Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB, 1 mld USD për eksplorimet e burimeve fosile

Që nga viti 2008 Banka Botërore ka financuar me 3 miliard dollarë eksplorimet për burime fosile

Një studim i ri i publikuar nga OJF-ja “Oil Change International” tregon se Banka Botërore në vitin 2013 financoi me pothuaj 1 miliard dollarë projekte dhe aktivitete që përfshijnë eksplorime për burime fosile. Në total banka financoi me 2.7 miliard dollarë projekte të burimeve fosile.

Këto fakte vijnë pas publikimit të raporteve të Panelit Ndërkombëtar të Ndryshimeve Klimatike dhe të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë, të cilat sugjerojnë se bota ka shumë më tepër rezerva burimesh fosile se ç’mund të digjen që klima të mos ndryshojë përtej limiteve të pranuara.

“Vetë Banka Botërore ka përshkruar se sa shumë do të ndryshonte Toka nëse ngrohet me 4 oC, megjithatë vazhdon të financojë miliarda në projekte që eksplorojnë për burime fosile të reja, të padjegshme nëse klima do të mbrohet,” Elizabeth Bast, Drejtore Ekzekutive e “Oil Change International” dhe bashkë-autore e studimit.

Financimi i Bankës Botërore për burimet fosile është pakësuar vitet e fundit, por financimi për projekte të eksplorimit është rritur. Bankat ndërkombëtare në vitet 2008-2013 kanë financuar me mbi 4.5 miliard dollarë projekte eksplorimi, ku vetëm IFC-ja ka financuar me 2.3 miliard dollarë.

Sipas studimit, eksplorimi për rezerva të reja të burimeve fosile nuk është i dëmshëm vetëm për klimën. Financimi i eksplorimit rrezikon të zhysë në borxh vendet në zhvillim për burime që do të kthehen në asete të pavlera nëse do të ndërmerren politika për realizimin e objektivave klimatikë.

“Për mbrojtjen e vërtetë të vendeve të varfra, Banka Botërore duhet të ndërpresë financimin e eksplorimeve për burime fosile, burime të cilat do të emetojnë më shumë karbon seç mund të mbajë klima jonë. Vendeve në zhvillim do u kushtojë shumë marrja e borxhit për asete pa vlerë, sikurse do u kushtojnë shumë ndryshimet klimatike që do të shkaktojnë këto burime fosile,” deklaroi Bast.

Në Kosovë Banka Botërore synon financimin e termocentralit me qymyr, “Kosova e Re” me fuqi 600 Mw dhe vlerë mbi 1 miliard dollarë, kurse në Shqipëri, bankat ndërkombëtare të BERZH-it dhe IFC-së, nga 2009 kanë financuar me ~90 milion USD zgjerimin e aktiviteteve të nxjerrjes së naftës nga Bankers Petroleum.

Në Shqipëri aktualisht ka disa puse eksplorimi nafte si Shpiragu-2, Molisht-1, së shpejti fillon Shpiragu-3, të cilat financohen nga firmat e huaja të naftës. Kostua e eksplorimit të këtyre puseve shkon në dhjetëra miliona dollarë.

Ministria jonë e energjisë duket se nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria do i djegë të gjitha rezervat e naftës që ka dhe që do të zbulojë, sepse në takimet ndërkombëtare, si ai i Forumit Brown në Zagreb në prill, tregohet shumë optimiste për potencialet tona në hidrokarbure dhe po kërkon financime për to. Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës gara midis vendeve për të djegur sa më shumë burime fosile duket më shumë si garë për të djegur sa më shumë e sa më shpejt Tokën, ku dhe ne shqiptarët duam dhe do të kemi kontributin tonë.

Ekolëvizja, 22.04.2014