Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

7 shkeljet e CEZ, që Rama kërkon të tolerojë

7 shkeljet e kompanisë çeke, CEZ ndaj kushteve të kontratës me qeverinë e djathtë rikthehen sërish në drejtim dhe kësaj here, qeverisja e majtë ka miratuar edhe grupin e punës që do të merret me negociatat në vazhdimësi. Me ndërmarrjen e një nisme të tillë nga ana e qeverisë shqiptare, ne i rikthehemi edhe një herë atyre parashikimeve të bëra publikisht nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, se mungesa e një plani ligjor për menaxhimin e CEZ-it mund të jetë thjesht justifikim për një dyfishim të mundshëm të çmimit të energjisë nga ana e qeverisë Rama. Pra, xhepat e konsumatorëve shqiptarë do të rëndohen më shumë nëse do të përballemi me një rritje të mundshme të çmimit të energjisë. Relacioni, i cili u bë publik nga ana e Entit Rregullator të Energjisë konkretizon qartë të gjitha shkeljet e konstatuara që i janë bërë kontratës së lidhur mes qeverisë dhe CEZ. Nga monitorimi dhe përpunimi i të dhënave të CEZ Shpërndarje, OST dhe KESH, ERE pas analizës në vijimësi, konstatoi se edhe pas Vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE Nr. 128, datë 11.09.2012, për gjobitjen e shoqërisë CEZ Shpërndarje, kjo kompani vazhdoi akoma me shkeljet e rënda të kushteve të licencës, të cilat ndikojnë jo vetëm në cilësinë e furnizimit me energji elektrike, por mbi të gjitha edhe në furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve.

ERE si organi përgjegjës për monitorimet e sektorit të energjisë në bazë të Nenit 8, pika 2, të Ligjit 9072, datë 22.05.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike” ka vërejtur gjithashtu, deformimet e mëtejshme të shkaktuara nga sjellja në treg e shoqërise CEZ Shpërndarje dhe për më tepër mosreagimi ndaj gjobës së vendosur dhe mos veprimi për të rivendosur funksionimin normal të tregut dhe të veprimtarisë së shpërndarjes dhe furnizimit publik me pakicë. Gjithashshtu, kjo sjellje ndaj pjesëtarëve të tjerë të tregut ka shkaktuar vënien në vështirësi financiare të gjithë të licencuarve të tjerë në treg.

Në analizën e plotë theksohet se, bazuar në Ligjin 9072, datë 22.05.2003, “Për sektorn e energjisë elektrike”, të ndryshuar, mjetet e ushtrimit të autoritetit nga ana e ERE konsistojnë në vendosje gjobe për shkelje të legjislacionit në fuqi (Neni 64) apo heqja e licencës (Neni 18). Por duke qenë se vendosja e gjobës nuk solli efektet e pritura, pasi CEZ Shpërndarje vazhdoi të operojë në të njëjtat kushte i vetmi mjet ligjor që i mbeti ERE-s së asaj kohe ishte procedimi për heqje licence ndaj shoqërisë CEZ Shpërndarje.

Bazuar në Ligjin Nr. 9072 “Për sektorin e energjisë elektrike”, datë 22.05.2003, të ndryshuar, Neni 18 pika 1 a) dh) dhe ë), ERE mund ta heqë licencën kur i licencuari nuk përmbush kushtet e licencës, për shkelje të përsëritura nga i licencuari dhe/apo nuk arrin të përmbushë kushtet e licencës për shkaqe financiare. Në bazë të “Rregullores për procedurat e heqjes së një licence”, të miratuar nga Bordi i Komisionerëve të ERE, me Vendimin Nr. 65, datë 04.11.2005, në Nenin 5 dhe 6 të saj përcaktohet se një procedurë për heqje të licencës ndër të tjera fillon me propozoim të ERE-s për mospërmbushje të kushteve të licencës së dhënë sipas ligjit nga ana e të licencuarit. Duke u bazuar sa më sipër, Drejtoritë Teknike të ERE kanë konstatuar një sërë shkeljesh nga ana e CEZ Shpërndarje të kushteve të licencave të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe furnzimi publik me pakicë.

37.58% humbje në sistemin e shpërndarjes nga grupi çek

Mosnjohja në bilancin energjetik të fenomeneve të sipërcituara, nxorrën nivelin real të humbjeve në sistemin e shpërndarjes në vlerën 37.58%, duke e detyruar CEZ të paguajë të gjitha kostot e shkaktuara nga mosarritja e targeteve të pranuara në tarifën e shpërndarjes dhe të importojë apo të kompensojë financiarisht sasinë shtesë të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve reale në sistemin e shpërndarjes. Përsa i takon tarifave të miratuara nga ERE për periudhën e tretë Rregullatore 2012-2014, në kundërshtim me deklarimet e bëra, theksohet fakti i rëndësishëm që tarifat për shitjen e energjisë tek konsumatorët fundore familjarë dhe jofamiljarë mbeten të pandryshuara që nga viti 2010.
Për periudhën e tretë rregullatore 2012-2014, ERE zvogëloi ndjeshëm shpenzimet operative të CEZ si të pajustifikuara.
Pavarësisht rivlerësimit të aseteve të bëra nga kompania CEZ, ERE ka llogaritur amortizimin bazuar në vlerën e aseteve të përcaktuara në momentin e privatizimit, në përputhje me Deklaratën Rregullatore si të tillë rivlerësimi i aseteve i bërë nga Kompania nuk ka pasur asnjë efekt në përcaktimin e tarifave.

