Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministria e Energjise merr politikat, e Ekonomise pronesine dhe kontrollin

Me dy vendime te dates 18 shtator, qeveria e re ka percaktuar fushat e pergjegjesise per Ministrine e Energjise dhe Industrise (MEI) dhe Ministrine e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS). 

Ajo qe bie ne sy eshte fakti qe Ministria e Energjise dhe Industrise do te merret kryesisht me hartimin dhe zbatimin e politikave ne: sektorin e energjisë elektrike; ne sektorin e hidrokarbureve (naftë dhe gaz); ne sektorin e minierave dhe gjeologjisë dhe ne sektorin e industrisë joushqimore.

Nderkohe Ministria e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes merr pjesen e luanit ne sektorin e energjise dhe naftes, duke ushtruar të drejtave që rrjedhin nga të qenit pronar i pronës shtetëroreduke ofruar shërbimin e regjistrimit dhe licencimit të operatorëve ekonomikë, duke mbuluar sektoret e standardizimit, akreditimit dhe metrologjise etj.  

energjia.al, 27.09.2013

 

VENDIM Nr. 833, datë 18.9.2013 PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ENERGJISË DHE INDUSTRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. Miratimin e misionit dhe të fushave të përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI), sipas këtij vendimi.
II. Ministria e Energjisë dhe Industrisë harton dhe zbaton politika që synojnë garantimin e furnizimit me energji të vendit, shfrytëzimin e burimeve energjetike e minerare në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe dobishmërisë publike, si dhe nxitjen e zhvillimit industrial me standarde sa më miqësore për mjedisin.
III. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:
1. Sektorin e energjisë elektrike;
2. Sektorin e hidrokarbureve (naftë dhe gaz);
3. Sektorin e minierave dhe gjeologjisë;
4. Sektorin e industrisë joushqimore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama

