Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha pret përfaqësues të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR dhe të Konsorciumit të Shah Deniz

Kryeministri Berisha priti sot në takim Këshilltarin e Presidentit të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR, zotin Murad Heydarov, ambasadorin e Azerbajxhanit për Shqipërinë zotin Rahman Mustafayev dhe Zv/Presidentin e BP pranë Konsorciumit të Shah Deniz, zotin John Baldwin. Delegacioni njoftoi zyrtarisht Kryeministrin Berisha për përzgjedhjen përfundimtare të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik – TAP. Ky është projekti më i madh energjetik i të gjithë kohërave në Evropë, me një investim fillestar 40 miliard dollarë.
Me këtë vendim të marrë nga qeveria e Azerbajxhanit dhe Konsorciumi i Shah Denizit shënohet hapja e Korridorit të Jugut, si burim i një rëndësie strategjike për energjinë në Europë, sikurse edhe për zhvillimin e tregut të gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimin e burimeve energjetike të të gjithë rajonit.

Delegacioni shprehu mirënjohjen për të gjithë punën serioze të realizuar nga qeveria shqiptare brenda një kohe të shkurtër për ngritjen e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për të garantuar zbatimin me sukses të projektit në Shqipëri. Veçanërisht, ata shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal e të sinqertë për kontributin politik të paçmueshëm që Kryeministri Berisha personalisht investoi në mbështetje të projektit që në fazën fillestare të tij në 2006 dhe në vazhdim, mbështetjen dhe lobimin e tij të fuqishëm për këtë projekt. Pa rolin dhe kontributin e Shqipërisë, ky vendim për projektin TAP nuk do kishte qenë i mundur, theksuan ata.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për qeverinë e Azerbajxhanit, Presidentit Alyiev dhe konsorciumin e Shah Deniz-it për vendimin e marrë në mbështetje të projektit TAP, duke e konsideruar këtë si një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike që mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe që zgjidh me këtë projekt përfundimisht problemin e energjisë për Shqipërinë, e cila fiton një rol të ri në rajon, në këtë fushë. Shqipëria është një përfituese e padiskutueshme nga projekti, gjatë ndërtimit do krijojë mijëra vende pune dhe më pas hapjen e tregut të gazit në Shqipëri, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe rezidenciale.
energjia.al, 27.06.2013