Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia që do të vijë

Buxheti i familjeve për energjinë nuk do të preket nga reformat. Ministri Damian Gjiknuri flet për problemet në sektorët e institucionit që drejton. Çfarë do të ndodhë me lejet minerare, hidrokarburet dhe gazin.

Duket i qetë dhe i shplodhur në pamje të parë. Por nuk i mjaftojnë 24 orë në ditë për të përballuar axhendën e ngjeshur, takimet me njerëzit që presin në radhë; sepse nuk ka një formulë magjike që do të përmirësonte të gjithë sektorët që përmban portofoli i tij i gjerë dhe shumë i rëndësishëm ministror: energjinë, hidrokarburet apo minierat që duket se po e lënë pa gjumë. Së fundmi vetëm për të flitet. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, sqaron opinionin e pështjelluar publik me pikëpyetjet nëse do të rritet apo jo çmimi i faturës së energjisë elektrike. Përgjigja është jo! Të paktën për momentin, derisa ministria që drejton dhe ekzekutivi të reformojnë këtë sektor, të reduktojnë humbjet e mëdha që ka dhe të kryejë një analizë reale mbi çmimin e energjisë elektrike, për të cilin Gjiknuri sqaron në një intervistë për revistën Klan se nuk reflekton kurrsesi koston aktuale të energjisë. Problemet në këtë sektor për të janë madhore, dhe përgjegjëse është qeverisja e mëparshme që në tetë vite nuk investoi kurrë, por i mëshoi gjithnjë e më shumë ëndrrës së “Shqipërisë superfuqi energjetike”. Duke folur me këmbë në tokë, Gjiknuri thotë sot se situata nuk është kaq rozë, përkundrazi. Është e rëndë, e vështirë për t’u zgjidhur dhe me kosto të lartë financiare. Por jo e pamundur për t’u rikuperuar. Skemat që po diskutohen për përmirësimin e sektorit janë të shumta. Nga liberalizimi i tregut të energjisë, riprivatizimi i suksesshëm i një pjese të tij, apo edhe drejtimi i vëmendjes ndaj eficencës së energjisë, që do të kursente miliona lekë në të ardhmen. Ministri flet edhe për hapjen e Shqipërisë ndaj burimeve të tjera të energjisë, siç është gazi, për lejet minerare dhe procedurat që do të ndiqen si dhe aferat korruptive që zbuloi në momentin kur mori çelësat e institucionit në dorë.

-Zoti Gjiknuri, si e gjetët situatën në ministri në tërësinë e saj, nëpunësit, buxhetin, zbatimin e ligjit, etj., në momentin që morët çelësat e këtij institucioni në dorë?

Ministria që unë mora përgjigjet për gati 20 për qind të GDP-së së vendit dhe mbulon disa nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Gjendja ka qenë shumë e keqe. Po të flasim për sektorin energjetik ka qenë një gjendje me një zinxhir borxhesh mbi 1.1 miliardë dollarë të krijuara ndër vite. Po të flasim për sektorin e minierave, ka qenë një sektor jashtëzakonisht i keqmenaxhuar dhe problematik përsa i përket sigurisë teknike në punë dhe neglizhimi i të drejtave publike në favor të shtetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sektorin e hidrokarbureve që është shumë i rëndësishëm, që ishte jashtë monitorimit të duhur shtetëror për t’i bërë favor siç duket koncensionarëve të ndryshëm. Pra, me pak fjalë kemi trashëguar një konglomerat problemesh me një performancë të ulët që është një shqetësim i madh për shoqërinë dhe politikën shqiptare. Ministrinë e gjeta në pikën më të keqe të mundshme dhe kjo po na merr energji të mëdha për të sjellë gjërat brenda standardeve siç e kërkon ligji.

-A keni marrë ndonjë masë për këtë situatë të rëndë të cilën thoni se keni gjetur? Ndonjë kallëzim penal?

