Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria e Gjermanisë pengon energjinë e rinovueshme

Ndërsa i ka premtuar vetes reduktimin e emisioneve të karbonit, Gjermania po zhvillon gjerësisht miniera të reja linjiti e po ndërton termocentrale qymyri. Për disa kjo është kontradiktë, për të tjerë, thjesht zgjidhje.

BBC

Gjermania njihet si udhëheqësi iluminist në betejën botërore për reduktimin e emisioneve të gazrave serë, një pionier në energjinë e rinovueshme për projektet e energjisë komunitare dhe kampion për eficiensën energjetike.

Kjo është narrativa e zakonshme. Por mos tento t’ia thuash këtë Monika Shulz-Hopfner (Schulz-Hopfner). Ajo dhe bashkëshorti i saj, krahas 250 banorëve të Atervash, një fshat i qetë pranë kufirit të Polonisë, përballen me përzënie nga shtëpitë e tyre ku banojnë që prej 30 vjetësh për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere qymyri.

Dhe jo thjesht qymyrin e zakonshëm, por linjitin, formën më të pistë të kësaj energjie të lashtë fosile që nxirret në gropa të stërmëdha të hapura në sipërfaqe.

Nëse plani ecën përpara, fshati, i cili ka ekzistuar që prej 700 vjetësh, do të shkatërrohet.

“Që kur planet për minierën u publikuan në vitin 2007, ne kemi jetuar nën kërcënim të vazhdueshëm, kërcënim që ka pushtuar jetët e çdo individi, si dhe të bashkësisë në tërësi”, thotë zonja Shulz-Hopfner.

“Çdo vendim është i prekur nga ky kërcënim.” Dhe banorët e Atervash nuk janë të vetmit. Në Rajonin e Lausitzit në Gjermaninë Lindore, nëntë fshatra janë nën kërcënim dhe deri në tre mijë njerëz mund të humbasin shtëpitë e tyre për t’u hapur rrugë pesë minierave të reja të linjitit, të cilat pritet të ushqejnë një shtim të urisë së vendit për qymyr. Planet janë edhe për dy miniera të tjera.

Minierat nevojiten për t’i dhënë energji një gjenerate të re termocentralesh me qymyr. Dy termocentrale me linjit u hapën në vitin 2012, dhe dy të tjera janë duke u ndërtuar. Edhe dy termocentrale me qymyr të fortë u hapën gjithashtu këtë vit e pesë do të hapen vitin e ardhshëm. Ka edhe disa projekte në pritje të licencave.

Efektet sakaq po ndihen. Prodhimi i linjitit më 2012-n arriti nivelin më të lartë në gati 20 vjet, ndërsa vlerësimet paraprake tregojnë se ky qymyr i kaftë u përdor për të prodhuar 162 miliardë kWh elektricitet vitin e kaluar, niveli më i lartë që nga viti 1990. Edhe përdorimi i qymyrit të fortë është rritur, gjë që do të thotë se këto dy burime energjie siguruan 46 për qind të të gjithë prodhimit energjetik të vendit.

Ndikimi në çlirimet e CO2 ka qenë i menjëhershëm. “Ka pasur një rritje në masën 5-7 për qind gjatë dy viteve të fundit”, thotë prof. Klaudia (Claudia) Kemfert, kreu për energjinë në Institutin e Gjermanisë për Kërkime Ekonomike.

Dhe kjo ka ndodhur në një vend që synon të reduktojë çlirimin e gazrave serë me 40 për qind të nivelit që qenë më 1990-n brenda pak viteve të ardhshme.

Siç thotë prof. Kristian Hej (Christian Hey), sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Gjermanisë për Mjedisin: “Gjermania ka një problem me qymyrin”.

Ka shumë arsye se pse.

Një arsye është kostoja e ulët e emetimit të karbonit. “Për shkak të dështimit të sistemit të tregtisë së emisioneve, çmimi i lejeve për të emetuar CO2 është shumë i ulët”, thotë prof. Hej. “BE-ja ka dështuar në trajtimin e këtij problemi.”

Prodhimi i tepërt dhe rënia e kërkesës për energji – rrjedhimisht e çmimit të lejeve – gjatë krizës ekonomike të fundit bën që çmimi të qëndrojë në rreth 3 euro për ton CO2. Nëse çdo gjë do të shkonte sipas planit, çmimi do të ishte dhjetë herë më shumë sesa është sot.

Kapaciteti i tepërt prodhues ka sjellë nga ana tjetër uljen e çmimit të qymyrit, ndërsa industria e linjitit ka përfituar mbi 60 milionë euro nga të qenët e përjashtuar nga detyrimi për të mbështetur energjitë e rinovueshme, thotë prof. Hej.

Kjo do të thotë se energjia fosile ka rënë nën atë që në Gjermani e quajnë grafiku i porosisë sipas meritës. Ky koncept u krijua në Gjermani në vitet 1990 dhe përcakton se me çfarë rendi do të konsumohen burimet energjetike të disponueshme. Burimi më i lirë energjetik konsumohet i pari, më i shtrenjti, i fundit.

