, duke i kushtuar vëmendje standardeve të jetës së minatorit dhe duke realizuar edhe investime për zgjerimin e sektorit minerar, siç janë zhvillimet shumë pozitive në sektorin minerar të kromit, duke hapur pusin numër 9, duke filluar punën për të, si dhe duke riaktivizuar të gjitha uzinat e rafinimit të kromit në atë vend.

ministrat ne raportimin per 300 ditet e para te qeverisjesPikërisht, për shkak të politikave qeveritare dhe masave fiskale, por edhe mirëmonitorimit të industrisë hidrokarbure, sidomos asaj nxjerrëse, kemi arritur të sigurojmë 45 milion dollarë më shumë për shtetin, pikërisht nga kjo industri. Kemi nxjerrë Albpetrolin nga kthetrat e korrupsionit, duke e kthyer në një menaxhim transparent e duke siguruar 11.2 milion dollarë më shumë në favor të shtetit në këto muaj.

Me synimin e qartë për të siguruar perspektivën e diversifikimit të energjisë, kemi bërë hapa konkretë, duke siguruar mbështetjen e Bashkimit Evropian për gazifikimin e vendit, me një projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Por, njëkohësisht kemi realizuar edhe marrëveshje me qeveri mike për të siguruar furnizimin me gaz afatgjatë me vlera ekonomike të favorshme, pikërisht në dobi të diversifikimit të sigurisë energjetike.

Nga ana tjetër, për shkak të punës së mirë të inspektimit të standardeve të naftës dhe të gazit, kemi një situatë më të përmirësuar, ndëshkim më të madh për abuzuesit dhe njëkohësisht transparencë për të gjithë subjektet e abuzuara, gjë që më përpara nuk kishte ndodhur.

Së fundi, dua të them se ky është fillim i një rruge të vështirë. Unë thashë, vlerësimi i një qeverisje duket nga vendimmarrja e vështirë. Kemi hyrë në një rrugë të vështirë, por e rëndësishme është që kemi marrë vendimin për të hyrë në një rrugë. Rruga është e gjatë dhe jam i sigurt se një qeveri me vizion të qartë dhe me vendosmëri për vendimmarrje, të cilat mund të kenë edhe kosto, do t’i kthejnë vendit prosperitetin e kërkuar, si dhe do ta kthejnë sektorin energjetik, në një sektor më të mirë për investime dhe njëkohësisht motori nxitës i ekonomisë shqiptare.

Ju faleminderit për mbështetjen që na keni dhënë.

Këtu mund të lexoni raportin e 300 ditëve të para të qeverisjes.

energjia.al 14.07.2014