Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: “Reformë, garanci dhe transparencë për investitorët”

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË Z. DAMIAN GJIKNURI ISHTE I PRANISHËM NË FORUMIN EKONOMIK TË ORGANIZUAR NGA SHOQATA E INVESTITORËVE TË HUAJ NË SHQIPËRI (FIAA).

Ministri Gjiknuri, gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum, tha se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për miratimin e ligjit të ri të energjisë, duke hapur më shumë tregun.

Ministri vuri theksin edhe tek investimet që do të bëhen në linjat e transmetimit në vitet në vijim.
“E konsiderojmë shumë të rëndësishme këtë për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, importimin dhe eksportimin e energjisë, nëse është e nevojshme. Lidhja me rrjetet evropiane është shumë e rëndësishme dhe ne po rilançojmë edhe njëherë marrëdhënien tonë me homologët tanë italian, për të rivitalizuar këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm. Nëse ne e lidhim Shqipërinë me Evropën, nëse e lidhim me kabuj nënujorë, unë besoj se kjo do të jetë shumë përfituese dhe do t’i japë kuptim edhe projekteve të tjera në Shqipëri për suficitin e energjisë”, u shpreh ndër të tjera Z.Gjiknuri.

Ministri është ndalur edhe tek sektori i industrisë, ndërsa tha se duhen ndërhyrje për të eliminuar rregullat e padrejta të lojës, duke i hapur kështu mundësi investimeve efikase.

“Investitorët e huaj mund të vijnë me ekspertizë, me kapacitet, por kur duan të hyjnë në lojë, u duhet të përballen me disa rregulla të padrejta të lojës. Nëse rregullat vazhdojnë të jenë të padrejta, këta aktorë do të vazhdojnë të mbeten jashtë loje. Kështu vendi nuk fiton asgjë në planin afatgjatë. Ne do t’i kushtojmë shumë rëndësi kualifikimit, çfarë ofrojnë ata për zhvillimin e sektorit”, nënvizoi Ministri.

Duke ju referuar sektorit të minierave, Gjiknuri nënvizoi se qeveria po përpiqet ta vendosë nën kontroll këtë sektor

“Sektori minierave, sigurisht që është një sektor fitimprurës, por që ka dalë pak jashtë kontrollit, dhe ne po përpiqemi të fokusohemi tek disa fusha që kanë qenë goxha shqetësuese për publikun, përsa i përket sigurisë së punës, shfrytëzimit të burimeve. Kam parasysh këtu rastin e Bulqizës. I vetmi qëllim është që të vendosim më shumë kontrolle në këtë sektor. Të mos ja lëmë në dorë njerëzve të paaftë”, tha z.Gjiknuri.

Përsa i përket koncesioneve, për të rritur transparencën, shtoi Ministri, do të kemi një regjistër transparent të të gjitha koncesioneve, ku çdo aplikim do të regjistrohet, dhe do të ketë afatet e qarta.

energjia.al 20.01.2014