Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kryeministri bullgar: TAP, thelbësor për energjinë

Korridori Jugor i Gazit është një hap i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të energjisë në të gjithë rajonin juglindor europian, sipas Kryeministrit bullgar, Plamen Oresharski.

Në një intervistë për revistën “Caspian Energy”, cituar nga zyra e shtypit e qeverisë bullgare, Oresharski pohoi se të dy, Komisioni Europian dhe palët e interesuara e pranuan këtë kontribut dhe u mbështetën në gazin azerbajxhanas.

“Ne kemi planifikuar ndërtimin e një interkoneksioni të rrjetit të gazit përtej kufirit me Greqinë, e cila duhet të bëjë të mundur përdorimin e gazit azerbajxhanas. Në fund të vitit të kaluar, kam pasur mundësi të marr pjesë në një ceremoni zyrtare në Baku, gjatë së cilës u nis ndërtimi i tubacionit të TAP. Unë i jam mirënjohës Presidentit Alijev për ftesën, mikpritjen e ngrohtë dhe takimin e frytshëm që pata me të.

“Unë besoj që marrëdhëniet tona tradicionalisht mike do t’i japin një shtysë të re, nga perspektiva për thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik”,- tha Oresharski.

Ai theksoi se Bullgaria është përpjekur shumë të arrijë diversifikimin e burimeve të saj të energjisë.

“Rrjeti i furnizimit me gaz i vendit tonë nuk ka përfunduar dhe ka shanse të mira për investime në këtë sferë”, – tha Kryeministri i Bullgarisë.

Ai pohoi se ekzistojnë mundësitë për investime në sektorët e teknologjisë së lartë dhe bujqësisë.

“Ne jemi duke punuar për arritjen e riindustrializimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian. Çmimet aktuale relativisht të larta të gazit natyror e bëjnë prodhimin kimik joefikase, duke marrë parasysh se ai dikur ishte një industri tradicionale për vendin tim në të kaluarën e afërt. Nëse do të kemi sukses në ‘rigjallërimin’ e disa fabrikave metalurgjike dhe një pjesë të prodhimit kimik, kërkesa për burime të energjisë do të rritet”, -deklaroi ai.

I pyetur në lidhje me anëtarësimin e Bullgarisë në BE, ai kërkoi të eliminojë skepticizmin.

“Ndonjëherë dëgjojmë njerëz që thonë se anëtarësimi në BE i solli dëme ekonomisë, e cila nuk mundi të përballojë presionin konkurrues në kushtet e një tregu absolutisht të lirë. Unë kurrë nuk i kam miratuar deklarata të tilla për shkak se ato presupozojnë një ekonomi kombëtare të izoluar e cila mbron sektorët joefikasë të ekonomisë nëpërmjet stimujve artificialë”, – argumentoi Kryeministri i Bullgarisë.

Oresharski theksoi se Bullgaria ka mbetur një nga vendet e pakta me një barrë të ulët të borxhit publik (nën 20% kundrejt një mesatare të BE-së prej rreth 90% të PBB-së), një deficit të vogël buxhetor (2% të PBB-së për vitin 2013 kundrejt një mesatare mbi 4% të BE-së) dhe bankat e mirëkapitalizuara (kapital i mjaftueshëm prej mbi 15% kundrejt një mesatare të BE-së prej rreth 5-6%).

Revista Monitor, 21.04.2014