Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Energjia e Qëndrueshme: Rruga për Prosperitet”

Në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë u zhvillua seminari me temë “Energjia e Qendrueshme: Rruga për Prosperitet në Shekullin XXI”, diskutim me John Hofmeister.

Hofmeister është Ish-President i Shell Oil Company dhe Akademik i Lartë për Çështje të Zhvillimit të Qendrueshëm në Institutin Global për Zhvillim të Qendrueshëm “Julie Ann Wrigley”, Universiteti Shtetëror i Arizonës, SHBA.

Gjatë diskutimit ishte i pranishëm edhe Ministri Gjiknuri, përfaqësues të institucioneve të varësisë që merren me fushën e energjisë dhe hidrokarbureve ashtu sikurse përfaqësues kompanish dhe organizatash joqeveritare.

Ministri Gjiknuri shprehu falenderimin e tij për pjesëmarrjen e z. Hofmeister në këtë diskutim duke nënvizuar se bashkëpunimi me Universitetin e Arizonës është diçka që duhet thelluar për të përfituar nga njohuritë dhe përvojat e zhvillimit të sektorit të energjisë dhe hidrokarbureve.

Në fjalën e tij, Z.Hofmeister vlerësoi se e ardhmja e energjisë mund të projektohet vetëm duke njohur dhe identifikuar rriskun e duke e menaxhuar situatën në mënyrën më të mirë.

Në gjykimin e tij duhet adresuar sa më parë çështja e likujditetit të sektorit energjitik duke rritur nivelin e pagesës së faturave të energjisë elektrike. “Nëse nuk ka para, nuk ka një system energjitik”, theksoi Z.Hofmeister.

Një tjetër drejtim me vlerë sipas tij është menaxhimi i burimeve ujore ashtu sikurse energjia solare dhe infrastruktura mbështetëse.

Duke u ndalur tek hidrokaburet, Z.Hofmeister tha se Shqipëria nuk duhet ta humbë rastin e gazit që kalon përmes projektit TAP pasi është një mundësi mjaft e mirë për ekonominë.

Në konkluzion, Z.Hofmeister ju referua disa shembujve që mund të ndjekë Shqipëria për zhvillimin e këtyre sektorëve ku përmendi Singaporin, Israelin dhe Hollandën.

“Shqipëria duhet të bëhet eksportuese e energjisë”, insistoi Z.Hofmeister.

John Hofmeister ështe një figurë udhëheqëse me ndikim në sferën e biznesit dhe të shoqërisë civile në sektorin e energjisë në SHBA. Si President i Shell Oil Company, z. Hofmeister mblodhi më shumë se 15,000 drejtues në biznes, politikë-bërës, drejtues të komuniteteve dhe akademikë për të diskutuar mbi zgjidhjet për sfida kritike në fushën e energjisë. Z. Hofmeister ka themeluar dhe drejton organizatën “Qytetarët për Energji të Arsyeshme”, e cila promovon zgjidhje të suksesshme për sigurinë dhe qendrueshmërinë në sektorin e energjisë.

Z. Hofmeister sjell një përvojë 35-vjeçare si anëtar i bordeve në kompani publike apo në institucione publike në SHBA, duke përfshirë, Këshillin e SHBA-ve për Sigurinë në Sektorin e Energjisë. Z. Hofmeister është aktualisht Akademik i Lartë për Çështje të Zhvillimit të Qendrueshëm në Institutin Global për Zhvillim të Qendrueshëm në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe jep mësim mbi zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare në fushën e energjisë.

energjia.al 11.07.2014