Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompania “Sherwood” rrezikon liçencën

Mungesa e investimeve mësohet të jetë arsyeja kryesore e nisjes së anulimit të një prej tetë kontratave koncesionare me kapital të huaj, të kryera mes shtetit shqiptar dhe shoqërive që operojnë në fushën e naftës. Burimet kanë bërë me dije se, kompania naftënxjerrëse “Sherwood International Petroleum Ltd” nuk ka arritur dot të kryejë investimet e parashikuara në kontratën dypalëshe dhe për këtë arsye AKBN-ja ka nisur të anulojë marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2007. Në këtë vit, kompania “Sherwood” mori të drejtën për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Kuçovës. Por, edhe pse gjatë kësaj kohe është kryer shfrytëzimi i rezervave të hidrokarbureve, kompania nuk u është përmbajtur kushteve të kontratës. Mësohet se në kontratë është parashikuar që operacionet e kompanisë të kryhen në bazë të standardeve mjedisore, punimet të pasohen me rikthimin e tokës në gjendjen e mëparshme, si dhe të kryen investime në infrastrukturën e nxjerrjes së naftës. Por, nga inspektimet e ushtruara gjatë muajve të fundit është konstatuar se, nuk janë realizuar gjithë nenet e parashikuara në marrëveshje dhe për këtë arsye AKBN-ja ka vendosur që të zgjidhë kontratën mes saj dhe “Albpetrol”-it. Gjithashtu, në inspektimin e KLSH-së në fund të vitit 2012, në raportin e asaj kohe thuhej se, “kompania ‘Sherwood International Petroleum, Ltd’ i detyrohej ‘Albpetrol’-it sasinë 433.78 tonë naftë, e cila nëse do të përllogaritej me çmimin mesatar të shitjes së naftës bruto do të kapte vlerën e 216 mijë e 890 USD’”.

Gazeta Shqip, 23.04.2014