A mund të ketë rikthim me këto shkelje?!

1-Mosprokurimi i energjisë elektrike për mbulimin e plotë të të gjitha humbjeve në sistemin e shpërndarjes (pika 3.1 dhe 3.16.4 të Licencës dhe 4.8 të Modelit të Tregut). CEZ Shpërndarje në shkelje të detyrimit të Licencës së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (pika 3.1 dhe 3.16.4) nuk ka realizuar prokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e plotë të humbjeve në sistemin e shpërndarjes, detyrim ky edhe në bazë të Modelit të Tregut (pika 4.8).

2-Referuar barrierave të pretenduara nga CEZ Shpërndarje (abuzimi nga tregtarët), të cilat pengonin këtë shoqëri që të realizonte importet e nevojshme, ERE megjithëse nuk i vërtetoi këto abuzime, me qëllim që të krijojë lehtësirat e kërkuara nga CEZ Shpërndarje me Vendimin Nr. 111, datë 31.07.2012, i Bordit të Komisionerëve të ERE, vendosi alokimin e kapaciteteve të mbetura të lira për muajin gusht 2012 falas shoqërisë CEZ Shpërndarje.

3-Po ashtu me Vendimin Nr. 114, Bordi i Komisionerëve i ERE, datë 22.08.2012, vendosi alokimin e kapaciteteve për shoqërinë CEZ Shpërndarje për kapacitetet e muajit shtator 2012. Me gjithë ndryshimet në kuadrin rregullator në fuqi të cituar me lart, CEZ Shpërndarje nuk demonstroi përdorimin e kapciteteve të alokuara këtij subjekti, me qëllim realizimin e importit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes.

4-Për më tepër, duke filluar nga muaji shtator CEZ Shpërndarje ka patur periudha, ku jo vetëm nuk ka importuar sasinë e duhur, por nuk ka importuar asnjë Mwh energji elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes. Të detajtuara sasitë e importura nga CEZ Shpërndarje janë sipas deklarimeve ditore të OST sh.a. Sa më sipër ka bërë që KESH sh.a, të plotësojë jo vetëm të gjithë kërkesën për energji elektrike për konsumatorët tariforë, por edhe sasinë e energjisë elektrike që i korrespondon humbjeve në sistemin e shpërndarjes, (të pasiguruara nga CEZ Shpërndarje) përmes gjenerimit vendas.

5-Në shkresën Nr. 6098/2 Prot., datë 01.10.2012, CEZ Shpërndarje deklaron se “në kuadër të situatës së vështirë që është krijuar, KESH duhet të marrë masat e nevojshme si furnizues i alternativës së fundit për të gjitha klientët e kategorive… Po ashtu me shkresat Nr. 6098/2 Prot, datë 28.09.2012 drejtuar KESH sh.a dhe Nr. 6254/1, datë 03.10.2012 dërguar OST dhe për dijeni ERE, CEZ Shpërndarje bën me dije se “… nuk jemi në gjendje të rrisim importet e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve dhe lëvrimeve të tjera, duke filluar nga 01.10.2012… Ne kemi informuar edhe ERE-n dhe KESH sh.a, në mënyrë që ky i fundit të marrë masat e nevojshme, në cilësinë e tij si furnizues i alternativës së fundit bazuar në Nenin 46, pika 1, gërma c) e Ligjit Nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar…
Sa më sipër, jo vetëm që çon në mosfunksionimin e tregut në përputhje me Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike, të miratuar nga Këshilli i Ministrave (VKM Nr.338 datë 19.03.2008), por shënon një hap tjetër në drejtim që dëshmon paaftësinë e kompanisë për të kryer aktivitetin për të cilin është licencuar.

6-Me gjithë sa më sipër evidentuar me qëllim përfundimin e këtij procedimi nga Bordi i Komisionerëve të ERE, gjatë periudhës në vijim mund të organizohen monitorime pranë CEZ Shpërndarje sh.a, për të verifikuar më tej vperimet e CEZ Shpërndarje në funksion të zbatimit të kushteve të licencës dhe kushteve të tjera të shërbimit sipas kuadrit rregullator në fuqi, sipas programeve të monitorimit bashkëlidhur.

7-Në përfundim, duke konsideruar/konstatuar se CEZ Shpërndarje ka shkelur Licencën e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të miratuar nga Bordi i Komisionerëve të ERE me Vendimin Nr. 8, datë 25.01.2008, të ndryshuar dhe Licencës së Furnizimit Publik me Pakicë të Energjisë Elektrike të miratuar nga Bordi i Komisionerëve të ERE me Vendimin Nr. 09 datë 25.01.2008, i ndryshuar dhe shkeljet e mësipërme janë të gjitha fenomene të evidentuara edhe më parë në kohë (përfshirë vitin 2011 e gjatë gjithë vitit 2012), për të cilat ERE është shprehur në vazhdimësi dhe që CEZ Shpërndarje ka dështuar në përmbushjen e tyre me gjithë kohën e mjaftueshme dhënë nga ERE.

Gazeta Rilindja Demokratike, 26.10.2013