Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji, impiantet nën kontroll për falsifikimet

Ministria e Energjisë, gati draftin: Lejet e karburanteve i përcakton qeveria

Penaliteti – Në rast se subjekti nuk respekton kushtin e bllokimit të përkohshëm të veprimtarisë ose përsërit shkeljen, propozohet te ministri heqja e licencës.

Falsifikimi – Falsifikimi është ndërhyrja në nënproduktet e naftës, duke shtuar nënprodukte të tjera naftë apo produkte të tjera të huaja, që prishin standardin fillestar të tyre.

Gjobat – Për kryerjen e falsifikimeve, duke filluar nga rafineritë e deri te stacionet e shitjes me pakicë, masa e gjobës është shumëfishuar.

Fund monopoleve dhe mashtrimeve në tregtimin e naftës dhe gazit. Ministria e Energjisë dhe Industrisë po përgatit një ligj të ri për përpunimin dhe tregtimin e hidrokarbureve, të cilin e ka në fazën e diskutimeve. Thelbi është te rivendosja e kriterit të licencimit për impiantet e përpunimit, ku ka ndodhur fenomeni i abuzimit me naftën bruto. Ndërkaq, ndryshon mënyra e miratimit të lejeve për vendosjen e pikave të karburanteve. Sipas ligjit të ri, leja nuk do të jepet vetëm nga pushteti vendor, por përmes shqyrtimit nga disa institucione që do të përcaktohen me vendim të qeverisë. Licencimi i karburanteve është vetëm një nga ndryshimet në ligjin për përpunimin, transportin, tregtimin e naftës dhe gazit. Ndërkaq, drafti i ri rivendos detyrimin për licencim edhe për impiantet e përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Pak vite më parë, qeveria “Berisha” zbuti detyrimin e impianteve të naftës për licencim, duke bërë një ndryshim në ligj. Por ky ndryshim çoi në përhapjen e impianteve të riciklimit, të cilët mashtronin konsumatorët, duke përzier naftën bruto dhe duke e shitur atë në treg. Një problem ky që është denoncuar disa herë edhe nga vetë ministri Damian Gjiknuri.

Impiantet dhe falsifikimi

Rivendosja e kërkesave për licencimin e impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës sjell edhe përcaktimin nga pikëpamja teknike të ndryshimeve ndërmjet rafinerisë dhe impianteve të përpunimit. Duke marrë në konsideratë se aktualisht rezultojnë subjekte që funksionojnë si impiante përpunimi, është parashikuar edhe një dispozitë tranzitore për këto impiante. Impiantet e përpunimit kanë të drejtë të tregtojnë prodhimet e tyre vetëm te shoqëritë e tregtimit me shumicë, shoqëritë e tregtimit me pakicë dhe konsumatorët e mëdhenj.

Leja e përpunimit jepet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet për 15 vjet, me të drejtë rinovimi. Impianteve të përpunimit u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte te të cilat është kryer falsifikim.

Rafineritë

Sipas projektligjit, rafineritë nuk mund të shiten pa lejen e ministrisë dhe licenca e tyre do të ketë kërkesa të reja, të cilat synojnë të vendosin rregull në këtë sektor. Drafti përcakton detyrimet e rafinerive për të zbatuar kushtet teknike të projektit dhe domosdoshmërinë e miratimit nga ministria përgjegjëse të hidrokarbureve, për çdo ndryshim të mundshëm të projektit fillestar, për të cilën ishte dhënë leja përkatëse. Lidhur me tregtimin, rafineritë e naftës kanë të drejtë t’i shesin prodhimet e tyre në vend te shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe impiantet e përpunimit, si dhe t’i eksportojnë.

Tregtimi

Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të garantojnë furnizim normal dhe jo diskriminues e në përputhje me nevojat. Ato kanë të drejtë të furnizojnë me naftë bruto rafineritë e naftës, me nënproduktet e naftës impiantet e përpunimit, shoqëritë e tregtimit me pakicë të pajisura me licencë tregtimi, mjetet detare dhe ajrore, si dhe konsumatorët e mëdhenj. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës, përgjigjen për kryerjen e kontrollit teknik dhe mbushjen e bombolave me GLN. Përpara përdorimit, bombolat duhet të kenë të evidentuar markën tregtare të shoqërisë, peshën neto, peshën bruto, vitin e prodhimit, datën e kontrollit teknik, si dhe udhëzimin për përdorimin e sigurt të tyre. Shoqërive të tregtimit me shumicë u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte te të cilat është kryer falsifikim.

Gazeta Shqip, 21.04.2014