Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministria e energjisë, tryezë për donatorët

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në tryezën me donatorët për sistemin energjetik:

Ju falënderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje,

Falënderoj në veçanti Bankën Botërore për asistencën e dhënë deri tani, për gatishmërinë e mbështetjen që ka shprehur për të organizuar këtë tavolinë të përbashkët. Një tryezë ku të ftojmë të gjithë donatorët, në institucionet ndërkombëtare apo palët e interesuara të cilët duan të dinë se çfarë po ndodh me sektorin energjetik dhe reformat e pritshme, të japin kontributin e tyre.

Qëllimi i tryezës mbetet koordinimi i të gjithë asistencës së nevojshme, që të mos ndodhë si më parë, që shpeshherë për të njëjtin objektiv kishim dy ose tre donatorë, liheshin shumë hapësira të tjera të pambuluara dhe fatkeqësisht një energji, para e burim i harxhuar kot, pa dhënë rezultatin maksimal.

Do të thotë dikush, pse i keni dhënë kaq rëndësi kësaj konference, apo pse ka tërhequr vëmendje sektori energjetik? Është një sektor gjerësisht i kritikuar, sektor që fatkeqësisht është kthyer në pikën më të dobët të performancës të ekonomisë shqiptare, një goditje permanente e Buxhetit të Shtetit, përtej asaj që fatkeqësisht u perceptua, mbase nga retorika politike sikur çdo gjë shkonte mirë dhe Shqipëria në pikëpamjen energjetike ishte një mision i përfunduar, ku gjithçka do të shkonte drejt një rruge pa kthim.

Fatkeqësisht, gjendja financiare e sektorit nuk është e mirë dhe prandaj ka nevojë për energjitë e qeverisë shqiptare, për vullnetin e qeverisë shqiptare, por njëkohësisht ka nevojë edhe për një mirëkoordinim të asistencës ndërkombëtare për të adresuar disa nga problemet themelore.

Sektori energjetik është shumë i rëndësishëm, përbën një nga elementët thelbësore të çdo vendi, është oksigjeni për një komb, për mbarëvajtjen ekonomike e zhvillimin. Ai mund të kthehet, nga faktor dëmtues në një faktor nxitës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, ndaj shumë nga politikat tona duhet të përqendrohen që të sigurojmë energjinë me çmime të pranueshme dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Nisur nga kjo situatë, qeveria e ka marrë shumë seriozisht adresimin e problemeve në sektorin energjetik. Kemi një sektor i cili vuan nga një defiçit i madh monetar, pra do të thotë që ka akumuluar borxhe të mëdha; kemi kompani të cilat performojnë të gjitha me humbje për shkak të mungesës së likuiditetit në sektor; kemi disa çështje të tjera që janë krijuar nga politika të pamenduara mirë dhe të pa planifikuara, e që patjetër duhet të adresohen në mënyrë që energjia të jetë një sektor i qëndrueshëm nga ana financiare. Aktualisht, barrën për mungesën e performancës së sektorit po e përballon Buxheti i Shtetit apo indirekt taksapaguesit shqiptarë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe qeveria shqiptare në tërësi ka vënë në prioritet të saj rimëkëmbjen e sektorit dhe këtu do të shpalosim disa nga elementët më kryesorë që përbëjnë vizionin dhe qasjen, strategjinë tonë se si kemi menduar për të dalë nga situata të cilën e kemi të trashëguar.

mei tryeze per donatoret 2Ndaj, doja të falenderoja në veçanti Bankën Botërore pasi jemi në një proces të diskutimit të një projekti shumë të rëndësishëm, mbështetja financiare për sektorin, e cila nuk mund të jetë e sigurtë në qoftë se nuk shoqërohet me reformat e duhura. Kuptohet, përveç bankës do të ketë rol edhe për të gjithë donatorët që janë të pranishëm në këtë tryezë, në mënyrë që të koordinojmë gjënë më të mirë, që këtë strategji ta bëjmë të zbatueshme. Është shumë e rëndësishme pasja e një strategjie, të paktën po krijojmë hartën se ku duhet të shkojmë, patjetër do të varet nga hapat që ne do të ndërmarrim dhe mbështetjen që do të kemi në mënyrë që rezultatet të jenë të dukshme.

Nga hapat e parë që do të bëjmë këtë vit, do të jetë miratimi i ligjit të ri për energjinë. Një ligj i cili do të implementojë shumë shpejt edhe paketën e tretë të direktivës, do të krijojë mundësinë edhe të hapjes së një pjese të tregut të energjisë për liberalizimin dhe nxjerrjen jashtë skemës së klientëve të rregulluar. Kjo gjë që sipas llogaritjeve tona paraprake do të krijojë edhe një 20% treg, jashtë tregut të rregulluar të energjisë, çka do të thotë se do të krijojë mundësi për një konsum dhe për një rol të operatorëve privatë, tregtarëve të energjisë, apo edhe prodhuesve të pavarur, të cilët fatkeqësisht, sot janë mbërthyer vetëm tek skema e pjesës së rregulluar të sektorit.

