Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet e huaja, kryesojnë nafta dhe energjia

Kriza ka ndryshuar ndjeshëm strukturën e investimeve të huaja në Shqipëri, sipas vendit të origjinës.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investitorët më të mëdhenj nuk janë më as grekët dhe as italianët, por kanadezët, zviceranët dhe austriakët. Banka Qendrore ka publikuar të dhënat më të fundit të investimeve sipas shteteve, që janë të disponueshme deri në fund të vitit 2012. Sipas këtyre të dhënave, stoku më i madh i investimeve të huaja i takon Kanadasë, me 706 milionë euro. Investimet kanadeze në Shqipëri janë të përqëndruara kryesisht në sektorin e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës. Sipas statistikave, që nga vitit 2009 deri në vitin 2012, investimet e kompanive kanadeze janë rritur me shtatë herë.

Dy shtet që kanë rritur me ritme shumë të larta investimet në vitet e fundit janë Zvicra dhe Austria. Në fund të vitit 2012, investimet zvicerane kishin vlerën e 507 milionë eurove, ndërsa ato austriake ishin 498 milionë euro. Për sa i takon investimeve austriake, ato janë shtrirë kryesisht në sektorin energjitik dhe në atë të ndërmjetësimit financiar, përmes kompanive të rëndësishme si EVN, Verbund apo Raiffeisen. Për vende si Zvicra, drejtimi sektorial i nuk është shumë i qartë, duke pasur parasysh se në Shqipëri nuk ka investitorë të mëdhenj zviceranë. Sasia e lartë e investimeve nga ky vend ndoshta lidhet me faktin që mjaft kompani shumëkombëshe regjistrohen në Zvicër, duke bërë që kapitali i investuar të klasifikohet si zviceran.

Të dhënat: Banka e Shqipërisë, përpunimi: energjia.al
 

Kanadaja, Austria dhe Zvicra së bashku kanë sjellë afro 50% të gjithë investimeve të huaja, deri në fund të vitit 2012. Dy shtetet që kanë udhëhequr për vite renditjen e invesitmeve të huaja, Greqia dhe Italia, në vitet e krizës kanë mbetur mbrapa. Investimet italiane ka ruajtur një rritje të qëndrueshme dhe në vitin 2012 arritën vlerën e 434 milionë eurove. Ndërsa investimet greke, pasi arritën një kulm prej 601 milionë euro në vitin 2010, ranë në dy vitet në vijim deri në nivelin e 451 milionë euro. Së bashku, investimet greke dhe italiane përbënin 25% të totalit. Të tjera vende me sasi të konsiderueshme investimesh në Shqipëri janë Turqia, me 263 milionë euro apo Holanda, me 243 milionë euro.

Scan TV, 15.04.2014