Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbifaturimet e CEZ në Shqipëri, në Arbitrazh

Avokatura e Shtetit merr nga prokuroria dosjen dhe përgatit “duelin” me ish-administratorët çekë.

Shqipëria fillon përgatitjet për “duelin” me CEZ-in, pas heqjes së licencës së shpërndarjes nga ERE, gjatë qeverisë “Berisha”. Duket se negociatat nuk kanë sjellë asnjë kompromis mes qeverisë “Rama” dhe selisë mëmë në Pragë, Çeki, ku kjo e fundit kërkon 200 milionë euro dëmshpërblim, ndërsa ka bërë edhe një padi në Gjykatën e Arbitrazhit. Megjithatë, edhe Shqipëria nuk ka qëndruar duarkryq, pasi Avokatura e Shtetit, e cila pritet të përfaqësojë shtetin në këtë proces, ka filluar përgatitjet dhe javët e fundit ka “trokitur” në dyert e prokurorisë. Kjo e fundit, më saktësisht njësia Task-Forcë në kryeqytet, ka filluar në vitin 2011 hetim për mbifaturimin e faturave të energjisë elektrike nga CEZ-i, gjatë kohës që drejtohej pikërisht nga çekët. Madje, ka dyshime të konfirmuara se të paktën 14 mijë abonentë janë prekur nga një skemë mbifaturimi, e cila kishte të dhëna se “komandohej” nga drejtuesit më të lartë të CEZ-it. Prokuroria ka ngritur akuzë për 14 persona, faturistë të energjisë elektrike, ku gjysma e tyre është në burg dhe pjesa tjetër hetohen në gjendje të lirë, ndërsa vazhdojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në mbifaturimet. “Avokatura e Shtetit ka marrë prej disa ditësh materialet e prokurorisë për hetimin që ka nisur për mbifaturimet nga kompania CEZ”, pohon akuza, e cila sqaron se ka përfunduar hetimi për 14 faturistët që falsifikuan dokumentet dhe dosja ndaj tyre do t’i kalojë shumë shpejt gjykatës. Por do të veçohen hetimet ndaj ish-administratorëve të CEZ-it, disa shtetas çekë, që dyshohet se kanë pasur dijeni dhe dyshohet se mund të kenë organizuar të gjithë këtë skemë mbifaturimi të energjisë elektrike, e cila ka prekur më shumë se 14 familje shqiptare.

Kallëzimet për CEZ

Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet në datën 31 mars 2011 për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin. Procedimi penal është regjistruar

mbi bazën e informacionit të Policisë së Tiranës. “Në këtë informacion referohet se, nga ana e punonjësve të kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a., faturuesit e energjisë elektrike në marrëveshje dhe bashkëpunim me drejtues të kompanisë, kanë kryer vjedhjen e konsumatorëve të rregullt të energjisë elektrike. Ndërkohë, edhe ZMK-ja ka paraqitur kallëzim në prokurori ndaj drejtuesve të kompanisë CEZ Shpërndarje për veprat penale të ‘mashtrimit’ dhe “mashtrimit kompjuterik’. Pretendohet se nga ana e kompanisë CEZ janë lëshuar fatura energjie për konsumatorët, në të cilat është shtuar një zë i veçantë me emërtimin ‘energji e pamatur’, me të cilin për konsumatorët familjarë janë shtuar për pagesë 4000 kilovat, ndërsa për konsumatorët jofamiljarë janë shtuar për pagesë 20000 kilovatë. Bashkëlidhur këtij kallëzimi është depozituar edhe një deklaratë e ERE-s. Me këtë deklaratë, ERE njofton opinionin publik se, me vendimin Nr.90, datë 15.11.2010, ka konstatuar se aplikimi i ‘dëmit ekonomik’ dhe ‘energjisë së pamatur’ është abuziv dhe arbitrar, i pambështetur në ligj dhe në kundërshtim me të gjithë kuadrin rregullator në fuqi, dhe se për këto veprime është vendosur ndëshkimi me gjobë i CEZ-it në shumën 350000 lekë. Motivacioni i gjobës është ‘për moszbatim të kushteve të përcaktuara në licencë dhe konkretisht të pikës 3.1 të licencës për aktivitetin e furnizimit publik me pakicë të energjisë elektrike’. Gjoba ka qenë maksimale e lejuar me ligj, që mund të vendosë ky institucion dhe se të gjitha faturimet e kryera ndaj konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë me emërtimet ‘dëm ekonomik’ dhe ‘energji e pamatur’ janë të paligjshme dhe i ka ftuar të gjithë konsumatorët që u kanë vajtur fatura të tilla që të bëjnë reklamimin pranë zyrave të CEZ Shpërndarjes dhe, në mungesë të një përgjigjeje të shpejtë, të bëjnë ankimimin pranë ERE-s”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Hetimet

