Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Transparencë për konçesionet

Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizuan një forum për të promovuar Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse dhe përfitimet për komunitetet lokale. Veprimtaria synon krijimin e një platforme diskutimi dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek autoritetet qeveritare dhe bizneset për nevojën për të rritur përfitimet e publikut në zhvillimin e projekteve që prekin burimet natyrore.

“Secila prej palëve të interesuara të përfshira ka shqetësime dhe pritshmëri, të cilat duhet të diskutohen dhe adresohen në mënyrë konstruktive dhe serioze”, tha ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Shndërrimi i burimeve natyrore në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe mirëqenie për të gjithë do të kërkojë diskutim të hapur në forume si ky. Gjithashtu, ai kërkon bashkëpunim efikas midis institucioneve dhe një Sekretariat të fuqishëm shqiptar të EITI-t, si dhe një nivel besimi reciprok dhe përfshirjeje të të gjithë aktorëve.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në forumin me temë “Promovimi i nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse dhe përfitimi i komuniteteve”:

Së pari, ju falenderoj për këtë pjesëmarrje,

Falënderoj prezencën e OSBE-së, ambasadorin Arvizu, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, për një aktivitet që unë mendoj se është shumë i rëndësishëm për kohën në të cilën jetojmë. Do të flas këtu se si e shoh nga pikëpamja ime si ministër, elementin e transparencës në industritë nxjerrëse, si e shoh rolin e iniciativës e cila na ka mbledhur këtu, një iniciativë shumë e rëndësishme. Ka patur edhe debate të shumta, ku me të drejtë publiku pyet se sa përfiton nga industria nxjerrëse.

Në vendet që kanë industri nxjerrëse, ekziston gjithmonë një tension, nëse merr publiku atë që meriton dhe a është mjedisi i duhur për biznesin për të investuar në këta sektorë? Ky është një tension normal, publiku dhe politika pret që kompanitë të jenë më transparente dhe që pjesa që i takon publikut të shkojë, pra interesi publik të mbrohet. Por, nga ana tjetër nuk duhet që për shkak të këtij tensioni të vihet në diskutim edhe zhvillimi i industrive nxjerrëse.

Industritë nxjerrëse janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, e cila është e bekuar me burime natyrore. Në shumë vende, shpesh thonë se edhe burimet natyrore mund të sjellin atë që quhet “dutch disease”, mallkimi i atyre vendeve që kanë pasuri. Sepse shpesh, e gjithë vëmendja përqendrohet tek industritë nxjerrëse dhe harrohen shumë burime të tjera që ka ekonomia. Megjithatë, unë them se Shqipëria është e bekuar që i ka këto burime dhe ka shumë mundësi që të zhvillojë industri të lidhura me industrinë nxjerrëse.

ministri gjiknuri ne forumin eiti duke folur per transparencen dhe rregjistrin e koncesioneveKa rëndësi, jo vetëm nxjerrja e mineraleve, jo vetëm nxjerrja e burimeve natyrore si nafta, por edhe zhvillimi i zinxhirit të përpunimit të tyre. Një gjë që fatkeqësisht, nuk ka ecur siç duhet në Shqipëri këto vite.

Industritë përpunuese qoftë të naftës, qoftë edhe të mineraleve të tjera janë në një stad të prapambetur, janë shumë pak industri që janë aktive. Kjo për shkak mbase edhe të mungesës së vëmendjes, politikave nxitëse dhe shumë elementëve të tjerë të tregut, por edhe mënyrës sesi janë alokuar të drejtat për të shfrytëzuar pasuritë natyrore.

Shpeshherë, në Shqipëri janë fragmentuar në mënyrë të tillë që nuk kanë arritur të krijojnë atë platformën e duhur për ngritjen dhe zhvillimit e industrive zinxhir përsa i përket burimeve nxjerrëse.

Në fakt, transparenca është një çështje shumë e rëndësishme. A po merr publiku atë që meriton?! A po merr shteti shqiptar atë që meriton?! Ky tension që përmenda ekziston në vende të tjera, ekziston edhe në Shqipëri. Pikërisht, për të gjykuar për këtë, duam transparencë, duam rregulla të qarta sesi ndahen këto pasuri. Të them të drejtën, unë mendoj se publiku nuk e ka marrë atë që meriton, sidomos me minierat shqiptare. Po flas për pasuritë natyrore, kemi shumë aktivitete të karakterit ilegal dhe shpesh edhe renta që është për tu llogaritur nuk llogaritet siç duhet për shkak të aktiviteteve ilegale.

Ministria që unë drejtoj, po bën një punë jashtëzakonisht të madhe përsa i përket kësaj çështje duke rritur transparencën, por dhe duke rritur kontrollin. Ne mendojmë se pa një kontroll më të mirë të sektorit minerar, të sektorit të industrisë nxjerrëse, nuk mund të ketë transparencë të qartë për publikun. Po themi disa nga masat që unë i shikoj më emergjente dhe për të cilat ne po punojmë.

Jemi në një dialog me industrinë nxjerrëse të naftës, duam që të krijojmë një kuadër rregullator shumë më të mirë, që edhe investimet në naftë të garantohen, por njëkohësisht edhe publiku të marrë atë që meriton. Ka shumë kontrata hidrokarbure, ka nga ato që kanë qenë të suksesshme përsa i përket prodhimit, por ka edhe nga ato që nuk kanë qenë të suksesshme, për shkak se kanë shkuar në duar jo të mira.

