Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et po tjetërsojnë ekuilibrat natyrorë

Prodhimi i energjisë nga Hidrocentralet si një energji të pastër dhe me ndikime më të vogla në mjedis, në krahasim me energjinë e prodhuar nga termocentralet, përbën një nga format pozitive që duhet mbështetur në parim. Nga ana tjetër qeveria Berisha, vendosi si objektiv kryesor në energji të shfrytëzojë ekstremisht lumenjtë për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet HEC-ve. Dr. Zamir Dedej Ekspert i mjedisit thotë për gazetën “Shqiptarja.com”, se –“Megjithëse janë paraqitur me ndikime të vogla në mjedis, në momentin që parashikohen të ndërtohen ose janë licencuar më shunmë se 400 HEC-e, të vegjël e mesatar, ndikimi i tyre akumulativ në analizat e e bëra tregon se po bëhet tepër evident, duke tjetërsuar regjimin hidrik si dhe ekuilibrin biologjik të këtyre rrjedhave ujore.

Punimet hidro-teknike te nevojshme si digat, veprat e marrjes, kanalet dhe tunelet devijuese të lumit, do prekin parametrat bazë jetësore të gjallesave që rriten në to dhe në tërësi do të shkaktojnë një ndikim me pasoja shumë të rënda në biodiversitetin e këtyre ekosistemeve të mëdhenj. Sot Shqipëria përmendet si një nga vendet e fundit në Europë ku lumenjtë janë ende në formën e tyre natyrale përsa i përket morfologjisë së tyre.” Kjo ka bërë që edhe organizmat e huaja ta vleresojnë, dhe mund të përmendim që vetëm së fundmi se revista prestigjoze gjermane “Spiegel” ka botuar artikullin “Lufta për Hidrocentrale: Digat rezikojnë lumenjtë e fundit natyral të Europës” (Hydropower Struggle: Dams Threaten Europe’s Last Wild Rivers) ku cilësohet se – “Zemra blu e Europës rreh në Ballkan” -që i referohet 80% të lumenjve që ende janë në gjendje natyrale dhe kërkojnë të ruajnë këto cilësi.

Probleme të tjera madhore që janë shkaktuar ose/dhe pritet të bëhen evidente së shpejti janë: Zamir Dedej thotë, “Ulja e sasisë së ujit në rrjedhat poshtë digave dhe në pjeset anësore të kanaleve devijuese, duke ulur ndjeshëm sasinë e ujërave nëntokësore dhe të nevojës për ujë të pijshëm dhe përdorime për bujqësinë; Pengimi i transportit të inerteve lumore që shkakton erozion në zonën bregdetare pasi prish balancën me forcën gërryese të detit, ku në shumë pjesë të bregdetit (Durrës, Lezhë, Velipojë, etj,) po vihen re avancime deri në 300 metra (në bregdetin e Lezhës gjate 10 vjetëve të fundit kanë humbur 42 ha tokë); Pengimi i lëvizjes së faunës “ihtike”(bëhet fjalë për faunën e peshqve), duke rrezikuar praninë e një sërë lloje peshqish që lëvizin/migrojnë në këto lumenj: Vendodhjet e digave janë, për nga vetë natyra e tyre, të ndjeshme ndaj aktiviteteve sizmike ndertimi i tyre në lugina ku mund të ketë erozion në kuptimin geologjik dhe ndërtimi i tyre në lartësi janë të lidhura me një stabilitet të ulët gjeologjik”.

Të gjitha këto efekte në mënyrë direkte, ose indirekte pritet të kenë ndikim në ekonomitë lokale pasi do të ulin prodhimet dhe mundësitë për komunitetet që jetojnë në to, pasi edhe punësimi për këto lloj sistemesh janë tepër të kufizuara. Gjithashtu prodhimi i energjisë prej ketyre lloj hidrocentralesh nuk sjell ndikim në furnizimin me energji të komuniteteve që jetojnë në ato zona pasi prodhimi do të futet në sistemet e shpërndarjes. Duhet të ndalohet çdo investim në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve dhe duhet të kryhet një vlerësim strategjik mjedisor të zhvillimit të këtyre aktiviteteve me ndikime të shumanshme mjedisore në natyrën tonë dhe në këto lumenj dhe basene ujëmbledhës.

Shqiptarja.com 24.01.2014