Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi dhe kërcënimet e Rusisë

Sllovakia dhe Ukraina nuk arritën dot një marrëveshje, që do të lejonte kalimin e gazit natyror në Ukrainë nga Bashkimi Europian.

Sipas ministrit sllovak të Ekonomisë, bisedimet dështuan pasi Kievi propozoi një zgjidhje, që mund të prishë kontratat e Sllovakisë me furnizuesit rusë.

Të dy vendet zhvilluan bisedime për çështjen e furnizmit të Ukrainës me gaz natyror, në kushtet kur kriza mes Kievit dhe Moskës rrezikon që kjo e fundit ta pakësojë, ose ndalojë, transportin e gazit natyror, një veprim që mund të ndikojë te kalimi tranzit i gazit drejt Europës.

Rusia po e përdor rolin e vet, si furnizuese kryesore e Europës me gaz natyror, për të ushtruar presion ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Europa e merr rreth 30 përqind të gazit nga Rusia dhe gjysma e kësaj sasie kalon përmes Ukrainës.

Por, sa po e ndihmon Moskën shfrytëzimi i eksporteve të energjisë për të arritur objektivat e veta diplomatike dhe gjeopolitike në Europë?

Viktor Yanukovych, në atë kohë president i Ukrainës, u takua me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, Dhjetorin e kaluar, kur ai pritej të nënshkruante marrëveshje të rëndësishme tregtare dhe politike me Bashkimin Europian.

Por, ndodhi ajo që i druheshin shumë ukrainas: zoti Yanukovych i hodhi poshtë marrëveshjet, duke ndjekur këshillat e presidentit rus Vladimir Putin, që e kishte joshur ish-presidentin me premtimin për uljen e çmimit të gazit.

Në kushtet kur Ukraina përdor një sasi të madhe gazi rus, marrëveshja i dukej e mirë zotit Yanukovych. Por, pasi zoti Yanukovych u rrëzua nga pushteti prej protestave masive në muajin Shkurt, gazi rus u përdor më tepër si ndëshkim, se sa si joshje për vendin.

Muajin e kaluar, Alexei Miller, drejtori i gjigantit të gazit rus, Gazprom, ra dakord me kryeministrin rus, Dmitry Medvedev, të rrisnin 44 përqind çmimin e gazit që i shitet Ukrainës. Me rritjen e madhe të çmimit, Ukraina tani i ka një borxh prej 2,2 miliardë dollarësh Gazpromit.

Nëse Ukraina vazhdon të mos i paguajë faturat dhe pa ndihmën nga jashtë, Gazprom-i mund t’ia ndalë furnizimin.

Ky mund të jetë një lajm jo i mirë për Europën, thotë Antony Froggatt, studiues në institutin “Chatham House”. Ai thotë se Rusia mund të vazhdojë ta përdorë gazin si një mjet politik.

“Ekonomia ruse varet së tepërmi nga energjia. Prandaj, nëse nuk sheh më potencial dhe përfitim ekonomik nga furnizimi i Ukrainës me gaz me çmim më të ulët, atëhere ajo do ta rrisë çmimin. Dhe ndodhën ndryshimet që kemi parë në Europë dy muajt e fundit”.

Por, këtë herë, kërcënimi nuk është aq i madh sa mosmarrëveshjet për çmimin në dimrat e viteve 2006 dhe 2009. Vendet europiane, që nga ajo kohë, kanë kanë gjetur mundësi të tjera për plotësimin e nevojave energjitike, dhe nuk varen te gazi rus në muajt e verës.

Shumica e vendeve europiane krijojnë tani rezerva gazi dhe depot mund të jenë plot, edhe për shkak të dimrit të butë të këtij viti.

“Situata e çmimeve të gazit në vitet 2006 dhe 2009 ishte ndryshe, ngaqë, së pari ishte dimër, së dyti BE në tërësi ishte më e varur te gazi rus, dhe së treti, pjesa më e madhe e gazit rus vinte nga Ukraina. Një pjesë e madhe e shpërndarjes së tij tani është diversifikuar, pra shkon rrotull Ukrainës”, thotë zoti Frogatt.

Rusia, po ashtu, duhet të ketë parasysh koston ndaj ekonomisë së vet, nëse pezullon eksportet e gazit, që i sigurojnë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave.

Cilatdo qofshin ambiciet gjeopolitike të Putin-it, shumica e analistëve të energjisë duket se janë dakord se ai do të mendohet dy herë lidhur me rrezikimin e këtyre të ardhurave.

Top Channel, 17.04.2014