Në Shqipëri, shpesh ka ndodhur fenomeni i marrjes së licencave për t’i tregtuar. Ky është fenomen vrastar! Ky vërtet krijon lidhje të shkurta me politikën, por fatkeqësisht nuk ndihmon zhvillimin e industrisë. Prandaj, qeveria jonë ka marrë një vendim që për burimet e tjera të naftës, për fushat e tjera të pazbuluara, për fusha të tjera me mundësi të mëdha për eksplorim, të jepen nëpërmjet proceseve të ankandeve, proceseve të transparencës dhe të konkurrencës.

Ky është një vendim i rëndësishëm që do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri pas 20 vitesh. Edhe interesi në sektorin e naftës është rritur, sidomos pas zhvillimeve të fundit me gjetjen e naftës nga Shell-i. Në disa zona të Shqipërisë, interesi nga kompanitë ndërkombëtare është rritur dhe unë përfitoj t’ju them të gjithëve se Shqipëria është shumë e interesuar për të gjithë investitorët seriozë, të vijnë të investojnë në këtë fushë.

E njëjta gjë ka ndodhur me pasuritë natyrore minerare. Fragmentimi i të drejtave të shfrytëzimit ka sjellë kaos. Ne po përgatitemi që me ndryshimet e reja të ligjit në sektorin minerar, të mundohemi të adresojmë një pjesë të këtij kaosi. Është një proces i vështirë, them që duhet ta adresojmë të gjithin, por do të marrë kohë. Nuk mund të lejojmë më atë fragmentimin, mbivendosje lejesh, apo probleme të tjera, sidomos në zonën e Bulqizës, e cila është kthyer në një gangrenë dhe që realisht e ka dëmtuar shumë interesin publik, ka vënë në rrezik jetë njerëzish dhe nuk po e zhvillon siç duhet industrinë nxjerrëse, sidomos në fushën e kromit.

Shumë shpejt, ministria që unë drejtoj do të paraqesë ndryshimet ligjore përsa i përket ligjit minerar. Unë them se do të adresohen shumë nga ato probleme të cilat vazhdimisht kanë lënguar në këtë sektor.

Përsa i përket transparencës, unë përshëndes EITI-n për këtë aktivitet, edhe për raportin e ardhshëm që do të publikojë në lidhje me transparencën në këtë industri. Aty do të mësojmë edhe shifrat e fundit sipas një auditimi të pavarur të këtyre të dhënave. Do të mësojmë se sa realisht është ajo që përfiton publiku nga industria nxjerrëse. Për të gjykuar, për të parë, a po marrim atë që meritojmë? A ka nevojë për përmirësime të kuadrit ligjor, të cilat nuk duhet të bëhen në mënyrë të njëanshme, por në konsultim me industrinë. Pra, duke marrë parasysh edhe riskun e investitorëve, por njëkohësisht duke marrë parasysh edhe interesin publik.

Nga ana tjetër, me mbështetje edhe të fondeve nga BERZH-i po zhvillojmë një regjistër transparence për koncesionet. Regjistër i cili për herë të parë do të krijohet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të ketë të gjitha koncesionet, lejet minerare, HEC-et, çdo gjë të dhënë. Një regjistër elektronik që do të pasqyrojë sidomos fazën e implementimit të tyre. Fatkeqësisht, edhe një inventar i mirëfilltë ka munguar dhe kjo nuk është gjë e mirë as për publikun, as për privatin.

Të gjithë duan të dinë cilat janë licencat e dhëna, në çfarë faze janë ato, si po investohet, kur skadojnë, për t’i dhënë mundësinë të tjerëve që janë më të interesuar për të investuar dhe që janë seriozë për t’i marrë ato.

Ky proces do të marrë disa muaj, por unë them, në fund të vitit ne do të kemi mundësi që të kemi një regjistër transparent me të gjitha kompanitë e listuara dhe me fazat e zhvillimit të çdo procesi. Edhe ky, është një element shumë i rëndësishëm për transparencën, sepse të gjithë do të kenë mundësi të shikojnë cilët janë operatorët, si janë selektuar këta operatorë dhe çfarë po ndodh me pasuritë tona. Kjo pikërisht për të luftuar atë fenomen që unë e thashë në fillim dhe që besoj kjo është shumë e rëndësishme.

Të drejtat e burimeve natyrore duhen dhënë gjithmonë duke patur interesin publik brenda. Në qoftë se ja ke dhënë njerëzve të papërgjegjshëm, njerëzve që nuk kanë ndërmend të investojnë, njerëzve që kanë menduar se duke marrë një letër do ta tregtojnë dhe do të gjejnë ndonjë investitor, ne kemi krijuar një barrierë natyrale për investimin serioz.

Le t’i vëmë në dispozicion burimet natyrore për shoqëritë serioze, mundësisht edhe të konsorciumeve ndërkombëtarë, edhe investitorëve shqiptarë, por nëpërmjet një procesi transparent dhe kompetitiv.

Realisht, këto kanë qenë synimet e ministrisë sonë, në këtë drejtim po punojmë. Kjo nismë që po vazhdon, ka qenë më parë në Shqipëri, nuk mendoj se ka funksionuar mirë në vitet e fundit, nuk i është dhënë vëmendje e veçantë. Por, me interesin e shtuar, sidomos edhe më vëmendjen që po i kushton qeveria shqiptare transparencës, mendoj që do të japë rezultate shumë të mira, qoftë për publikun shqiptar, qoftë edhe për investitorët.

Ndaj, unë e përgëzoj drejtoreshën për iniciativën, do të keni të gjithë mbështetjen e ministrisë që transparenca të ecë në drejtimin e duhur dhe unë them se do të bëjmë gjithçka që edhe donatorët ta mbështesin këtë iniciativë në vazhdim. Iniciativa ju vlen investitorëve të huaj, i vlen edhe shtetit dhe publikut shqiptar.

Ju uroj sukses në punën tuaj dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen këtu sot.

Faleminderit!

energjia.al 24.04.2014