Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Replika Berisha-Gjiknuri për energjinë në Kuvend

Ish-Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend deklaroi se sistemi energjetik po shkon drejt falimentimit për shkak të keqmenaxhimit. Ai bëri thirrje që të ndalet revanshi për ndërtimin e hidrocentraleve, duke shtuar se një shtet që shkel kontratat është shtet zuzar.

“Propozoj amnisti të plotë për kamatat dhe pagesat e energjisë elektrike për gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike, janë në pension, të bëhet një fillim nga zero për ta. Qeveria e ka të qartë se ka qytetarë shqiptarë se as sot dhe as pas 5 vitesh nuk do të paguajnë dot, ne do mbështetsim çdo përpjekje në këtë drejtim. Por mënyra si po ecni po shkon drejt katastrofës”, tha Berisha.

Menjëherë më pas, fjalën e ka marrë ministri Gjiknuri:

“Si ai njeriu që kthehet gjithmonë tek vendi i krimit, përmend sukseset e tij për ato të këqia që ka bërë dhe fërkon barkun. Këtu i referohem sektorit energjetik.

E para, tha një gënjeshtër të madhe, përzjeu probleme të ndryshme. Nuk tha njeri që nuk është investuar në sistemet e transmetimit, u tha se nuk është investuar në shpërndarje për 8 vjet dhe kjo dihet. Asnjë lekë nuk është investuar, përkundrazi, i vetmi investim që u bë, u krijua gropa e madhe financiare me atë privatizimin spektakolar, të dështuar, që bëre t’i zotëri dhe që koston vazhdojmë ta paguajmë shumë rëndë për shkak të papërgjegjshmërisë që krijove.

Kjo është e para gjë që lidhet me investimin. Pra, në sektorin e shpërndarjes nuk është investuar në mbi 8 vjet, prandaj sektori i shpërndarjes është pika më e dobët dhe kjo është e shkaktuar direkt nga ty.

E dyta, në lidhje me problemet e tjera të energjisë. Po i përsëris ato gjëra që i kam thënë, të tjerët i kanë përsëritur, t’i nuk do t’i dëgjosh, por është mirë t’jua themi njerëzve.

Dërrmove sektorin publik, i shkaktove humbje miliona dollar KESH-it, vetëm me uljen arbitrare nga 2.8 në 2.2 lekë të çmimit, vetëm për t’i bërë favore CEZ-it. Dhe këtë e ke bërë t’i, duke urdhëruar Entin Rregullator, me ato masa që mori dhe i faturove faturën publikut. Ndaj, vetëm KESH-i është sot minus 520 milion dollarë defiçit për shkak të këtij veprimi që ke bërë t’i.

Vazhdojmë me bëmat e tjera të tuat. Hoqe 4 hidrocentrale vetëm se të duheshin ca para për fushatë, i shite në mënyrën më korruptive, duke mos reflektuar as në tarifë dhe sot detyrohet shteti shqiptar, në këtë rast KESH-i, të blejë më shumë energji. T’i e vendose strategjinë për privatizimin dhe i ke shkaktuar KESH-it minus 30 milion dollarë të tjera çdo vit humbje.

Do vazhdojmë me koncesionet e hidrocentraleve. Sa për dijeni, ja kemi bërë shumë të qartë edhe koncesionarëve, nuk kemi asgjë me ta. Ata janë pjesë e skemës së mashtrimit, e premtimit “ndërtoni hidrocentrale, pasi çmimi do të jetë gjithmonë i sigurtë dhe këtë do t’ua blejë shteti”. Është e pamundur me këtë model tregu që formove zotrote. Pse?! Sepse të gjitha këto investime nuk i reflektove në çmim, sepse të tjerët i ke gënjyer që gjoja likuiditeti i sektorit, që do vinte për shkak të asaj superfuqisë që kishe në mendje, do të kishte para për të gjithë. Po të ishte kjo skemë e suksesshme, ku je sot? Këto hidrocentrale kanë mbi një vit e gjysmë që nuk marrin para sepse sistemi nuk i përballon nga ana financiare. Madje kur ndryshove çmimin e KESH-it që e çove 2.2 lekë, nuk more parasysh as burimet e reja që do të krijoheshin në vite, pra nuk i reflektove ato në çmim.

Si mund të funksionojë sistemi?! Si mund të jetë ky sektor likuid?! Prandaj ka dalë problemi që edhe Banka Botërore, edhe FMN-ja e kushdo ndërkombëtar, apo kushdo që e njeh sektorin e energjisë thotë se sektori nuk është likuid. Të gjitha këto kanë ardhur si rezultat i politikës tënde për superfuqi energjetike, por që në fakt krijove një kufomë energjetike dhe t’i je përgjegjësi kryesor i kësaj.

I ke shkaktuar sistemit energjetik, t’i me politikat e tua, mbi 1.2 miliard dollarë dëme që duhet t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Vërtet janë masa të vështira dhe ke filluar të mbjellësh panik tek njerëzit për punën e çmimit të energjisë. Ne po i flasim hapur publikut, po themi se kjo është gjendja. Publiku nuk kishte nevojë për gënjeshtrat e tua se jemi superfuqi e jemi mirë. Publiku ka nevojë për realitetin, ky është realiteti energjetik shqiptar, për shkak të politikave të tua.

Nuk është një gjë që ndryshohet me një të rënë të lapsit, por do të dojë reforma të forta. Ne, patjetër në çdo rast do të mbrojmë familjet, do të kryejmë ato reforma të nevojshme që t’i kthejmë likuiditet sistemit. Edhe për HEC-et private, jemi në dialog me ta, dhe kam këtë mesazh të cilin ua kam thënë, se patjetër do të shikojmë disa nga politikat. Atyre do t’ju garantojmë investimin, do t’jua marrim parasysh edhe riskun që u futën në atë ëndrrën tënde, që hajde investoni pa kufi.

Asnjë shtet nuk e ka bërë këtë që ke bërë t’i, investime pa asnjë plan për burimet e reja të energjisë. Çdo vend bën planifikim energjetik, t’i the çdo lumë, çdo përrua merrni bëjeni hidrocentral dhe faturën silljani shtetit se do ketë për të gjithë. Në asnjë vend nuk ndodh kjo, por ne do t’i garantojmë ata që investimi i tyre do të kthehet. Njëkohësisht, do t’i bëjmë partner të hapjes dhe liberalizimit të tregut, që atyre tu krijohen kushtet për ta shitur atë energji dhe jo për ta bërë pjesë të atij megasektorit publik të rregulluar, i cili me këtë gjendje që e ke future, t’i nuk mund të rregullohet me ato skemat që na le trashëgimi.

Ka nevojë për reforma të thella dhe mbi të gjitha ka nevojë për një ndjesë publike, që duhet t’jua japësh t’i njerëzve. Të thuash “më falni se ju gënjeva për superfuqinë, por në fakt krijova një kufomë”.

Faleminderit!” – përfundoi fjalën e tij ministri Gjiknuri.

energjia.al  10.04.2014