Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqëria civile në Shkup kundër HEC Radika

Të enjten në Shkup mbi 100 persona morën pjesë në konferencën e parë publike në Maqedoni mbi dy HEC-et e planifikiuara në Parkun Kombëtar të Mavrovo-s (në lumin Radikë). Ky park është një ndër zonat më të mbrojtura në vend. Një ditë më parë u inicua një peticion kundër ndërtimit të HEC-eve, tashmë i nënshkruar nga 13 mijë persona.

Për herë të parë dje përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, ekspertë, OJF dhe komunitetet lokale debatuan në një forum mbi HEC-et “Lucovo Pole” dhe “Boskov Most”.

Shoqatat maqedonase “Eko-svest”, Front 21-42 etj. prej vitesh lobojnë për mbrojtjen e parkut kombëtar të Mavrovit në përputhje me udhëzimet e IUCN-së (Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, rrjeti më i madh botëror professional i mbrojtjes së natyrës).

Të enjten këto shoqata përsëri i kërkuan qeverisë që Parku Kombëtar i Mavrovit të mbrohet dhe HEC-et të mos ndërtohen. Maqedonia vetëm 9% të sipërfaqes e ka deklaruar zonë të mbrojtur.

Andrey Sovinc, zëvendës-presidenti rajonal për Europën i IUCN-së shpjegoi se HEC-et nuk duhen ndërtuar në parqe kombëtare. Sipas IUCN-së, thelbi i krijimit të një parku kombëtar është mbrojtja e tij nga ndikimi negativ i aktiviteteve njerëzore. Prandaj në këto zona nuk mund të ndërtohen HEC-e apo çfarëdo objekti tjetër komercial që dëmton parkun.

Ai shtoi se ndërtimi i HEC-eve në parqe kombëtare përfaqëson një përçmim për vlerat e njohura të këtyre parqeve dhe i dërgon një mesazh negativ komunitetit ndërkombëtar, sepse është në kundërshtim me legjislacionin europian, direktivën “Natura 2000” dhe Direktivën Kuadër të Ujërave.

Ligji maqedonas për mbrojtjen e natyrës është përgatitur në përputhje me udhëzimet e IUCN-së dhe me sistemin e saj të kategorizimit të zonave të mbrojtura. Në zona të tilla mund të kryhen vetëm aktivitete tradicionale si kultivim, ekoturizëm, peshkim tradicional e të tjera të ngjashme.

Megjithë paralajmërimet nga ekspertët ndërkombëtarë, legjislacioni pengues dhe protestat në Shqipëri, investitorët janë të gatshëm të investojnë në dy HEC-et. BERZH-i ka aprovuar paraprakisht HEC-in “Boskov Most”, kurse IFC po shqyrton dhënien e kredisë për HEC-in në Lukovo Pole (i cili do të devijojë 2 m3 ujë/sek nga lumi Drin i Zi).

Pas një ankese të Eko-svest mbi projektin e HEC-it në “Boskov Most” BERZH-i kreu një hetim të brendshëm dhe konstatoi se vetë standartet të pjesëmarrjes publike dhe mjedisore të bankës ishin shkelur. E megjithatë asnjë masë nuk u mor për riparimin e shkeljeve. Për më tepër banka po përpiqet të dobësojë rregullat e saj për mbrojtjen e mjedisit që projekte të tilla të aprovohen më lehte. Draft-rregullat e reja parashikojnë që pasojat në mjedis të projekteve të hetohen pasi projektet të aprovohen. Këto studime të kryera pas aprovimit të projekteve nga bordi do të kthehen thjesht në formalitete.

Ekolëvizja, 17.04.2014