Nga ana tjetër, qeveria sapo erdhi u angazhua për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e kompanisë së shpërndarjes, CEZ Shpërndarje. Gjetja e një zgjidhjeje është me rëndësi në mënyrë që të bëjmë të mundur të investojmë në këtë sektor, në të cilin fatkeqësisht ka mbi 8 vjet që nuk është investuar asnjë para. Prandaj, përveç aspekteve të abuzimit ka edhe defiçencë nga ana teknike, apo shumë elementë të tjerë që kanë të bëjnë me mungesën e investimeve. Kemi ndërmarrë nismën për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë përsa i përket çështjes së hapur me CEZ. Kjo zgjidhje, shpresojmë të jetë miqësore, por edhe nëse nuk do jetë e mundur kjo, ne duhet të marrim një qëndrim në mënyrë që kompania të kthehet në një administrim të plotë shtetëror, të ketë llogaridhënie, pasi kështu siç është nuk është as privat as shtet.

Këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt, në mënyrë që të bëjmë të mundur që një pjesë të atyre investimeve nga donatorët, të bëhen efektive dhe që kompania të fillojë të jetë teknikisht më e qëndrueshme e nga ana operacionale të jetë më eficente.

Po vazhdojmë edhe investimet në pjesën e transmetimit. Tashmë janë të ditura dhe këtu dua të falënderoj KFW-në për ndihmën e dhënë në financimin e shumë linjave të transmetimit. Këto janë shumë të rëndësishme për sigurinë e furnizimit, janë shumë të rëndësishme pasi krijojnë hapësira shkëmbimi të energjisë me vendet fqinje, por edhe më gjerë. E lidhin Shqipërinë me rrjetet evropiane, dhe patjetër nëse investimet do të bëhen në kohë, të gjitha këto do të ndikojnë gjithmonë në sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë e çmimeve.

mei tryeze per donatoret 3Do të fillojmë linjën e Kosovës, shpresojmë vitin tjetër të fillojmë edhe me linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë, në mënyrë që Shqipëria të jetë e ndërlidhur. Kemi edhe projekte me perspektivë, të cilat do të prezantohen këtu, por që do të duan kohë me angazhimin e shumë institucioneve të tjera financiare, por edhe të vetë qeverisë shqiptare.

Njëkohësisht, kërkojmë që edhe Korporata Eleketroenergjetike Shqiptare, e cila fatkeqësisht ka mbajtur barrën e këtij sistemi, të futet në një menaxhim shumë më efiçent. Enti Rregullator i Energjisë po bën studimet dhe Ministria po e ndihmon Entin me ato mundësi që ka, për të gjetur një optimum, që kosto e energjisë të jetë sa më reflektive. Patjetër, duke u kujdesur që çmimi asnjëherë të mos godasë familjet, duam qëndrueshmërinë e çmimit, por njëkohësisht duam që tehun e reformave tona, në fillim ta orientojmë tek ndalimi i abuzimit me energjinë elektrike, siç është rasti i humbjeve të jashtëzakonshme në sistemin e shpërndarjes.

Të dhënat e para të administrimit të ri të CEZ-it janë premtuese, megjithatë ato duhet të përmirësohen në mënyrë më radikale, që sistemi energjetik të hyjë në një stad të qëndrueshëm dhe të jetë financiarisht i qëndrueshëm.

Këto janë reforma të rëndësishme, që patjetër do të kërkojnë edhe masa të forta, ashtu siç po ndërmarrim masa edhe për të ndëshkuar abuzimin me energjinë elektrike. Këto janë pjesë e politikave nxitëse, në mënyrë që të rritet likuiditeti në sektor dhe t’i jepet fund njëherë e mirë abuzimit me energjinë, që energjia të mos quhet si një mall që vazhdimisht është pa Zot dhe çdokush mund të abuzojë lehtësisht me të.

Por këto nuk janë të vetmet masa. Këtë vit, në planet tona është edhe rishikimi i ligjit për energjinë e rinovueshme, një ligj i rëndësishëm, por edhe ai ka implikimet e veta. Kërkon dhe përshtatje me situatën financiare në të cilën kalon sektori, njëkohësisht që ky ligj të jetë edhe gjenerues për investime, por investime të cilat duhet të qëndrojnë me këmbët e tyre dhe të dalin jashtë asaj skemës me të cilën jemi mësuar deri tani, që gjithçka e merr përsipër vetëm një operator, në këtë rast KESH-i. Nëse vazhdohet në këtë formë, do ta bëjë situatën të paqëndrueshme në terma afatgjatë.

mei tryeze per donatoret 1

Po punojmë ngushtësisht me disa donatorë, ka shprehur gatishmërinë edhe UNDP-ja këtu, por dhe Banka Botërore po jep asistencë. Jemi në një komunikim të vazhdueshëm, në mënyrë që të dalim edhe me një strategji të qartë për energjitë e rinovueshme, gjë që nuk e ka bërë ende Shqipëria. Duhet të kemi edhe një planifikim të qartë se deri në çfarë mase, çfarë gjenerimesh të reja do të nxisim dhe jo në mënyrë frenetike, të pakontrolluar, të pa planifikuar, ku nuk dimë se sa e kemi koston, siç po e shikojmë deri tani, dhe të gjitha këto janë realisht një kërcënim për qëndrueshmërinë e çmimeve.