Patjetër. Një pjesë e ish-drejtuesve që kanë qenë në këtë ministri kanë përgjegjësitë e tyre. Kemi bërë kallëzime për ish zyrtarët më të lartë të ministrisë, sekretarin e përgjithshëm, drejtues të tjerë që kanë qenë përgjegjës për kontratat koncensionare, lejet minerare, apo shumë fusha të tjera ku janë vërejtur shkelje dhe këto kallëzime i kanë kaluar prokurorisë. Por nga ana tjetër dua të theksoj se ajo që na ka rënduar më shumë ka qenë keqmenaxhimi i të gjithë sektorit, sidomos sektorit energjetik. Përtej asaj që është deklaruar se Shqipëria është një superfuqi energjetike, mund ta quajmë shumë pastër “të sëmurin energjetik” dhe pikën më të sëmurë të ekonomisë shqiptare.

Sapo erdha në ministri, zhvillova një sërë procesesh auditimi në lidhje me kontrata të ndryshme dhe mënyrën se si janë menaxhuar gjërat. U anuluan që në fillim 13 koncensione dhe mbi 140 leje minerare, përfshirë edhe një pjesë në zonën problematike të Bulqizës. Për të vazhduar me leje të tjera koncensionare në fushën e HEC-eve. Jemi në një proces përfundimi edhe për një pjesë tjetër të HEC-eve, që u ka kaluar çdo lloj afati dhe mesa duket janë thjesht letra për t’i tregtuar në tregun e zi. Edhe këto do të anulohen shumë shpejt. Gjithashtu kemi shtrënguar monitorimin mbi kontratat e naftës, hidrokarbureve duke mbrojtur më mirë interesat publike dhe duke sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

gjiknuri_ne_albpetrol-Duke u ndalur pak tek nafta, cili është vlerësimi për kompaninë Albpetrol? Së fundmi po flitet se kjo kompani po derdh lekë në buxhetin e shtetit, ndërsa nga ana tjetër ka pasur edhe protesta të punonjësve.

Protestat kanë të bëjnë me një koncensionar që ka marrë një kontratë verën e vitit të kaluar dhe ka lënë pa paguar punëtorët. Ndaj njerëzit të shqetësuar shkuan në zyrat e Albpetrolit. Kjo kompani ka pasur një ristrukturim përsa i përket fuqisë punëtore, edhe për faktin se ishte përdorur shumë si strehë për militantë të ndryshëm. Një ndërmarrje e cila ishte gati pa asnjë aktivitet ekonomik punësonte mbi 3100 njerëz. Pra ishte një ndërmarrje ku njerëzit merrnin para dhe bënin punë të tjera. Ne vendosëm t’i japim fund kësaj gjendjeje, të reduktojmë forcën punëtore dhe të risim eficencën ekonomike. Faktikisht, sot Albpetrol mund të shkojë këtë vit në një të ardhur prej 60 milionë dollarë, si xhiro dhe me reduktim në shpenzime. Jemi duke diskutuar se çfarë do të bëjmë me këtë kompani. Do të heqim blloqet e naftës të paeksploruara nga administrimi i kompanisë për t’i kaluar në strukturat e ministrisë dhe për t’i nxjerrë ato në konkurs për kompani të ndryshme që interesohen. Albpetrolit do t’i lëmë monitorimin e atyre marrëveshjeve aktuale që ka dhe përdorimin më eficent të burimeve të mbetura që ka si kompani. Këto masa do t’i ndërmarrim për të gjetur ndonjë mënyrë nesër, qoftë privatizimi apo edhe ndonjë formë tjetër bashkëpunimi me sektorin privat për të sjellë më shumë të ardhura për shtetin.

-Për të qenë sa më të qartë, a do të rritet çmimi i energjisë elektrike? Nëse po, sa? Dhe a do të mund ta përballojnë shtresat në nevojë?

