Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria mund t’i bllokojë garancinë “Petromanas”

Detyrimi/ Ka vonuar angazhimin e saj në kërkimet e naftës, i mbahen 5,4 milionë USD

Qeveria shqiptare u kërkon shlyerjen në kohë të detyrimeve firmave të huaja që operojnë në sektorin e hidrokarbureve. Njëra prej tyre, që rezulton me pagesa të pashlyera, është kompania “Petromanas”. Ajo njofton se Agjencia Kombëtare Shqiptare e Burimeve Natyrore (AKBN) i ka komunikuar se do të kërkojë bllokimin nga llogaria bankare e kompanisë të 5.4 milionë dollarëve amerikanë nga 6 milionë dollarë garanci që janë vendosur për kontratën e kërkimit të naftës dhe gazit në zonat D dhe E. AKBN-ja e kërkon këtë pagesë si kompensim për angazhimin financiar që nuk u përfundua nga “Petromanas” në periudhën e dytë të eksplorimit. Kompania, në një raport dërguar ditët e fundit aksionerëve të saj, u shpjegon se, për shkak të vonesave në marrjen e lejeve të ndërtimit në vitin 2012, “Petromanas” kishte kërkuar një zgjatje të përfundimit të investimeve të saj për periudhën e dytë të eksplorimit. Në dhjetor 2012, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) miratoi kërkesën për një zgjatje prej një viti dhe e përcolli kontratën e rishikuar te Këshilli i Ministrave për aprovim. Ky miratim është kryer përfundimisht më 28 korrik 2013 dhe ligjëronte afatin e ri të përfundimit të kërkimeve më 25 dhjetor 2013. Para marrjes së këtij miratimi, kompania kishte kërkuar një rishikim në kërkesën origjinale. Duke pasur parasysh këto ngjarje dhe në përputhje me kushtet e kontratës, kompania i ka dorëzuar njoftimin AKBN-së për të kërkuar miratimin për të hyrë në periudhën e tretë të eksplorimit për zonat D dhe E. Kompania ka kërkuar më tej që periudha e tretë e eksplorimit të kishte një afat prej dy vitesh, duke filluar nga dita e miratimit final të qeverisë.

Rezultatet

“Në bazë të rezultateve, në analizën e Shpiragut – 2, ne po shohim sinjale shumë pozitive”, raporton Glenn McNamara, CEO i “Petromanas”. Ai shprehet edhe për përfundimin në afat, brenda 2014-s, të shpimit të pusit në Molisht 1. “Petromanas” vepron në bazë të tri kontratave për ndarje prodhimi me qeverinë shqiptare. Nën kushtet e kontratës, “Petromanas” ka 100% interesa pune në gjashtë blloqe A, B, D, E, 2 dhe 3, që përfshijnë një sipërfaqe më shumë se 1.4 milionë akra në Berat. Sipërfaqja e Petromanas shtrihet brenda një sistemi të provuar hidrokarburesh. Ka nëntë fusha ekzistuese nafte brenda blloqeve 2 dhe 3, përfshirë këtu edhe fushën më të madhe naftëmbajtëse në Europë Patos-Marinza, zbuluar më 1928-n dhe që tani për momentin vepron nën “Bankers Petroleum Ltd”. Fushat ekzistuese janë lënë jashtë hapësirës së përcaktuar në kontratën e “Petromanas”.

Gazeta Shqip, 21.04.2014