Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Mbështetje për projektet e energjive të rinovueshme”

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja mori pjesë në Ministerialin Mesdhetar për Energjinë, mbajtur në Bruksel nën drejtimin e Komisionerit për Energjinë Z.Oettinger dhe Ministrit jordanez Z.Mohammad Hamed.

Temat kryesore të trajtuara në këtë tryezë kishin të bënin me planin e energjisë diellore në rajonin e Mesdheut ashtu sikurse për integrimin në sistemin energjetik rajonal.

Gjatë fjalës së tij përpara të pranishmëve, Zëvendës Ministri Bejtja konfirmoi angazhimin dhe vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e projekteve të energjive të rinovueshme me qëllim diversifikimin e burimeve hidrike përmes burimeve të energjisë diellore dhe asaj të erës.

Z. Bejtja vuri në dukje interesimin e Qeverisë sonë për partneritet si në fazën e kërkim-zhvillimit edhe në shfrytëzimin e këtyre burimeve për prodhimin e energjisë.

“Jemi duke punuar për një program tarifash mbështetëse si në fazën e investimeve, edhe atë të prodhimit, për energjitë e erës dhe të diellit”, u shpreh Bejtja duke konfirmuar vullnetin e Qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e planit mesdhetar për energjinë diellore.

Shqipëria mbështet idenë e krijimit të Komunitetit Euromesdhetar të Energjisë duke ngritur si domosdoshmëri institucionalizimin dhe koordinimin në nivel kombëtar dhe rajonal të programeve konkrete. Kjo, në mënyrë që vendet më pak të zhvilluara të përfitojnë nga eksperienca e Bashkimit Evropian dhe e vendeve lider në këtë fushë si Spanja e Greqia.

“Ky integrim do të bëjë të mundur standardizimin si të njohurisë dhe shkencës ashtu edhe të teknikave dhe teknologjive të përdorura për prodhimin e këtyre energjive duke patur një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin dhe kualifikimin e burimeve njerëzore në mbështetje të energjive të rinovueshme”, theksoi zëvendës Ministri Bejtja.

Në fjalën e tij, Z.Bejtja u ndal edhe tek angazhimi i Shqipërisë në programin e eficencës së energjisë si pjesë integrale e zhvillimit energjetik të vendit dhe rajonit.

“Projektet TAP dhe IAP do të bëjnë të mundur uljen e kostove të energjisë dhe kostove operacionale në ekonominë shqiptare në përgjithësi duke e rritur konkurueshmërinë e saj në nivel rajonal dhe më gjerë, si edhe duke zbutur sa më shumë nivelin e papunësisë në vend”, u shpreh Z.Bejtja.

Z. Oettinger kërkoi mbështetjen e zhvillimit të energjive të rinovueshme me tarifa lehtësuese ndërsa ministri jordanez Z.Mohammad Hamed kërkoi një bashkëpunim më të madh mes BE-së dhe unionit mesdhetar për energjinë.

energjia.al 13.12.2013