Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis puna për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë

Në godinën e Lidhjes së Prizrenit, Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z. Damian Gjiknuri dhe Ministri Kosovar për Zhvillimin Ekonomik, Z. Fadil Ismajli ishin dëshmitarë dhe mbështetës të firmosjes së kontratës për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Administratori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Shqipërisë Z.Engjëll Zeqo dhe ai i KOSTT-it të Kosovës Z.Naim Bejtullahu nënshkruan kontratën.

Kompania kroate Dalekovod do të ndërtojë linjën në pjesën e Kosovës ndërsa kompania Energoinvest nga Bosnje Hercegovina do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë.

Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonjektive e cila lidhë nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) me një gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST).

prizren ceremonia e firmosjes se kontratave te interkonjeksionit ministri gjiknuri

Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë. Financimi i projektit për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila 16.5 milion euro grant + 17 milion euro kredi.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë. Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonjeksioni 220 kV, kapaciteti i transferit të interkonjeksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënien në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana – Podgoricë do të ngrihet në rreth 900MW.

Nga momenti i fillimit të punimeve, ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh derisa kontraktuesit do të jenë tërësisht të koordinuar gjatë procesit të implementimit.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri:

Mirëdita të gjithëve! Edhe unë, kam kënaqësinë e veçantë që të jem këtu në këtë ditë të shënuar, në këtë vend të shënuar për vet simbolikën që përfaqëson edhe ngjarja e sotme po edhe historia.

Kur dëgjova Fadilin që mbajti fjalimin e tij teknik por në fakt edhe emocional, unë e lash anën teknike dhe do të merrem me atë që ndjej, do të flas fjalët e zemrës. E hodha poshtë atë fjalim që kisha përgatitur.

gjiknuri prizren fjalim per interkonjeksioninRealisht, më kujtohet ajo shprehja e famshme kur Kosova e fitoi pavarësinë e saj “Bac u Kry!”. Vendet, siç e tha mirë edhe ministri i Kosovës po lidhen me autostradën e tyre energjetike, energjia është siguria e vendeve, energjia është siguria e zhvillimit tonë në të ardhmen. Ne, si dy vende me një interes të përbashkët po krijojmë edhe këtë lidhje të fortë mes veti për ta përmirësuar situatën energjetike, për ta rritur sigurinë dhe zhvilluar ekonominë e dy vendeve tona. Ndaj, them se ky projekt ka një rëndësi të veçantë dhe me këtë rast një falenderim i rëndësishëm shkon për partnerët shumë të fuqishëm që e bënë të mundur, qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe bankën që e financoi. Shpresoj që kjo vepër patjetër do të mbarojë në kohë dhe benefitet do t’i ndjejnë të dy popujt tanë, do të komunikojmë më shumë, do të shkëmbejmë më shumë energji, do të kemi më shumë siguri. Hapësira shqiptare ka shumë mundësi që të zhvillohet në një treg të përbashkët energjetik, të kthehet në një potentë të vërtetë në rajon.

Ky projekt ka dhe një simbolike tjetër. Kur po mendoja se çfarë përfaqësonte Ballkani shumë kohë më parë, kuptohet vende të konflikteve, gjakderdhjeve dhe problemeve të mëdha. Por, shikoni se si në këtë projekt mblidhen Shqipëria, Kosova, një firmë boshnjake e një firmë kroate që bashkëpunojnë në një projekt me interes jo vetëm shqiptar por edhe rajonal.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse pas 135 vitesh, në këtë godinë ku filloi ëndrra e Shqipërisë së asaj kohe të ndërtohet edhe ëndrra e fuqizimit energjetik të dy hapësirave tona për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe perspektivë të qartë demokratike evropiane.

Suksese dhe paçim sa më shumë ngjarje e sebepe të tilla.

Ju faleminderit.

Fjala e mbajtur nga ministri kosovar i zhvillimit ekonomik, Fadil Ismajli:

ministri gjiknuri prizren ismajli interkonjeksioni me kosoven

I nderuari ministër Gjiknuri,
Miku im, ambassador Blomeyer,
Të nderuar z. Zeqo dhe z. Bejtullahu,
Pjesëmarrës të çmuar,

Më lejoni që sot, në këtë ditë të shënuar për historinë e energjisë së Kosovës, të shpreh konsideratat e mia më të larta, sikundër që edhe admirimin tim të madh, për finalizimin e një projekti kapital energjetik, për të cilin jo shumë vite më parë, do të tingëllonte jokorrekte të mendohej për të e mos të flasim për realizimin e tij praktik.

