Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tiranë, takimi i Komitetit Ndërshtetëror të IAP

Në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në Tiranë u zhvillua takimi i dhjetë i komitetit ndërshtetëror për projektin e gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP).

Në tryezën e drejtuar nga zv.ministri Z.Ilir Bejtja morën pjesë përfaqësues nga qeveria shqiptare, ajo e Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, vende ku parashikohet të kalojë gazsjellësi IAP.

Përfaqësuesit e kompanisë së konsulencës COËI prezantuan disa variante nga Studimi i Fizibilitetit për projektin ndërsa ju përgjigjën pyetjeve që ngritën pjesëmarrësit rreth elementëve të caktuar.

Ndërkaq, drejtuesit e institucioneve shtetërore të secilit prej vendeve paraqitën hapat e ndërmarra deri më tani që shkojnë në funksion të konkretizimit të projektit të gazsjellësit IAP.

Zv.Ministri Ilir Bejtja tha se Shqipëria e konsideron projektin IAP, me rëndësi strategjike. “Ne vlerësojmë se është në interesin tonë që të bëjmë bëjmë realitet projektin IAP në të njëjtën kohë me projektin TAP. Përtej rëndësisë strategjike për vendet tona, IAP ka një rëndësi të madhe për Evropën perëndimore dhe lindore duke garantuar furnizimin me gaz nga Kaspiku përmes gazsjellësit TAP dhe atij IAP”, u shpreh Z.Bejtja.

Sipas tij, Qeveria e Shqipërisë, që prej vitit 2005, ka mbështetur idenë e projektit të gazsjellësit IAP. “Kjo është dokumentuar nga deklarata ministeriale e firmosur në Zagreb më 25 shtator 2007, të cilës Bosnje Hercegovina ju bashkua në dhjetorin e vitit 2008. Takimi i ministerialit të vendeve të IAP, mbajtur në Zagreb më 26 shtator 2013 rikonfirmoi angazhimin për të vazhduar në zhvillimin e një strategjie për projektin duke e konsideruar si një tjetër hap për integrimin evropian të sektorit të energjisë për vendet tona”, u vlerësoi zv.ministri.

Ai informoi të pranishmit se me ftesë të Ministrit Gjiknuri, ministrat e tre vendeve të tjera ku kalon IAP do të mblidhen në Tiranë në një takim ministerial në fund të muajit qershor.

energjia.al 24.04.2014