Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS, apel sindikatës të respektojë ligjin

Me shqetësim të madh kemi pranuar të gjitha kërkesat e Sindikatës së Punës si dhe njoftimin për mbajtjen e protestave. KEDS ka treguar gatishmëri që të bisedojë për të gjitha kërkesat e parashtruara nga Sindikata dhe në këtë kontekst respekton të gjitha ligjet dhe aktet tjera juridike në fuqi të ndërlidhura me Marrëdhënien e Punës.

KEDS është ndërmarrje private të cilës të hyrat i lejohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst, është më se e rëndësishme të theksohet që ZRrE ka aprovuar të Hyrat Maksimale të Lejuara për 5 vitet e ardhshme (deri në vitin 2017) para se KEDS ka filluar me operimin e rrjetit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike, dhe në kosto operative nuk ka paraparë çfarëdo ngritje të pagave. Si pasojë, KEDS nuk mund të ngritë kostot operative, respektivisht të ngritë pagat, nëse ZRrE nuk ka paraparë çfarëdo aprovimi për një ngritje të tillë. Për shkak se vendimi është marrë para se KEDS ka filluar punën, ne besojmë që arsyetimi i tillë është bazuar në faktin që të gjithë punëtorët në sektorin e energjisë pranojnë paga më të mëdha se paga mesatare në Kosovë.

Dëshirojmë t’ju informojmë që KEDS si ndërmarrje private, funksionon dhe aplikon metoda moderne të menaxhimit, duke respektuar dhe vlerësuar punën e të gjithë punëtorëve. Në këtë drejtim, gjithmonë jemi orientuar drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe sigurisë së punëtorëve pa kurrfarë hezitimi, duke përfshirë investimet në pajisjet mbrojtëse dhe në veglat e punës, si dhe në dhënien e sigurimit shëndetësor për të gjithë të punësuarit.

KEDS do të vlerësonte sikur Sindikata e Punëtorëve të merrte parasysh përpjekjet tona drejt përmirësimit të kushteve të punës, si dhe sikur të kuptoheshin kufizimet të cilat KEDS i ka kundrejt kërkesës së tyre aktuale për ngritje të pagave, që edhe nëse aprovohet nga ZRrE, në mënyrë të pashmangshme do të mund të reflektohej edhe në ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Në cilindo rast, KEDS pret nga Sindikata e Punëtorëve të ndërmarrë të gjitha aksionet në pajtim me ligjin dhe rregulloret, që ndalojnë rrezikimin e procesit të punës të një sektori jetik, siç është sektori i distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike.

Duke vlerësuar lart rëndësinë e komunikimit të brendshëm me të gjithë të punësuarit, për të njëjtat kemi informuar edhe Sindikatën paraprakisht. Si ndërmarrje private vlerësojmë që çështje të tilla të diskutohen brenda në të gjitha nivelet dhe pas përdorimit të të gjitha mënyrave të përcaktuara ligjore punëtorët mund të organizojnë grevë. Në KEDS deri më tani kemi respektuar të gjitha ligjet dhe aktet tjera juridike të aplikueshme në Kosovë dhe kështu mëtojmë edhe në të ardhmen.

energjia.al 16.04.2014