Së pari, dua të theksoj se nuk ka ndonjë detyrim apo kusht nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për rritjen e çmimit të energjisë. Por duhet të bëhet e ditur edhe për publikun se çmimi aktual i energjisë në Shqipëri nuk reflekton koston aktuale të energjisë. Aktualisht jemi në një deficit që përballohet nga buxheti i shtetit. Janë disa faktorë që kanë çuar në ndryshimin e kostove të energjisë elektrike. Janë dështimet e politikave të kaluara, borxhi i madh i trashëguar, privatizimi i pamenduar mirë që në këtë pikë i dëmshëm për buxhetin e shtetit apo për Korporatën Elektro-energjitike i 4 HEC-eve në vitin 2012 që unë do i quaja thjesht privatizim për qëllime elektorale, shtimi i koncesioneve private dhe mos planifikimi i tyre në çmime, shtimi i shumë HEC-eve private, që edhe ky është një vektor që ka ndikuar në presionin për rritjen e kostos së energjisë dhe mosinvestimi për gati 8 vjet në sektorin e shpërndarjes. Po kështu negativisht ka ndikuar efiçenca e keqe e këtij sektori, përfshirë edhe humbjet e mëdha të energjisë. Në tarifën aktuale të energjisë njihet vetëm 19 për qind e humbjes, gjë që bën që mbi 20 e ca për qind të tjera, jo vetëm që janë abuzim nga pikëpamja financiare, por edhe nuk reflektohen në koston zyrtare, apo tarifën e energjisë. Duhet të reduktojmë humbjet. Kuptohet që duke nisur nga gjendja e vështirë ekonomike e popullatës, qeveria nuk është nxituar dhe as nuk është angazhuar se do të bëjë një rritje arbitrare të energjisë elektrike. Por abuzimet janë të shumta. Sot që flasim është e pamundur që 80 për qind e konsumatorëve familjarë të harxhojnë deri në 300 kilovatë. Ky është thjesht një abuzim që bëhet nga lexuesit e sahateve të energjisë. Ne jemi duke parë të gjithë skenarët dhe opsionet, në mënyrë që edhe kostoja të jetë sa më e përshtatshme por edhe të mos dëmtohen konsumatorët familjarë. Por patjetër që ky do të jetë viti i reformave dhe i një studimi dhe analize reale për çmimin e energjisë elektrike. Në të gjitha rrethanat, do të gjejmë skema të tjera, që familjet, sidomos ato në nevojë të mos preken nga këto masa. Ndërkohë që masa të tjera do të çojnë drejt një liberalizimi të një pjese të tregut ndaj atyre që quhen klientë komercialë, dhe mbase do të duhet që edhe për disa vjet, fatkeqësisht e them këtë, që një pjesë të deficitit monetar në sistemin energjetik do të vazhdojë ta mbajë prapë shteti. Por duhet kuptuar se në të gjithë botën, çmimet e energjisë janë të luhatshme dhe reflektojnë kostot e tyre. Një vend që ka eficencë të dobët nga ana energjetike dhe ka abuzime, dhe burimet energjetike nuk janë të mjaftueshme por vulnerabël ndaj luhatjeve të importit, patjetër do të jetë në një stres përsa i përket stabilitetit të çmimit, që ose do të përballohet nga buxheti i shtetit ose nga konsumatorët.

-Së fundmi kemi dëgjuar shumë prej jush por edhe zyrtarë të tjerë për problemet e mëdha me energjinë elektrike, shpërdorime dhe vjedhje, ashpërsim të dënimeve dhe shumë masa të tjera. Realisht ç’po ndodh me këtë sektor?

Ne po marrim masa konkrete, jo vetëm me ndryshimet në Kodin Penal, por së shpejti do të nxjerrim edhe një paketë tjetër në lidhje me shumë shërbime të karakterit publik dhe raportin e qytetarit me shtetin. Përsa i përket energjisë elektrike, pagesa e energjisë elektrike do të jetë një parakusht i rëndësishëm për të marrë një shërbim, kontratë publike apo për të kryer një veprim, në mënyrë që të paktën pjesa e likuiditetit, pra pagesa e faturave të përmirësohet. Nga ana tjetër, mungesa e investimit ka krijuar shumë probleme. Aktualisht ka mbi 270 mijë klientë që nuk janë të pajisur me sahate. Pra edhe ky është abuzim, ndaj duhet investim i shpejtë. Ka shumë lidhje të paligjshme, dhe këtu sërish kemi të bëjmë edhe me raste implikimit të punonjësve brenda radhëve të sektorit të shpërndarjes. Kjo gjë do të luftohet përmes një menaxhimi më të mirë të kompanisë. Të dhënat e para janë deri diku premtuese sepse në tetorin e kaluar humbja e energjisë ka qenë tek 52-53 për qind, aktualisht është 41-42 për qind. Jo se jam i kënaqur, por kemi një ulje të humbjes së energjisë tek 10 për qind për 5 muaj punë, gjë që është premtuese. Duhet të ndalohet hemorragjia mbi financat publike që shkon në 200 milionë dollarë abuzim në vit.

cez-shperndarje-A synon qeveria e re një riprivatizim, këtë herë të suksesshëm të CEZ, për ta bërë më eficent?

