Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Masat e propozuara nga komuniteti i energjisë për eficencën

energy_community

Në 24 Tetor, ministrat e energjisë të rajonit u mblodhën në mbledhjen e përvitshme të Komunitetit të Energjisë në Beograd, ku morën një sërë vendimesh të rëndësishme mbi të ardhmen e energjisë në rajon. Ndër të tjera, mbledhja e ministrave doli me rekomandime mbi masat që vendet e rajonit, përfshirë Shqipëria, duhet të marrin në të ardhmen mbi efiçencën e energjisë. Këto rekomandime do të shërbejnë si baza e një vendimi detyrues të KomEnerg-ut, për tu marrë në 2014.

Më interesante ndër masat e propozuara është ajo e detyrimit të tregëtarëve të energjisë për pakësimin e përvitshëm të energjisë së tregëtuar. Kjo do të ishte e ngjashme me tregun e karbonit në BE, ku prodhuesve të energjisë u alokohen kuota emetimi karboni në ulje vit pas viti. Në skema të tilla zakonisht ata që kanë kursyer më shumë sec u kërkohet kanë të drejtë të shesin diferencën tek ata që kanë kursyer më pak sec u kërkohet. Kursimi i energjisë kthehet në një vlerë e cila mund të tregëtohet me certifikata që luajnë rolin e parasë në tregun e kursimit të energjisë.

Një masë e tillë do të haste në kundërshtimin e bizneseve private, të cilat funksionojnë me llogjikën e tregut, se sa më shumë energji të shitet, aq më mirë. Por kjo llogjikë tregu bie në kundërshtim me interesat kombëtarë të ruajtjes së burimeve natyrore, të pavarësisë energjitike ne një periudhë afatgjate dhe të luftimit të ndryshimeve klimatike.

Ndër masat e rekomanduara janë:

  • Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë: Deri në 31 Dhjetor 2015, secili vend duhet të aprovojë objektivin e kursimit të energjisë me 20% të konsumit final të energjisë deri në 2025 dhe me 30% deri në 2030
  • Ndërtesat: Deri më 30 qershor 2016 secili vend duhet të ketë strategji për sigurimin e fondeve për rinovimin e stokut të ndërtesave rezidenciale dhe tregëtare, si publike dhe private. Në vijim kjo strategji do të përditësohet çdo tri vjet dhe do të jetë pjesë e planit kombëtar të veprimit mbi efiçencën e energjisë (PKVEE).
  • Nga 30 qershor 2015, 4 vjet rresht, të paktën 2% e sipërfaqes ndërtimore të ndërtesave të organeve të pushtetit qëndror të rinovohet që të plotësojë performancën energjitike minimale të përqasur me akuisin. Nga viti i pestë deri në 2025, dhe 2030, 3% e stokut përditësohet çdo vit. Këtë detyrim e kanë vetëm ndërtesat me sipërfaqe përdorimi më të madhe se 500 m2 dhe të cilat nuk kanë performancën energjitike minimale të kërkuar nga akuisi.
  • Prokurimet publike: Secili vend duhet që gjatë prokurimeve publike të blejë vetëm pajisje, shërbime dhe ndërtesa me efiçencë të lartë, për sa kohë kjo nuk bie në kundërshtim me kërkesat e tjera të tenderave publikë, si: kthimi mbi investimin, çmimi, pasojat mjedisore, aspektet teknike dhe konkurrueshmëria.
  • Kompanitë e shpërndarjes dhe tregëtimit të energjisë duhet të kenë detyrimin ligjor të pakësojnë energjinë e shitur me 1% në vit, në periudhën 1 janar 2015-31 Dhjetor 2025, dhe me 1.5% në periudhën 2025-2030. Kjo % llogaritet mbi shitjet vjetore tek konsumatorët finalë të gjithë shpërndarësve të energjisë apo gjithë kompanive të shitjes me pakice, në vëllim, e mesatarizuar gjatë 3 viteve të fundit të para 1 janar 2014. Energjia e përdorur në transport mund të përjashtohen plotësisht ose pjesërisht nga ky detyrim.
  • Auditimet e energjisë: Vendet duhet të promovojnë auditimet e energjisë tek konsumatorët e energjisë, të cilat janë me përfitim, kryhen nga ekspertë të kualifikuar dhe të pavarur, dhe mbikëqyren nga autoritete të pavarura sipas ligjit. Vendet duhet të kenë programe që nxisin bizneset e vogla dhe të mesme të bëjnë audite energjie dhe të zbatojnë udhëzimet e auditorëve. Duhet gjithashtu të ketë programe që ndërgjegjësojnë banorët mbi përfitimet nga audimet. Vendet duhet të inkurajojnë programe trajnimi për kualifikimin e auditorëve të energjisë.
  • Aparatët matës: Aty ku ka ngrohje ose ftohje qëndrore, çdo konsumator duhet të ketë aparatin e vet matës brenda 30 qershor 2018, nëse është e mundshme teknikisht dhe e arësyeshme financiarisht.
  • Brenda 31 Dhjetor 2016 secili vend duhet të: (a) studiojë potencialin e kursimit të energjisë në sektorin e elektricitetit dhe të gazit, sidomos në transmetim, shpërndarje, menaxhim ngarkese dhe ndëroperabilitet, si dhe të studiojë mundësitë e lidhjes në rrjet të prodhuesve të vegjël të energjisë; (b) të identifikojë masa dhe investime konkrete për përmirësimin e efiçencës së energjisë në rrjet, me afate për zbatimin.
  • Deri në 30 qershor 2016, secili vend duhet të sigurojë që të ketë skema akreditimi dhe/ose çertifikimi, përfshirë skema trajnimi, për furnizuesit e shërbimeve, auditeve të energjisë dhe instaluesit e pajisjeve përdoruese të energjisë në ndërtesa.
  • Fondi i Efiçencës së Energjisë: Secili vend duhet të krijojë ose shfrytëzojë fonde ekzistuese për financimin e masave të përmirësimit të efiçencës së energjisë.

Ekolëvizja, 28.10.2013