Patjetër, ndihma e donatorëve në këtë drejtim është shumë e rëndësishme. Ashtu siç edhe masat dhe politikat qoftë ligjore, qoftë politikat institucionale në fushën e eficencës së energjisë, kanë një rëndësi shumë të madhe dhe aty qeveria shqiptare ka objektivat e saj. Prandaj, besoj se ka shumë vend edhe për rolin e disa donatorëve, me ekspertizën që kanë, mesa di IBRD ka siguruar shpeshherë audite shumë të mirë, përsa i përket efiçencës energjetike, programe nxitëse të cilat kanë qenë të suksesshme në shumë vende të tjera dhe s’kemi pse ne në Shqipëri të mos fillojmë t’i aplikojmë. Programe për të kursyer energjinë elektrike, për ta përdorur atë në mënyrë më efiçente, dhe patjetër kjo do të lehtësojë barrën e sektorit të rregulluar dhe do të jetë një gjë shumë e mirë edhe për qëndrueshmërinë e furnizimit, por njëkohësisht edhe për stabilitetin e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo është një tavolinë e cila do të jetë në formën e një bashkëbisedimi, pas disa prezantimeve që ka përgatitur Ministria, në disa fusha edhe projekte prioritare që ne mendojmë ta përqendrojmë punën tonë. Jemi të hapur për sugjerimet tuaja dhe shpresoj që ky të jetë një mekanizëm që të funksionojë në mënyrë permanente, herë pas here. Këtu, një rol domethënës do të marrë edhe Banka Botërore, meqenëse ajo është një nga mbështetësit kryesorë të sektorit dhe ka një eksperiencë të gjatë. Do të ishte mirë që edhe ata të ishin pjesë e bashkëkoordinimit, të kësaj tryeze, që në mënyrë të vazhdueshme ne të harmonizojmë interesat, të harmonizojmë kontributet, dhe këto kontribute të jenë sa më efiçente, të mos dublojnë njëra – tjetrën, por secila fushë e jona e cila ka të bëjë me një nevojë të ketë nga një donator nga mbrapa të mbuluar. Besoj, kjo punë do të jetë shumë më e mirë kështu, dhe unë besoj që të gjejë mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve në këtë tavolinë, në mënyrë që edhe roli i Bankës Botërore të njihet si një rol le të themi i parë mes të barabartëve në këtë drejtim.

Së fundi, unë dua t’ju falënderoj dhe t’ju inkurajoj në mënyrë të hapur që të jepni komentet tuaja, të jepni sugjerimet tuaja në lidhje me ato çka do të paraqiten këtu. Ato mund të mos jenë produkti më i mirë, patjetër që janë një fillesë e mirë për një dialog, por mbi të gjitha për të reformuar sektorin dhe pa mbështetjen tuaj kjo gjë do të ishte shumë e vështirë për qeverinë shqiptare.

Nëse do ta përmblidhja vetëm këtë vit, ne kemi disa masa shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me ligjin e energjisë elektrike, ligjin e ri, ligjin për energjinë e rinovueshme, rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Energjinë, disa projekte të mbetura ose që janë në proces siç është edhe TEC-i i Vlorës, i cili edhe ai duhet të komisionohet dhe nuk mund të rrijë më në atë gjendje ashtu , pasi fatkeqësisht është një burim që mund të shfrytëzohet në kohë krize, siç jemi edhe ne në këtë vit të dobët hidrologjik.

Fatkeqësisht, Shqipëria do të ekspozohet në nivele të larta importi dhe shpeshherë me ndikime në buxhet. Ndaj, këto janë disa nga gjërat prioritare dhe unë shpresoj që ndihma e donatorëve të jetë direkte dhe do të gjeni bashkëpunimin e plotë nga ana e të gjithë strukturave të Ministrisë së Energjisë, që këto projekte të realizohen në kohë.

Ne shumë shpejt, në vitet në vijim do të fillojmë të shikojmë një kurbë pozitive të sektorit të energjisë, një kurbë e cila patjetër do të marrë kohën e saj. E di që publiku shpesh i pret gjërat menjëherë, por sektori energjisë është shumë kompleks, ka akumuluar një situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe do reforma të thella, do disiplinë nga pikëpamja financiare, do vullnet të qartë politik, për disa reforma tepër të nevojshme, në mënyrë që kurba të fillojë të ngrihet, sektori të bëhet likuid.

Jam i sigurtë se duke i shfrytëzuar pasuritë që ka Shqipëria, dhe me një vizion të qartë nga ana qeverisë, çmimet e energjisë në të ardhmen do të jenë çmime të qëndrueshme, që do të kthehen në stabilitet ekonomik për familjet dhe nxitje për zhvillimin industrial, i cili elementin më të rëndësishëm të saj ka energjinë me kosto sa më të lirë dhe më të përballueshme.

Ju falënderoj edhe njëherë.

energjia.al 08.04.2014