Pjesëmarrës të rrespektuar,

Të nderuar miq,Prizreni jonë, e brenda tij, vendi ku jemi mbledhur sot , përpos bukurisë së tij si vend, bartë me vete edhe vlera të historise dhe të civilizimeve të vjetra. Bartë me vete vulën e kultivimit të traditave të vjetra të shtresave aristokrate. Bartë me vete edhe data të shënuara të historisë sonë që gravuan krenarinë e kombit shqiptar, mushtin e qenjes njerëzore shqiptare. E, në vazhdën e këtyre ngjarjeve, sot po e skalisim edhe një të re, që ka peshën dhe përmasat e ngjashme me ato të parat…po nenshkruajmë kontraten për ndertimin e “autostrades energjetike”, Kosovë – Shqiperi.

Sektori i energjisë është një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit. Energjia është fundamentale për kualitetin e jetës tonë. Si shoqëri, sot jemi shumë të varur nga furnizimi kualitativ me energji, e cila na nevojitet, si për të jetuar ashtu edhe për të punuar. Është pra, përbërja kryesore e të gjithë sektorëve të një ekonomie moderne. Për ketë, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar që ky sektor të zhvillohet, ashtu qe të siguroj furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, me çmime të përballueshme për konsumatorët, mirëpo në të njëjtën kohë duke u kujdesur maksimalisht për ruajtjen e mjedisit. E dimë që kërkesa për energji do të rritet edhe më shumë në të ardhmen, dhe me të, do të rritet edhe kërkesa për infrastrukturë transmetuese të saj.

Pasi vizioni ynë (ndër tjera) është që të kemi një treg të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV, vetëm se do ta vërtetojë angazhimin tonë të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve.

Tradicionalisht, sektorët e energjisë janë zhvilluar dhe kane operuar në struktura të centralizuara, në të cilat, ndërmarrjet e integruara vertikalisht kanë operuar me shumicën ose të gjitha aktivitetet – prej gjenerimit, deri te bartja dhe distribucioni. Tani, situatën e kemi pak më ndryshe, situatë e cila në të ardhmen duhet të ndryshojë edhe më shumë. Vitet e fundit, në kemi bërë shthurrjen e ndërmarrjes vertikalisht të integruar (KEK) në gjenerim, transmision, distribucion dhe furnizim. Transmisioni ka mbetur entitet publik, ndërsa distribucioni dhe furnizimi janë privatizuar këtë vit. Me këtë rast, duhet theksuar se kemi akoma edhe shumë punë për të bërë, në mënyrë që të bëjmë hapjen e tregut, ashtu siç parashihet me legjislacionin e BE-se, gjegjësisht me pakon e tretë të energjisë.

Kur jemi tek linja interkonektive 400 kV, duhet përmendur që benefitet janë të shumta. Kjo ofron që të ngriten kapacitetet, qëndrueshmëria, dhe besueshmëria në mes të dy rrjeteve. Një linjë e tillë na mundëson që të dy operatorët të punojnë bashkarisht si një sistem shpërndarës, që do të ofrojnë përfitime të ndërsjellta për konsumatorët e të dyja vëndeve.
Kjo rritje e kapacitetit interkonektiv mundëson që të rriten kapacitetet e energjise elektrike dhe të mos ketë më barriera në mbështetjen që njëri vend mund ti ofroj tjetrit në kohë të mungesës së energjisë elektrike. Pra, me këtë linjë ne kemi bërë një hap të madh drejtë rritjes së sigurisë së furnizimit për të dy vëndet. Dhe kjo nuk është pak sukses, dhe kjo nuk është diqka që duhet të kalonte e pashënuar.

Do të ishte jokorrekte, madje e paimagjinueshme, që kjo ceremoni nënshkrimi të kalontë pa falenderimin me të thellë dhe më të sinqertë për Qeverinë e Republikës së Gjermanisë, pa ndihmën e së cilës ky projekt vështire se do të shihte dritën.

Shkelqesia Juaj, Ambasador Blomeyer, U falenderohem pambarim.

Dhe jo vetem kaq. Sepse kjo nuk është ndihmesa e vetme e Qeverisë Gjermane. Ishin shumë projekte të tjera, e padyshim, do vijnë dhe shumë pas saj, si rezultat i një bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik qe kemi tash dhe do e kultivojmë edhe në të ardhmen me shtetin gjerman, të cilit përjetësisht i detyrohemi.

Krejt në fund, shumë të respektuar pjesëmarrës,

në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh urimet më të sinqerta bashkë me dëshirën që mbarëvajtja e punimeve dhe kompletimi i këtij projekti të jetë temë e shpeshtë e debateve tona në muajt dhe vitet në vijim, për të hapëruar drejt projekteve tjera që kane në objektiv zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona, që bashkë, si dy shtete të pavarura, ekonomikisht të zhvilluara, të jemi pjesë e familjes së madhe të shteteve europiane.

Edhe njëhere urime dhe ju faleminderit.

energjia.al 22.12.2013