Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Agjencia kërkon zbatimin e kontratave nga kompanitë e naftës

AKBN kërkon zbatimin çdo pike të marrëveshjes nga “Petromanas” për investimin e 6 milionë dollarëve, sipas planit të kërkimit të naftës. “AKBN dhe kompania ‘Petromanas’ janë duke bashkërenduar punën për respektimin e kontratës”, – informoi dje gazetën “Shqip” Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Kompania përmbushi pjesërisht detyrimet e fazës së dytë të kërkimit të naftës dhe në përfundim kërkoi futjen në fazën e tretë të kërkimit. Në respektim të marrëveshjes, – njofton AKBN, miratimi nga pala shqiptare për futjen në fazën e tretë, jepet me kusht që kompania të ketë përfunduar programin e punës së fazës së dytë ose t’i ketë paguar AKBN-së shumën për detyrimin e parealizuar. Kompania “Petromanas” në lidhje me marrëveshjen për Blloqet D-E, pasi përmbushi detyrimet e fazës së parë të kërkimit, kaloi në fazën e dytë të kërkimit. Kjo fazë parashikohej të zgjaste dy vjet, por me amendimin që ju bë kontratës në korrik të 2013, ajo u shty edhe për një vit dhe kështu faza e dytë përfundoi në fund të vitit 2013. Gjatë kësaj faze, marrëveshja parashikon të kryheshin operacione hidrokarbure me një investim prej rreth 6 milionë USD. AKBN ndjek dhe monitoron me vëmendje të gjitha operacionet që kryejnë kompanitë, në respektim të marrëveshjeve hidrokarbure dhe legjislacionit shqiptar në tërësi. Në këtë kuptim, mund të thuhet se kompania “Petromanas” në të gjithë aktivitetin e saj i është përmbajtur zbatimit të marrëveshjeve duke zbatuar kërkesat e tyre sipas fazave. Kompania “Petromanas Albania Gmbh” është operatore dhe pjesëmarrëse me interesa edhe në Marrëveshjen për Blloqet 2-3, në tokë, ku “Royal Dutch Shell” ka 75% dhe “Petromanas” ka 25%. AKBN me të dy kompanitë, “Shell” dhe “Petromanas” po bashkërendojnë për përmbushjen në kohë të detyrimeve që parashikon marrëveshja.

Gazeta Shqip, 23.04.2014