Së pari duhet të gjejmë një zgjidhje për CEZ. Aktualisht sot që flasim, nuk është as shtet dhe as privat, gjë që është një pengesë serioze për investimet në sektorin e energjisë, sepse e kanë të vështirë edhe bankat edhe institucionet ndërkombëtare për të ofruar asistencë financiare, në momentin kur kompania nuk është as shtetërore as private. Kjo zgjidhje duhet të shtrihet në kohë dhe mos ndikojë direkt financiarisht dhe njëkohësisht të hapë mundësi për investime në këtë sektor, pasi kemi disa institucione që janë gati dhe ofrojnë paketa shumë të mira asistence, mbështetje financiare, kredi për investime, etj. Siç është Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe kemi përfunduar marrëveshje paraprake me ta për të investuar vlera mbi 100 milionë në sektorin e shpërndarjes, gjë që do të sjellë eficencë më të mirë dhe uljen e kostove dhe një shërbim më të mirë dhe reduktim të humbjeve. Ka edhe masa të tjera, reforma që kanë të bëjnë me liberalizim të një pjese të tregut, kjo do të bëjë që 20 – 30 për qind e tregut nga aktualja, të jetë e liberalizuar dhe shteti të fokusohet tek klientët familjarë, biznese të vogla, gjë që e ngushton rrethin e abuzimeve. Përsa i përket privatizimit, duam të gjejmë një zgjidhje për forcimin e korporatës dhe menaxhim më të mirë fillimisht. Po studiojmë eksperienca të mira botërore, se si i kanë kaluar vende të tjera kriza të ngjashme dhe si e kanë përmirësuar menaxhimin e korporatave të tilla. Pasi kjo ndërmarrje të forcohet, duhet të shikohet mundësia e një riprivatizimi apo të gjenden forma të tjera të kontraktimit me sektorin privat për një menaxhim më të mirë të këtij sektori.

-A do të kemi drita këtë verë, po të marrim parasysh rënien e madhe të burimeve ujore?

Edhe pse burimet ujore janë nën 40 për qind më pak, për shkak të thatësirës, kaskada është menaxhuar shumë mirë me kushte të vështira dhe ne do të bëjmë çmos që energjia të mos mungojë. Nëpërmjet importeve do të kompensojmë pjesën e munguar të burimeve të brendshme. Është e dhimbshme, por e rëndësishme të sigurojmë me çdo çmim energjinë elektrike.

-Shumë shtete evropiane po vënë gjithnjë e më shumë në jetë projekte për eficencën e energjisë me kursime të mëdha për të ardhmen, a keni ju ndonjë projekt të tillë, qoftë edhe pilot?

Jemi duke punuar në këtë drejtim. Unë e shoh si një fushë të mirë për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike. Do të miratojmë shumë shpejt ligjin e ri të eficencës së energjisë elektrike, ku futen shumë parametra dhe standarde evropiane përsa i përket kodeve të banimit apo të ndriçimit. Kemi një projekt që vijon për disa mjedise publike që financohen nga fondet e Bashkimit Evropian për disa qytete. Unë e shoh si një fushë me shumë potencial si në ndriçimin publik, si për uljen e kostove për ndërmarrjet publike, si ujësjellësat, për shembull që janë edhe debitorët më të mëdhenj. Këto projekte sjellin ulje të konsumit të energjisë, që është shumë e rëndësishme.

tuneli_miniera_bulqizes
tuneli_miniera_bulqizes

-Çfarë po ndodh me licencat minerare? Do të vijojnë të lëshohen apo synoni të shkoni drejt një tkurrjeje apo një moratoriumi?

