Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ankesat për energjinë

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, “CEZ Shpërndarje”, pretendon se, ka rritur numrin e zgjidhjes së ankesave të konsumatorëve.

Burime konfidenciale për TV SCAN nga ky institucion, shprehen se, vetëm gjatë vitit 2014 janë depozituar 36 mijë e 836 ankesa, nga të cilat 32 mijë e 513 të tilla kanë marrë zgjidhje, apo të paktën një përgjigje me shkrim nga ana e kompanisë së furnizimit me energji elektrike. CEZ pretendon se ka verifikuar çdo problem në terren për t’iu përgjigjur kërkesave të abonentëve, megjithatë, numri i lartë i ankesave i depozituar vetëm në 4 muaj e gjysmë është një tregues i shkeljeve të shumta që realizon kompania.

Por problemet e qytetarëve me kompaninë nuk mbarojnë këtu, pasi ende ankesat e viteve 2010, 2011,2012 dhe 2013 nuk kanë marrë një zgjidhje përfundimtare. Administrata e re shtetërore deklaron se, janë trashëguar mbi 5 mijë ankesa për abuzim me konsumatorin dhe 2 mijë kërkesa për rishikim të matjeve vetëm gjatë vitit 2012. ndërsa përsa i përket vitit 2013, vlerat e ankesave dhe kërkesave të paraqitura nga konsumatorët drejt kompanisë janë shumë më të larta, deri në tri herë më shumë.

Gjatë vitit që lamë pas, ankesat për abuzime ndaj kompanisë nga ana e konsumatorëve shqiptarë arrijnë në 19 mijë, ndërsa kërkesa të pazgjidhura arrijnë në 13 mijë. CEZ shprehet se, e ka të pamundur zgjidhjen e kësaj problematike në një afat të shkurtër kohor, për shkak të ndryshimit të shpeshtë të stafit të kompanisë dhe të largimit nga puna të të gjithë eksponentëve problematikë, apo që vidhnin direkt konsumatorin shqiptar.

Scan TV, 19.05.2014