Energjia e rinovueshme (hidro) është më e lira, e pasuar nga energjia bërthamore. Pas kësaj vjen linjiti, pasuar nga qymyri i fortë. Dhe për shkak se qeveria ka vendosur të nxjerrë nga përdorimi energjinë bërthamore deri në vitin 2022, linjiti do të zbresë edhe më poshtë në listën e energjisë së lirë.

Deri sa çmimi i karbonit të rritet, atëherë linjiti do të mbetet në zemër të prodhimit energjetik të Gjermanisë. “Kjo është një nga gjërat e gabuara të tranzicionit energjetik dhe nëse qeveria dëshiron ta zgjidhë këtë, ajo mundet”, thotë prof. Hej.

“Për ta zgjidhur këtë paradoks, qeveria ka nevojë të miratojë një kuadër rregullator mbi qymyrin. Aktualisht ajo bazohet te tregu dhe jo te rregullat dhe ky është çelësi i problemit.”

Siç thotë prof. Kemfert: “Qeveria nuk po bën asgjë.”

Në fakt, qeveria e re e koalicionit të madh thotë se të gjitha burimet energjetike fosile janë njësoj të rëndësishme në sigurinë e furnizimit me energji për vitet e ardhshme.

Por, pavarësisht mosveprimit të qeverisë, ka disa arsye që të shtyjnë të mendosh se rritja e përdorimit të linjitit mund të mos zgjasë shumë. Të gjitha termocentralet e ndërtuara gjatë viteve të fundit, bashkë me ato që pritet të hapen këtë vit dhe vitin tjetër, i kanë marrë lejet dhjetë vjet më parë, kur çmimet e energjisë qenë shumë më të larta nga sa janë sot. Disa mendojnë se investime të tilla masive thjesht nuk janë me leverdi në klimën aktuale ekonomike.

Siç thotë Mariana Heinrish (Heinrich) nga kompania e menaxhimit dhe konsulencës “Poyry”, këto termocentrale “përfaqësojnë fundin e një cikli biznesi dhe jo një tendencë afatgjatë”.

Ajo që është më e rëndësishme, “nuk ka uri publike apo politike për ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr për 30-40 vitet e ardhshme”, argumenton Lars Valdman (Waldman), një ekspert energjie.

Dhe ai thotë se linjiti nuk është i nevojshëm për të mbushur hendekun që do të mbetet nga mbyllja e energjisë bërthamore, një vendim i ndërmarrë në vitin 2000.

“Ne shpresojmë dhe mendojmë se gazi do ta mbushë këtë hendek, për shkak se sakaq ka kapacitet të instaluar të mjaftueshëm”, thotë Valdman. Ky kapacitet është gjerësisht në gjumë aktualisht, për shkak të çmimit të lirë të qymyrit dhe çmimit në rritje të gazit.

“Nga pikëpamja ekonomike, energjia e rinovueshme dhe gazi mund të jetë mënyra më e mirë për të mbuluar të gjithë kërkesën.”

Por zonja Shulz-Hopfner nuk është se ngushëllohet shumë nga kjo.

“Është idiotike. Ne nuk kemi nevojë për më shumë linjit, për shkak se ne po përdorim më shumë energji të rinovueshme”, thotë ajo. “Nëse me të vërtetë gjermanët duan Energiewende (tranzicionin energjetik), atëherë nuk ka më nevojë të shkatërrohen më shumë fshatra.”

Por gjenerata e re e termocentraleve me qymyr nënkupton që energjitë fosile do të mbeten pjesa më e rëndësishme e miksit energjetik të Gjermanisë.

Fakti që linjiti do të jetë gjithmonë i lirë për t’u prodhuar, në aleancë me një lobing të fuqishëm pro qymyrit në politikën e Gjermanisë, nënkupton që joshja për t’u mbështetur në këtë energji të pistë mbetet e fuqishme për aq kohë sa çmimi i karbonit do të jetë i lirë.

Por, për një vend që, në kaq shumë drejtime, është udhëheqës në energjinë e pastër, pa përmendur këtu angazhimin për reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit, kjo ngjan si kontradiktë më e pakta.

Çfarë është linjiti?

Me kalimin e kohës, torfa konvertohet në linjit, i cili, për shkak të nxehtësisë, presionit dhe ndryshimeve kimike përgjatë miliona viteve, konvertohet në qymyr të fortë.

Intensiteti energjetik i linjitit është më i ulëti mes të gjitha formave të qymyrit, gjë që e bën atë më pak eficientin.

Për shkak se është më pak i dendur, linjiti digjet shumë më shpejt sesa qymyri i fortë. Linjiti nxirret në miniera të krijuara në gropa të hapura, të cilat zënë një territor shumë më të madh sesa minierat e thella që përdoren për të nxjerrë qymyrin e fortë.

Linjiti përmban më pak karbon, por më shumë sulfur sesa qymyri i fortë.

Gazeta Shqip, 16.04.2014