Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria dhe Rumania premtojnë bashkëpunim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj kryesoi vizitën e delegacionit të lartë shqiptar në Bukuresht, pjesë e të cilit ishin edhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri, Drejtori i KESH z. Agron Hetoja dhe deputeti i PS z. Taulant Balla.

Ndër takimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të qëndrimit ne Bukuresht, ishte edhe takimi me Kryeministrin Victor Ponta. Tematikat e diskutuara ishin të shumëllojshme, të fokusuara kryesisht në modelin e ri ekonomik të vendit, axhendën e reformave strukturore që Qeveria është angazhuar të ndërmarrë, marrëveshjet e arritura me FMN dhe Bankën Botërore dhe në veçanti, investimet e huaja.

“Shqipëria dhe Rumania kanë hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit ekonomik” – u shpreh Kryeministri Rumun. Ndërsa Ministri Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy palëve duke theksuar se “ky është momenti më i mirë për të kaluar në projekte konkrete”. Rritja e prezencës së investimeve rumune në Shqipëri dhe hapësirat ende të pashfrytëzuara të bashkëpunimit ishin në qendër të interesit të shprehur nga të dy palët.

Takimi në Rumani është i dyti i realizuar në harkun kohor të një muaji, pas vizitës së zhvilluar në Tiranë të Kryeministrit Ponta dhe delegacionit që e shoqëroi më 18 Mars në Tiranë.

Delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu takime të frytshme me Ministrin e Ekonomisë Constantin Nita, Ministrin për Bizneset e Vogla dhe të Mesme, Klimën e Biznesit dhe Turizmit Florin Nicolae Jianu dhe atë të Energjisë Razvan Nicolescu me të cilët u diskutuan çështje dhe projekte investimesh në fushën e energjisë, eksporteve, modernizimit të sistemit energjetik të hidrocentraleve, sistemet e prodhimit të energjisë përmes ujit dhe erës por edhe për fusha të tjera me interes të përbashkët si industria tekstile dhe turizmi.

energjia.al 17.04.2014