Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efiçienca e energjisë, investime dhe vende pune

Në Tiranë ka nisur seminari mbi eficiencën e energjisë në banesa. Dy ministrat e pranishëm, Eglantina Gjermeni e Zhvillimit të Turizmit dhe Damian Gjiknuri i Energjisë dhe Industrisë thanë se ka nisur një projekt që të përshtatet me standardet e kërkuara, me qëllim që qytetarët të kursejnë energjinë në banesat e tyre. Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Znj. Eglantina Gjermeni tha se “synimi ynë është jo vetëm të sigurojmë mbështetje me politikat sociale duke ofruar strehim për shtresat në nevojë, por edhe duke e garantuar këtë me kosto të ulët dhe komoditet optimal”.Ajo përmendi marrëveshjet e lidhura mes Entit Kombëtar të Banesave dhe katër bashkive; të Korcës, Fierit, Beratit dhe Lushnjës, për ndërtimin e banesave që do t’u vinë në ndihmë kategorive në nevojë, të projektuara njëkohësisht për të kursyer energjinë. Gjithashtu, Znj. Gjermeni foli edhe për projektin-pilot në Bashkinë e Lezhës, për rikonstruksionin e një objekti me katër kate në bashkëpronësi, i financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në vlerën e 14 milionë lekëve. Prej këtij projekti do të përfitojnë 24 familje, që parashikohet te shpenzojnë 50% më pak nga të ardhurat e tyre per energjinë.

Ndërsa ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se ka shumë rëndësi që në godinat në ndërtim të shfrytëzohet eficienca e energjisë, të zbutet konsumi kursyer. “Investimet për rritjen e efiçencës energjetike të banesave ekzistuese krijojnë vende pune dhe i japin shtysë ekonomisë. Investimet në fushën e efiçencës së energjisë përbëjnë një mundësi për të adresuar krizat financiare dhe ndryshimet klimaterike. Në përgjithësi, përshtatja e banesave për shfrytëzimin efiçent të energjisë sikundër dhe ndërtimi i shtëpive të reja duke shfrytëzuar teknologjitë për kursimin e energjisë përbën përfitim të dyfishtë në shëndetin dhe të ardhurat e familjeve. Përveç përmirësimit të kushteve klimaterike, vlerësohet se çdo familje mund të kursejë 200-1,000 euro/vit”, tha ai.

“Një nga mënyrat, që edhe kjo mund të ketë koston e saj që vërtet paguan në terma afatgjatë, është imponimi strikt i kodeve të tilla të banesave, imponimi i standardeve të tilla që fillojnë edhe ulin konsumin e energjisë elektrike. Pikërisht, ligji i ri që do të prezantohet nga përfaqësues të Ministrisë së Energjisë në këtë aktivitet, por edhe nga pjesëmarrës të tjerë, synon që të fillojë të imponojë disa standarde në këtë drejtim. Kjo është një sfidë. Nuk është që të bësh një ligj dhe automatikisht do të thotë zbatohet, përkundrazi kërkon edhe pjesëmarrjen e shtetit. Unë kur them shteti shpresoj edhe organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, donatorët të mund të krijojnë për herë të parë një fond që të bëjnë të mundur këtë makineri të fillojë të lëvizi, në mënyrë që të fillojnë të incentivohen këto iniciativa që kanë të bëjnë me standarde të tilla që ndikojnë në standarde më të mira përsa i përket efiçencës energjetike.

Ne, si Ministri jemi përpjekur kohët e fundit ta incentivojmë këtë fushë. Kemi promovuar politika të caktuara, programe të caktuara. Kemi filluar një program me KfW-në si dhe një program me Komisionin Evropian për efiçencën në godina”, tha Gjiknuri.

Qëllimi i seminarit është të ndërgjegjësojë aktorë të ndryshëm mbi përfitimet që ka biznesi, familjet, ekonomia dhe mjedisi nga banesat me efiçencë energjitike, si dhe të promovojë zgjerimin e efiçencës energjitike në ndërtimin e banesave të reja dhe rinovimin e ekzistueseve.

Revista Monitor, 07.07.2014