Jo nuk do të ketë moratorium. Ne kemi shpallur edhe listën për këtë vit. Duam të promovojmë burimet natyrore të Shqipërisë, përfshirë edhe minierat. Ajo që ne nuk do të lejojmë, është se nuk do të japim më leje të pastudiuara, me mbivendosje apo që fragmentojnë shumë procesin. Nuk do të lejojmë që këto leje të mbahen kot nga njerëz për t’u tregtuar dhe nuk do të lejojmë që jeta e minatorëve të jetë totalisht e ekspozuar, sepse disa koncensionarë duan të ulin kostot duke mos marrë masa mbrojtëse apo duke mos paguar të gjitha detyrimet ndaj punonjësve. Këto nuk do t’i lejojmë, dhe do të ushtrojmë mbikëqyrje intensive mbi gjithë sektorin minerar.

-Opozita po ju kritikon ashpër se jo vetëm që nuk po realizoni premtimet e bëra, por po zhbëni dhe hapat para të realizuara kur ajo ishte në pushtet në shumë sektorë, veçanërisht në atë energjitik.

Opozita është futur tek sindroma që çdo gjë që bën qeveria duhet ta sulmojë. Ajo është si ai individi që kthehet tek vendi i krimit pasi e ka bërë krimin. Opozita është përgjegjësja kryesore për situatën e rëndë energjetike dhe atë në sektorin minerar. Ajo duhet të heshte dhe të jepte kontributin e saj në heshtje për ato gjëra që nuk i bëri mirë dhe ishte peng e ëndrrës të shkalluar të një njeriu që ndërtoi në kokën e tij superfuqi energjitike apo fliste tërë ditën për ritme të zhvillimit si Gjermania, ndërkohë që sot Shqipëria është ndër vendet me financat më të dërrmuara botërore. Opozita e ndodhur pak në trysninë e këtij njeriu që nuk pranon akoma se i ka humbur zgjedhjet apo kujton se është ende faktor kryesor i pushtetit, është futur në sindromën që çdo gjë të mirë, do ta etiketojë si një makth që do shkatërrojë ekonominë. Në vend që të heshtin, si duket kanë zgjedhur formën e destruktivitetit dhe të vazhdimit të bërjes dëm ndaj këtij vendi. Por nuk kanë çfarë t’i bëjnë më dëm, pasi nuk e kanë më as forcën morale dhe as numerike dhe nuk mund të jenë frenues ndaj reformave të rëndësishme të vendit. Janë ata që e lanë vendin tokë të djegur. Hynë në borxhe, dhe bënë aventura ekonomike vetëm për të fituar zgjedhjet. Kosto që trashëguam nga ajo politikë do të jetë shumë e lartë ndër vite. Ne po punojmë ta reduktojmë këtë kosto që e çoi vendin drejt falimentimit total.

tap gaz tubacione-Si e shihni perspektivën e projektit TAP në Shqipëri?

Ne po punojmë për një strategji për qëndrueshmërinë e furnizimit me energji në të gjitha format. Kjo kërkon investime dhe diversifikim, duke bërë përpjekjet që Shqipëria të përfitojë nga projekti TAP jo vetëm për mbarëvajtjen e suksesshme të investimit, por të përfitojë gaz për nevojat e veta, kryesisht për prodhim energjie por edhe nevoja të tjera industriale. Për këtë po punojmë për krijimin e një masterplani për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, që do të jetë platforma bazë e nevojshme për çdo investim të mëvonshëm në këtë sektor. Po investojmë në lidhjet në rrjetin infrastrukturor energjitik të Shqipërisë, siç janë interkonjeksioni me Kosovën, me Maqedoninë vitin tjetër dhe shpresojmë në të ardhmen e afërt me Italinë me kabullin nënujor. Të gjitha këto do ta lidhin më mirë Shqipërinë me rrjetet energjitike evropiane, do të krijojnë mundësinë e tregtisë dhe do t’i japin vlerë edhe burimeve shqiptare që të kenë mundësi të eksportojnë në tregje të tjera. Këto sjellin qëndrueshmëri në furnizim dhe në çmimet e energjisë. Janë reforma që kërkojnë shumë vite, por e rëndësishme është të kemi strategji dhe qeveria e ka vullnetin për të shkuar në këtë rrugë të gjatë por të pakthyeshme.

Revista Klan, 17.04.2014