Prokuroria ka administruar nga ERE monitorimin e procedurës së ndjekur nga kompania CEZ Shpërndarje sh.a., në lidhje me faturimin e energjisë së pamatur dhe të dëmit ekonomik. Rezulton se në ERE janë paraqitur disa ankesa nga qytetarë të ndryshëm dhe subjekte private në lidhje me vendosjen pa të drejtë nga ana e CEZ Shpërndarjes sh.a., në faturën e shitjes së energjisë elektrike, të një vlere gjobe dhe dëmi ekonomik duke filluar nga 2000 kW – 4000 kW për konsumatorët familjarë dhe deri në 20000 kW për konsumatorë jofamiljarë (bizneset private) për periudhën tetor 2010–janar 2011.

Me procesverbalin e datës 16.03.2011, pranë kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a., janë administruar në cilësinë e provave materiale, lista e konsumatorëve të faturuar me dëm ekonomik dhe energji të pamatur për periudhën tetor–dhjetor 2010. Numri total i këtyre abonentëve, sipas këtij dokumentacioni, është 14062 dhe 490 prej këtyre abonentëve të faturuar në mënyrë të paligjshme e kanë paguar këtë faturim. Rezulton se të gjitha leximet e energjisë elektrike të kryera në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit janë lexime fiktive, që nuk janë kryer realisht nga lexuesit në sahatet matës të energjisë elektrike në pozicionet ku ndodheshin matësit dhe në banesat e abonentëve dhe ky fakt është provuar edhe nga deklarimet e abonentëve të pyetur, të cilët mohojnë që t’u jenë paraqitur lexuesit e energjisë elektrike në këto orë të vona. Rezulton se procedura për aplikimin e gjobave në masën 4000 kilovatë për konsumatorët familjarë (që i korrespondon pagesa prej 64800 lekësh) dhe 20000 kilovatë për konsumatorët jofamiljarë (bizneset) – që i korrespondon pagesa prej 292800 lekësh – në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e konsumatorëve është arbitrare dhe e pambështetur në ligj, por, nga ana e lexuesve të energjisë elektrike, – edhe brenda kësaj procedure të pambështetur në ligj – janë kryer falsifikime, duke paraqitur abonentë të cilëve nuk u është ndërprerë asnjëherë energjia si abonentë që janë rilidhur në mënyrë të kundërligjshme me rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Të pandehurit

  1. N. Sulaj
  2. A. Koleci
  3. M. Ndreu
  4. B. Kurtaj
  5. N. Kurti
  6. K. Karamuca
  7. E. Tocilla
  8. Sh. Basha
  9. M. Dragoshi
  10. A. Gjondedaj
  11. L. Karaosmani
  12. M. Shiqeruka
  13. H. Zhilli
  14. Sh. Stojku

Padia

CEZ kërkon në Arbitrazh 200 milionë euro

Grupi CEZ, me seli qendrore në Pragë të Çekisë, ka kërkuar dëmshpërblim financiar pas heqjes së licencës së shpërndarjes dhe furnizimit publik me pakicë nga ERE. Tarifat, gjobat e deri te pushtimi me policë që iu bë nënstacioneve, janë një pjesë e “provave” që “CEZ Group” në Pragë pretendon se do t’i përdorë në Gjykatën e Arbitrazhit, çështje që pritet të shqyrtohet pas shpronësimit të kompanisë nga shteti shqiptar. Sakaq, palët kanë vlerësuar dëmet respektive.

Në Arbitrazh, CEZ do të kërkojë dëmshpërblime për humbjet e krijuara nga investimi në Shqipëri, që vlerësohet në rreth 200 milionë euro, ku përfshihen investimi fillestar, shërbimet për kompaninë CEZ Shpërndarje dhe faturat për furnizim me energji nga kompania mëmë. Kjo gjithsesi është shuma maksimale, duke shtuar se çdo shumë që CEZ merr në kompensim, do të ulë humbjet e pësuara. Ministria e Ekonomisë vlerëson një dëm që arrin në rreth 700 milionë euro, duke nisur nga importet, mbulimin e humbjeve, mungesën e investimeve, çmimin e dritave etj. METE thotë se CEZ la pas dore kompaninë e saj në Shqipëri, duke negociuar mbi “çfarë të marrë dhe të përfitojë”.

Gazeta Shqip, 18.03.2014