Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dënime më të rënda për vjedhjen e energjisë

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim dy projektligje të rëndësishme siç është projektligjin “Për kontrollin e Lartë të Shtetit” si dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Këto ndryshime synojnë të trajtojnë në veçanti këto problematika:çështjen e vjedhjes së energjisë; ashpërsimin e masave të dënimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse; përcaktimin e kufirit minimal të dënimit me burgim për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

“Kemi sjellë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend disa amendamente në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë duke mbajtur në konsideratë domosdoshmërinë për ashpërsimin e luftës kundër kriminalitetit, veçanërisht për disa figura të veçanta të krimit, dhe gjithashtu domosdoshmërinë për të rritur dhe ashpërsuar dënimin lidhur me autorët e këtyre veprave. Ne vlerësojmë që lufta kundër kriminalitetit nuk presupozon, siç gabimisht ndonjëherë përhapet keqkuptimi kolektiv, vetëm punën që bën Policia e Shtetit, por elementi kyç themelor është ndëshkueshmëria”, tha Ministri i Brendshëm , z. Sajmir Tahiri.

Ndryshimet u mbështetën dhe nga Ministria e Drejtësisë. “Kjo nismë vjen si një lëvizje e domosdoshme e frenimit të përhapjes së kriminalitetit lidhur me veprat penale të parashikuara në nenet 137, 278, 282 dhe 291 të Kodit Penal. Ndërkohë që shtohet edhe vepra penale e shitjes së kartave telefonike në mënyrë të paautorizuar”, tha zv/Ministri i Drejtësisë, z.Arben Isaraj.

Edhe deputeti z.Spartak Braho u shpreh dakord me shqetësimet e paraqitura nga ekzekutivi, por kërkoi që për disa dënime të prevalojë dhe dënimi alternativ. “Unë jam plotësisht dakord me shqetësimin e paraqitur nga propozuesit e projektligjit. Konkretisht Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, por nuk jam dakord me logjikën që u përdor këtu që synon të rregullojë çdo gjë me burg”, tha z.Braho.

energjia.al 21.04.2014