VENDIM Nr. 835, datë 18.9.2013 PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. Miratimin e misionit të fushave të përgjegjësisë shtetërore dhe të organeve të varësisë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), sipas këtij vendimi.
II. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgatit dhe zbaton politikat e qeverisë në sferën ekonomike, të tregtisë dhe të sipërmarrjes për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, me synim rritjen ekonomike, të lartë e të qëndrueshme në Shqipëri. Ajo harton dhe zbaton politika të integruara ekonomike në sektorët parësorë të ekonomisë, konvergjimit ekonomiko-social të rajoneve të vendit, përmirësimit të klimës dhe shërbimeve për biznesin dhe sipërmarrjen.
III. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:
1. Hartimi dhe zbatimi i strategjive dhe i politikave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend.
2. Programimi dhe zhvillimi i bashkëpunimit dypalësh me vendet e rajonit dhe më gjerë, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
3. Ndjekja e procedurave për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe rajonale dhe ndërkombëtare me organizma dhe organizata ku Shqipëria është palë aderuese.
4. Bashkërendimi institucional i procesit të negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet e rajonit dhe më gjerë.
5. Hartimi dhe zbatimi i politikave ekonomike për mbrojtjen e biznesit vendas nga praktika të pandershme të tregtisë ndërkombëtare.
6. Ndjekja dhe monitorimi i të gjitha detyrimeve në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare me organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon.
7. Bashkërendimi i programimit, vlerësimit dhe monitorimit të investimeve të huaja, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
8. Ushtrimi i të drejtave që rrjedhin nga të qenit pronar i pronës shtetërore.
9. Kontrollimi i zbatimit të ligjshmërisë për njësitë në administrim.
10. Bashkërendimi i politikave sektoriale për mënyrën e administrimit të pronës publike shtetërore, si dhe të kuadrit, ligjor e nënligjor, përkatës, për rastet kur ky bashkërendim kërkon bashkëpunimin e ministrive të linjës.
11. Krijimi i një klime dhe mjedisi legjislativo-institucional mbështetës për sipërmarrjen, nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe liberalizimit të tregut, duke reduktuar pengesat administrative dhe kostot e biznesit për eliminimin e informalitetit dhe korrupsionit, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik-privat.
12. Zhvillimi i politikave në favor të biznesit të vogël dhe të mesëm në përputhje me politikën përkatëse evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile.
13. Analizimi i impaktit ekonomik që kanë në biznes nismat ligjore në fusha të ndryshme, duke evidentuar paraprakisht avantazhet/dizavantazhet që ka çdo nismë ligjore, institucionale apo masat me karakter teknik në çdo fushë.
14. Përgatitja e të dhënave dhe treguesve të import-eksportit, masës së shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me vende të ndryshme dhe analizimi i situatës së tregtisë së jashtme të Shqipërisë.
15. Promovimi i vendit dhe identifikimi i mundësive për investime të huaja direkte në Shqipëri në funksion të zhvillimit ekonomik.
16. Ofrimi i shërbimit të regjistrimit dhe licencimit të operatorëve ekonomikë që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
17. Përgatitja e projektakteve, ligjore dhe nënligjore, si dhe bashkërendimi i punës me ministritë e linjës për transpozimin e direktivave në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, të drejtës së vendosjes dhe lirisë së ofrimit të shërbimeve, shoqërive tregtare, pronësisë intelektuale, politikës së ndërmarrjeve dhe asaj industriale, si dhe marrëdhënieve me jashtë sipas kapitujve 1, 3, 6, 7, 20, 28 dhe 30 të acquis.
18. Ofrimi i shërbimit të akreditimit për organizmat e vlerësimit të konformitetit.
19. Përshtatje e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe ndërgjegjësimi i komunitetit të biznesit për përfitimet nga zbatimi i standardeve teknike në produktet dhe shërbimet e tyre.
20. Zhvillimi dhe mirëmbajtja e etalonëve kombëtarë të njësive të matjes.
21. Kalibrimi dhe verifikimi i mjeteve matëse.
22. Realizimi i inspektimit metrologjik.
23. Propozimi i masave ligjore në fushën e pronësisë industriale.
24. Regjistirmi i objekteve të pronësisë industriale (patentat e shpikjeve, marka, dizenjo industriale dhe tregues gjeografikë).
25. Mbrojtja e pronësisë intelektuale.
26. Miratimi i organeve të vlerësimit të konformitetit për kryerjen e detyrave specifike të vlerësimit të konformitetit për produktet nën përgjegjësinë e MZHETS-së.
27. Mbikëqyrja dhe bashkërendimi i punës për politikat dhe veprimtaritë e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë (standardizimi, akreditimi dhe metrologjia).
28. Bashkërendimi i punës për politikat ndërsektoriale dhe përgatitja e propozimeve për zhvillimin e politikës kombëtare për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut.
29. Përpunimi dhe propozimi pranë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve i masave në lidhje me shkeljet e interesave ekonomikë kolektivë të konsumatorëve.
30. Mbikëqyrja efektive e tregut për të garantuar përputhshmërinë e produkteve të konsumatorëve me kërkesat ligjore në lidhje me to, me qëllim që të mos rrezikohen: shëndeti, siguria ose aspekte të tjera të mbrojtjes së interesit publik.
31. Bashkërendimi i punës për harmonizimin e legjislacionit në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të plotë të parimit të trajtimit kombëtar dhe mosdiskriminimit.
32. Kontrolli i zbatimit të legjislacionit në fushën e ndihmës shtetërore, nëpërmjet analizës, vlerësimit dhe kontrollit të skemave të ndihmës shtetërore dhe të ndihmave individuale, për të siguruar vendosjen e disiplinës së ndihmës shtetërore në vend dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike.
33. Hartimi i politikave buxhetore afatmesme dhe vjetore në përputhje me strategjitë sektoriale e ndërsektoriale për fushat nën përgjegjësinë e MZHETS-së, në zbatim të programit të qeverisë dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
34. Përgatitja e akteve, ligjore dhe nënligjore, që i shërbejnë fushës së veprimtarisë së institucionit të MZHETS-së dhe institucioneve të saj të varësisë, si dhe dhënia e opinioneve për projektaktet ligjore që propozohen nga ministritë e linjës.
IV. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas pikës III të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama