Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri takon drejtuesin e Komunitetit të Energjisë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti në një takim Drejtorin e Komunitetit të Energjisë Z.Janez Kopac dhe zv.drejtorin Dirk Buschle, strukturë e cila shërben si një urë lidhëse për integrimin e Shqipërisë në tregun evropian të energjisë.

Gjatë takimit u theksua roli unik që Komuniteti ka në procesin e zbatimit të reformës legjislative dhe strukturore në sektorin e energjisë. Afati i fundit 1 janar 2015 shtron nevojën urgjente për bashkëpunim në zbatimin e paketës së tretë të energjisë.

Përfaqësuesit e Komunitetit deklaruan se performanca në implementimin e Acuis në fushën e eficencës së energjisë, energjive të rinovueshme, naftës dhe gazit në vitet e fundit është nga më të dobëtat në rajon. Sipas Sekretariatit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në përshtatjen dhe zbatimin e Acquis dhe se duhet që të ndërhyhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ministri Gjiknuri e konsideroi energjinë tanimë një prioritet të padiskutueshëm të qeverisë dhe u angazhua për përmbushjen në një kohë sa më të afërt të të gjitha detyrimeve që kërkohen në raportet e Komunitetit të Energjisë. Ministri nënvizoi edhe faktin se tanimë në strukturën e Ministrisë i është kushtuar rëndësi edhe politikave për energjinë e rinovueshme dhe eficencës së energjisë ashtu sikurse krijimi i një sektori të veçantë për gazin.

Në kuadër të diskutimit për problematikat e sektorit, Komuniteti i Energjisë sugjeron ndër të tjera rishikimin tarifës për bllokun e parë të konsumatorëve duke përcaktuar edhe më qartë shtresat vulnerabile.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë shprehu vullnetin për të asistuar palët për të arritur një marrëveshje në konfliktin me CEZ-in, duke theksuar se zgjatja e konfliktit sjell pasoja financiare që reflektohen në të gjithë sektorin e energjisë elektrike duke shtuar zinxhirin e borxheve ndërmjet pjesëtarëve të tregut dhe mungesën e investimeve në sektor.

Gjatë vizitës dy ditore, delegacioni i Komunitetit, zhvilloi takim përveç me Ministrin Gjiknuri, edhe me Kryeministrin Edi Rama dhe deputetët e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese ku u prezantuan konkluzionet e raportit të vitit të fundit dhe problematikat e hasura.

energjia.al 20.11.2013