Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Stop subvencionimit të industrisë së naftës!

Çmimi i naftës: ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike janë një rrezik i madh për mjedisin dhe zhvillimin. Ato shkaktohen nga grumbullimi i gazrave serrë në atmosferë-sidomos i CO2 nga djegja e qymyrit, naftës dhe gazit, dhe rrezikojnë çdo pjesëtar të biosferës dhe njerëzimit. Akujt polarë dhe akullnajat po shkrijnë, niveli i deteve po rritet, thatësirat e rënda, përmbytjet dhe stuhitë janë në rritje në gjithë botën.

Nga nafta vjen 40-43 % e energjisë së konsumuar në botë. Nafta dhe qymyri, secila janë përgjegjëse për 40% të gazrave serrë.

Ndryshimet klimatike dhe pabarazia

Shumica e gazrave serrë emetohen në hemisferën veriore (në vende të pasura si SHBA, Kanada dhe BE), por janë vëndet e varfra që do të goditen më shumë nga ndryshimet klimatike dhe kanë më pak mundësi të përshtaten. Ekonomitë në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, dëmtohen nga nxjerrja e naftës. Kur kjo naftë digjet dhe karboni çlirohet në atmosferë, ai kontribuon në pakësimin e prodhimit bujqësor, në probleme të shëndetit publik, në shpërngulje masive etj.

Kompanitë e naftës dhe ndryshimet klimatike

Që klima të mos dëmtohet rëndë, bota nuk duhet të djegë më shumë se ¼ e rezervave të karbonit-atëhere përse industria e naftës dhe e gazit po shpenzon çdo vit 150 miliard dollarë në kërkim të rezervave të reja?

Rezervat aktuale të naftës mjaftojnë për të sjellë kaos klimatik. Gazi natyror, i cili shpesh lëvdohet si i pastër, nuk ndryshon shumë nga qymyri. Rezervat botërore të qymyrit janë në shifra dëshpëruese. Çdo strategji kundër ndryshimeve klimatike nuk ka si të mos përfshijë mos-shfrytëzimin e burimeve fosile. Kjo strategji duhet të përfshijë marrjen e masave për tranzicionin e komuniteteve dhe krahut të punës që përfshihen në prodhimin e burimeve fosile.

Kompanitë e naftës që janë përfshirë më shumë në çështjen e ndryshimeve klimatike janë BP, Shell dhe ExxonMobil. Të tre kompanitë e pranojnë tashmë publikisht se ndryshimet klimatike ekzistojnë (ExxonMobil vetëm vitet e fundit e ka pranuar), por investimet e tyre në energjitë alternative janë shumë të pakta.

Të jemi të qartë, këto janë kompani nafte. BP dhe Shell kanë objektiva nga më ambiciozet ndër kompanitë e naftës për rritjen e shfrytëzimit të naftës dhe gazit. Shell synon të shtoje shfrytëzimin e naftës e gazit me 5% në vit, kurse BP me 5.5-7% në vit.

Në vitin 2009, Oil Change International, Miqtë e Tokës, Greenpeace UK etj. publikuan një raport mbi intensitetin e karbonit të kompanive të mëdha të naftës. Sipas raportit Shell është kompania më karbon-intensive në botë bazuar mbi rezervat e saj totale.

Të hiqen subvencionet

Sipas llogaritjeve, subvencionet për burimet fosile çdo vit, në gjithë botën, shkojnë në vlerën e 775 miliard USD. Në Shqipëri psh. industria e naftës nuk paguan TVSH për pajisjet që importon. Megjithëse pati përpjekje nga qeveria e re për heqjen e këtij privilegji, lobizimi nga industria bëri që ai të mbetet. Gjithashtu, kompanitë e huaja të naftës në Shqipëri megjithëse kanë xhiruar miliarda lekë, prej vitesh nuk paguajnë tatimin mbi fitimin, duke fryrë artificialisht-dhe pa asnjë kontroll nga shteti- shpenzimet. Ky është një subvencionim i heshtur që buxheti i shtetit i bën industrisë së naftës.

Heqja e këtyre subvencioneve është hapi i parë i rëndësishëm i zgjidhjes së problemit të klimës. Sipas Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë, heqja e subvencioneve, sikur vetëm në vendet në zhvillim, do të pakësonte emetimet globale të gazrave serrë me 5.7 %. Sipas këtij raporti heqja e subvencioneve nuk do të sjellë mungesë energjie në vendet e varfra nëse investohet në energjitë e pastra. Aktualisht vetëm 10% e subvencioneve për burimet fosile shkojnë në përfitim të të varfërve.

Oil Change International organizon një referendum elektronik, ku mund të nënshkruani, kundër subvencionimit të industrisë së naftës. Teksti i thirrjes është: “U bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë të heqin gjithë subvencionet ndaj burimeve fosile, veçanërisht subvencionet që inkurajojnë zgjerimin e rezervave të burimeve fosile. Stop përdorimit të taksave për zhytjen tonë në probleme ndërkohë që industrialistët e naftës pasurohen!”

Ekolëvizja, 21.04.2014